Jose Mourinho pëson humbjen e parë pas 3 ndeshjeve me Tottenham, për më tepër në “Old Trafford”, aty ku para një viti shkarkohej si trajner i Manchester United, teksa fitoi sonte 2-1.
Vendasit e nisën mirë takimin, teksa Rashford shënon që në minutën e gjashtë. Tottenham vuan shumë në start, por më pas futet në lojë dhe në minutën e 39-të barazon me Dele Alli.
Por me të nisur e dyta, ka penallti për vendasit dhe Rashford nuk fal, duke kaluar sërish United në avantazh. Gjatë gjithë pjesës së dytë Tottenham u përpoq të shmangte humbjen, por nuk ia doli.
Ndërkohë, rikthehet te fitorja Chelsea, që mposht 2-1 Aston Villa. Pas dy humbjeve, Blutë e Londrës përforcojnë pozitat në vendin e katërt dhe për momentin Champions League nuk rrezikohet.
Megjithatë, surpriza quhet Leicester, që duket po shkruan një tjetër “përrallë”. “Dhelprat” regjistrojnë fitoren e shtatë radhazi dhe mbajnë vendin e dytë me fanatizëm. Leicester fitoi 2-0 ndaj Watford.