MENU
klinika

Bie opsioni i Krishtlindjeve

Brukseli: Vizat s’janë në agjendë për këtë viti

06.12.2019 - 11:52

Republikës së Kosovës nuk do t’i mjaftojë mbështetja e fuqishme e Gjermanisë për të marrë liberalizimin e vizave si dhuratë për Krishtlindje gjatë këtij viti.

Kjo pasi situata brenda institucioneve të Bashkimit Evropian dhe disponimi i shteteve tjera anëtare është tërësisht në disfavor të Kosovës. Një burim zyrtar brenda Bashkimit Evropian ka konfirmuar se nuk pritet që Këshilli Evropian të diskutojë për këtë çështje gjatë këtij viti.

Çështja e liberalizimit të vizave për Republikën e Kosovës nuk pritet që të jetë në agjendën e ndonjë takimi të Këshillit Evropian gjatë këtij viti. Një gjë të tillë për Gazetën Express e kanë konfirmuar burime zyrtare brenda Bashkimit Evropian.

Çështja e heqjes së regjimit të vizave për kosovarët ka ngecur në nivel teknik brenda Këshillit Evropian dhe nuk dihet as kur do të mund të merret ndonjë vendim e as se kur do të mund të kalojë në nivelin e ministrave.

“Diskutimet për liberalizimin e vizave për Kosovën kanë mbetur në nivelin teknik brenda Këshillit. Nuk mund të spekuloj se kur mund të sillet në nivelin ministror ose kur mund të merret një vendim”- ka shtuar tutje burimi zyrtar nga Bashkimi Evropian.

Ndërkohë kjo çështje duket se nuk është prioritet as për Finlandën, shtet ky që aktualisht është duke udhëhequr me presidencën e Bashkimit Evropian.

Virpi Kankare nga Ministria e Punëve të Jashtme të Finlandës ka potencuar se nuk kanë ndonjë informacion shtesë lidhur me këtë çështje, përveç qëndrimit që kishte dhënë në muajin qershor, se “duhet plotësuar kushtet dhe se vendimi është në dorën e Këshillit”.

Gjithë kësaj situate i shtohet edhe qëndrimi i prerë i Francës së presidentit Emmanuel Macron, të cilët vazhdojnë të potencojnë se Kosova ende nuk i ka përmbushur kushtet për të lëvizur lirshëm në Zonën Schengen.

“Për heqjen e regjimit të liberalizimit të vizave kërkohet përmbushja e disa kushteve, përfshirë këtu sundimin e ligjit dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, kishte thënë ky burim diplomatik duke shtuar se përveç Francës janë edhe disa shtete të tjera të cilat vlerësojnë se Kosova ende nuk i ka përmbushur kushtet.

Megjithatë gjithë këto qëndrime zyrtare të shteteve anëtare dhe institucioneve të Bashkimit Evropian nuk i bëjnë përshtypje kryeministrit në detyrë, Ramush Haradinajt, i cili vazhdon të urojë kosovarët për liberalizimin e vizave, që sipas tij kishte ndodhur qysh pas takimit që kishte pasur me ministrin e Punëve të Brendshme të Gjermanisë, Horst Seehofer gjatë verës.

Përveç ministrit Seehofer, mbështetje për vizat është dhënë edhe nga deputeti i partisë së kancelares Angela Merkel, Peter Beyer, i cili gjatë vizitës së tij të fundit në Kosovë, nga zyrat e LDK kishte deklaruar se liberalizimi i vizave mund të jetë një dhuratë e Krishtlindjeve për kosovarët.