MENU
klinika

“2020 shënon fillimin e dekadës së re”

Bushati: Shqiptarët shembull në Europë e botë me arritjet e tyre

24.12.2019 - 17:29

Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë Ditmir Bushati me anë të një video-mesazhi ka uruar të gjithë shqiptarët për Vitin e Ri 2020.

Bushati shkruan po ashtu se viti që lamë pas, 2019 shënjoi edhe arritje të jashtëzakonshme të shqiptarëve që jetojnë jashtë kryesisht, në fusha të ndryshme. Ai përmendi emra të shqiptarëve që me arritjet e tyre bënë krenar çdo shqiptar, kudo jeton.

Fjala e plotë e Ditmir Bushatit:

Krishtlindja dhe Viti i Ri na jep mundësinë që të jemi më pranë njëri tjetrit me familjet tona dhe me njerëzit tanë të dashur.

Teksa presim 2020 le të ndalemi për një cast tek viti që po lëmë pas. 2019 do të mbahet mend gjatë për tërmetin shkatërrimtar, ku humbëm 51 motra dhe vëllezër. Tërmet, që la pas një mal tronditës me rrënoja, plagë, halle e sfida. Dhimbja e madhe na bëri bashkë e shpresoj të na ketë vetëdijësuar për të ardhmen. 2019 në kuptimin politik ishte viti i eksperimenteve të rrezikshme, çka pengoi potencialin tonë për të bërë më të mirën për Shqipërinë.

Këto zhvillime nuk duhet të na bëjnë pesimistë. Gjatë 2019 shumë shqiptarë spikatën me arritjet e tyre. Janë të shumta rastet e suksesit të të rinjve dhe të rejave të talentuar burim frymëzimi për të ardhmen.

Gjimnazistet Dea Rrozhani, Arla Hoxha dhe Jonada Shukarasi, me aplikacionin e tyre “GjejZâ” që u vjen në ndihmë grave e vajzave të dhunuara, na bëjnë të ndihemi krenar për vlërësimet ndërkombëtare që kanë fituar, por mbi të gjitha na mbushin me shpresë se të rinjtë janë garanci për një Shqipëri më të mirë. Albi Zhulali themeluesi i Softmogul, platforma e parë e lëvizshme për menaxhimin e hoteleve, që së fundmi është bërë pjesë e Silicon Valley, është një tjetër histori suksesi i të rinjve në sipërmarrje.

Serena Leka, një projekt menaxhere e spikatur e Universitetit Aarhus në Danimarkë fitoi çmimin e parë në Kinë në fushën e inovacionit dhe startup-ve për vitin 2019. Diaspora është pjesë e pandarë e rrugëtimit të Shqipërisë në këto 30 vjet.

ditmir-bushati-konica.al

Vasil Pema, që jeton dhe punon në Suedi, këtë vit u bë mjeku i 27 në botë, i specializuar në trajtimin e Demencës. Arba Kokalari është shqiptarja e parë që u zgjodh këtë vit eurodeputete.

Nik Gjeloshaj, me mbështetjn e shqiptarëve të Malit të Zi, për herë të parë fitoi drejtimin e Komunës Tuz, tanimë me një status të pavarur nga Podgorica.

Majlinda Kelmendi fitoi medjalen e artë në Lojrat Evropiane në Minsk 2019. Edhe këtë vit djemtë dhe vajzat e talentuar të Kosovës treguan se arti dhe sporti e ngriti lart me dinjitet flamurin e Kosovës.

Këto janë vetëm disa raste nga dhjetëra histori suksesi të shqiptarëve të talentuar që na mbushin me shpresë se viti 2020 do të jetë një vit më i mbarë për të gjithë shqiptarët, me synim rrugën e suksesit dhe ndërtimin e një të ardhme të begatë.


Viti që vjen hyn me këmbë të mbarë pasi Shqipëria për herë të parë merr drejtimin e një prej organizmave më të rëndësishëm të sigurisë, OSBE-së, me shtrirje në 3 kontinete nga Vankuveri në Vladivostok.

2020 shënon fillimin e dekadës së re. Një dekade e cila duhet shënjuar nga të tjera histori suksesi si këto, për të përmbyllur tranzicionin e mundimshëm dhe për të jetësuar projektin e Shqipërinë Evropiane.

Gëzuar Festat! Ju priftë e mbara.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN