Estonezët gjithmonë i janë drejtuar pyjeve për të prerë pemët e Krishtlindjeve, por këto ditë ndoshta do ta bëjnë me një smartphone në duar.
“Është një ndjenjë e bukur të sjellësh pemën tënde nga pylli,” tha Katrin Sagur, e cila shkoi bashkë me të shoqin dhe fëmijët që të zgjidhnin një pemë Krishtlindjesh duke përdorur aplikacionin popullor i cili gjendet në tre gjuhë, atë estoneze, ruse dhe angleze.
Ky aplikacion i drejton njerëzit në mënyrë të tillë që ta kërkojnë bredhin e festave në një zonë e cila nuk është shpallur e mbrojtur nga autoritetet, dhe ku nuk ka rreziqe si për shembull, nga ndonjë kabëll elektrik. Të interesuarit, pagesën mund të bëjnë përmes telefonit dhe pemët t`i presin vetë.
Kjo është një traditë që në Estoni, ndiqet që prej vitit 2008, vetëm se tani, falë teknologjisë, është modernizuar.
Kur u krijua në fillim, ndaj aplikacionit pati kritika nga përdorues që thanë se nuk ofronte sqarimet e duhura për gjetjen e një peme të përshtatshme, ndaj në variantin e vet të fundit, ai është përmirësuar.