MENU
klinika

Burg, internim dhe tortura çnjerëzore

Fati tragjik i grekes që u dashurua me komunistin shqiptar…

18.12.2019 - 07:10

Histori burgjesh, torturash e internimesh nga periudha e komunizmit janë shkruar e dëgjuar shumë. Janë sa të ndryshme, aq edhe të ngjashme njëra nga tjetra, por si kjo e Aleksandra Zikos, ende nuk u ka rënë në vesh.

Ndryshon nga të tjerat jo vetëm prej torturave që ka jetuar nëpër biruca, por prej historisë që do t’i vinte më pas. Dashuria e së burgosurës me anëtarin e Partisë ishte tortura tjetër që do të vijonte për gjithë jetën. Kujtim Stana, biri i Aleksandrës, minoritares që nuk jeton më, na tregon gjithë ç’i ka treguar e ëma.
RRËFIMI I KUJTIM STANËS

Pranvera trokiti gëzueshëm në çdo portë, harlisur me lule, me shpresa e ëndrra të mëdha për çdo shqiptar, edhe pse vendi i përzhitur nga lufta për çlirim tymonte akoma e plagët dhimbnin. Njerëzve u shkëlqenin sytë nga ditët e para në liri dhe shpresonin për një jetë të lumtur. Por kjo pranverë, nuk qe e tillë për vajzën e familjes nga minoriteti grek, 21-vjeçaren Aleksandra Ziko, ose Sandra, siç e thërrisnin shkurt, të dashurit e saj.

Vajzës së bukur, me sy të ëmbël e flokë kaçurrela që dalldisnin nga rinia, ia vodhi jetën regjimi çnjerëzor komunist. Për nënë Vasilikën dhe Sandrën, bijën e saj, nga një familje greke por të vendosur në fshatin kufitar Biovizhdë të rrethit të Përmetit, bota u përmbys e ra mbi kryet e tyre. Blerimi pranveror u kthye në tela me gjemba, lulet në pranga, liria në punë të rëndë të detyruar dhe ëndrrat në tunele errësire të pafundme.

Dy femra të pambrojtura, pasi hetuesit e egër nuk faktuan asnjë nga akuzat absurde që kishin ngritur, u dergjën birucave të degëve të brendshme famëkeqe, në Gjirokastër, Durrës, Krujë, ku u torturuan me metodat më çnjerëzore, të cilat do t`i shihnim më vonë vetëm nëpër filmat horror. Së fundmi ato e panë veten të internuara, në kampin e përqendrimit në Kamzë – Tiranë, ku u izoluan për 6 vite me radhë, 1945 – 1951.

Dhimitri, kryefamiljari, së bashku me Ilian, djalin e tij, vëllai i Aleksandrës, punonin në Greqi që para çlirimit të vendit, për ndërtimin e shtëpive dhe mbyllja e kufijve shqiptaro – grek i zuri larg familjes. Aq të egër, barbarë e mizorë u treguan zelltarët e pashpirt të regjimit komunist, saqë nuk u mjaftuan me ndarjen meshkuj e femra që i kishin bërë familjes, por ndanë për së gjalli dhe Olimbinë gjashtëvjeçare nga nëna Vasilika dhe motra Aleksandra. Olimbia e vogël, për vite me radhë, u end derë më derë dhe rrugëve të fshatit, pa asnjë përkujdesje, shpesh duke lypur bukën e gojës.

Këtë veprim makabër s`do ta kishte bërë asnjë regjim në botë. Gjithçka bëhej në emër të popullit e për popullin, po kjo familje a nuk ishte popull? Pasi u vodh e u plaçkit pasuria e familjes Ziko nga vetë administrata komuniste gjatë gjithë vitit 1945, ku s`kishte asnjë përfaqësues të familjes, me një vendim nr. 299, datë 10.01.1946, të Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor Përmet, me siglën VFLP, kryhet dhe akti i fundit, konfiskimi i pasurisë së mbetur të familjes Ziko, me arsyetimin se i përkasin të arratisurit Dhimitër Ziko. (Marrë nga dokumenti origjinal, cituar më sipër)

Arratisur, kur? Që para çlirimit? Arratisur ku? Në tokën vet? Në prani të kujt? – Të grabitësve të pronës private? Apo pjesës tjetër të familjes që qe internuar që para një viti? Konfiskohet shtëpia, dyqani, malli i tij, orenditë, kafshët shtëpiake, tokat, kopshte e arë, etj. Kush i pa, kush i numëroi? Komisioni i regjistrimit dhe administrimit të pasurive, që i përkasin të arratisurit Dhimitër Ziko. Çfarë logjike dhe drejtësie! Mirë, Dhimitri me të birin punonin në vendin fqinj si ustallarë e qenkeshin të “arratisur” që para çlirimit, po cili qe faji i Vasilikës, Aleksandrës dhe Olimbisë, fëmijë gjashtë vjeç, që u ndanë për së gjalli?

Për të mos u zgjatur më në krimet e diktaturës, po vijoj me jetën e asaj që do të bëhej nëna ime e dashur dhe e motrave e vëllezërve të mi, Aleksandrës. Ish e bukur Sandra dhe e dashur, ish e fortë dhe e dhembshur. Të gjithë e lëvdonin. Punonte më tepër se një burrë, ndihmonte dhe nënë Vasilikën të realizonte normën që ngrihej herë pas here për të shfrytëzuar sa më mirë të internuarit.

Në qindra të tillë, Sandra do të binte në sy e s`kish si të mos tërhiqte vë-mendjen e përgjegjësit të tyre, 24-vjeçarit Xhelal Stana. Kish rënë në hall djaloshi i ri. I pëlqente Sandra, po si të vepronte? Ishte anëtar i Partisë Komuniste të Shqipërisë. Disa i thonin,- merre po e deshe -, të tjerë, – ç`të duhet të ngatërrohesh me të deklasuarit… Dashuria qe e madhe, ndaj mori guximin e pyeti disa shtetarë të mëdhenj që vinin e pushonin në hijet e freskëta të pjeshkoreve të famshme të Kamzës se si t`ia bënte.

Martohu me të po e deshe kaq shumë, s`ka ndonjë gjë, i thanë. Fluturoi djaloshi, nga gëzimi, kërkoi dorën e Sandrës te nënë Vasilika dhe u martuan pa bujë e zhurmë, duke e festuar me një darkë të thjeshtë në dhomën e internimit. Aty në internim u ngjiza dhe linda unë, në fillim të shtatorit të vitit 1951. Pas shumë kërkesash të babait, nëna dhe gjyshja u liruan nga internimi, si dhe tezja ime Olimbia iu bashkua familjes duke e sjellë nga Përmeti në Kamzë.

Unë po rritesha me dashurinë e prindërve të mi që punonin në Ndërmarrjen Bujqësore “Ylli i Kuq”, Kamzë. Por nuk vonoi shumë, e nisi sërish kalvari i mundimeve dhe për familjen e re. Babanë e përjashtuan nga Partia se kish njollosur figurën e komunistit, duke u martuar me një të deklasuar.

-O bashkëshorten, ose teserën e Partisë- i thanë. Babai zgjodhi nënën time, Sandrën. Partia i mori teserën, por nuk u mjaftua me kaq. E shkarkoi nga detyra e përgjegjësit të sektorit dhe e dëboi nga ndërmarrja, agronomin e talentuar të fruti-vitikulturës. Në këto kushte, për disa vite familja jonë jetoi në një fshat të Matit ku kish origjinën im atë, dhe vetëm në vitin 1960 u stabilizua në qytetin e Burrelit, ku po krijohej një ndërmarrje e re bujqësore.

Deri sa doli në pension, në atë fermë punuan prindërit e mi, rritën dhe edukuan shtatë fëmijë, por dhe derdhën pa kursyer djersën e mundin e tyre për ndërtimin e socializmit që nuk u ndërtua kurrë. Megjithëse në një qytet të vogël verilindor të vendit, familja jonë binte në sy për ndershmërinë, kulturën dhe edukatën që rrezatonte, prapëseprapë shiheshim me njëfarë dyshimi dhe nga vështrimet e njerëzve ndjenim përçmim dhe mosafrim të tyre në jetën shoqërore me ne.

Si fëmijë e si nxënës, tri motrat e katër vëllezërit (një vëlla na kish ndërruar jetë pa bërë një vjeç që kur ishim në Tiranë) qemë të shkëlqyer në çdo aspekt, sjellje e mësime. Nëna ime lodhej shumë në punët e rënda të fermës. Spërkaste bimët me helme të forta, duke mbajtur pompën e rëndë në kurriz, hapte kanale vaditës apo gropa pemësh duke gërmuar e zhvendosur 4-5 m3 dhe në ditë.

Gjatë pushimeve verore, ne fëmijët shkonim shpesh në punë te nëna dhe mundoheshim ta ndihmonim me duart tona të brishta. Shpesh, mbetej pa ngrënë se ushqimin që kish marrë me vete do të na e jepte ne fëmijëve që kërkonim të hanim herë pas here. Kështu kaluan dhjetëra vite, me punë e lodhje. Gjyshe Vasilika, ndërroi jetë në moshën 65 vjeçe, në vitin 1965, pa i parë e pa dëgjuar asnjë fjalë për të shoqin Dhimitri e djalin Ilia.

Thoshin se vinin letra dhe pako, në rrugë postare dhe të kryqit të kuq, por gjithçka kontrollohej nga Dega e Punëve të Brendshme dhe ktheheshin mbrapsht, me përgjigjen se nuk gjendesh kjo familje. Ne nuk na thuhej kurrë asgjë, por këto, por as vetë, duke parë presionin që na bëhej, nuk patëm asnjë korrespondencë me njerëzit tanë jashtë shtetit.

Faksimile të dokumenteve që tregojnë për akuzat e Dhimitër Zikes, Miço Xhikes- është emri version i shqiptarizuar qe ia shkruanin ata të hetuesisë duke iu referuar Dhimitër Ziko
Faksimile të dokumenteve që tregojnë për akuzat e Dhimitër Zikes, Miço Xhikes- është emri version i shqiptarizuar qe ia shkruanin ata të hetuesisë duke iu referuar Dhimitër Ziko
Të gjitha këto u vërtetuan më vonë me shembjen e diktaturës komuniste, kur u hapën dyert e komunikimit me botën. Aleksandra, ca nga puna e rëndë, ca nga lindjet e shumta e nga drama e familjes së saj, filloi të sëmurej e të mos ndihej mirë. Arriti të marrë një pension minimal nga puna në fermë si nënë me shumë fëmijë, po ku rrinte rehat shpirti i saj? Fëmijët po rriteshin, duhet të shkolloheshin dhe për të mundësuar ekonomikisht këtë, dilte çdo ditë, kodrave e lëndinave, për të mbledhur bimë mjekësore, të cilat i shiste më pas në pikat e grumbullimit.

Nuk po ndalem në peripecitë e shumta që kemi kaluar si familje, si për shkollim, punësim apo strehim, ato qenë të panumërta e të stërmundimshme, por me ardhjen e demokracisë, ashtu si shumica e shqiptarëve, na u lehtësua frymëmarrja, sikur na u kthye dinjiteti i nëpërkëmbur. E gjithë familja dëshironte të vendosnim kontakte me pjesën tjetër të familjes që kish mbetur në shtetin grek.

Në çdo ditë të jetës, gjysma e familjes e mbetur në Greqi ishte pjesë e jona, ne, fëmijët e Aleksandrës u rritem duke dëgjuar historitë e përshkrimet për ta. Madje, në lindjen e fëmijës sim të fundit, në 1990, nënë Sandra më kërkoi që nëse do të lindja djalë, t’ia vendosja emrin Ilia. Por edhe pse u bëra me vajzë, emrin ia përshtatëm në kujtim të vëllait të Aleksandrës, të cilin ende nuk e kish takuar.

Do na mbetet e pashlyer dita kur nëna, Aleksandra, pasi kishim gjetur e shkëmbyer letra me dajë Ilian (gjysh Dhimitri nuk jetonte më) arriti të marrë vizë e të nisej për në Athinë, të takonte vëllain që jetonte atje, i martuar e pa fëmijë, i gozhduar në një karrocë invalidi. Siç na thanë më vonë, nënë Sandrës i kish rënë të fikët në çastin tepër mallëngjyes të takimit me vëllain, të ndarë në moshë njëzetvjeçare e tani përqafonin njëri-tjetrin, gati pas gjysmë shekulli, pleq rreth shtatëdhjetëvjeçarë.

Faksimile të dokumenteve që tregojnë për akuzat e Dhimitër Zikes, Miço Xhikes- është emri version i shqiptarizuar qe ia shkruanin ata të hetuesisë duke iu referuar Dhimitër Ziko
Faksimile të dokumenteve që tregojnë për akuzat e Dhimitër Zikes, Miço Xhikes- është emri version i shqiptarizuar qe ia shkruanin ata të hetuesisë duke iu referuar Dhimitër Ziko
Nënë Sandra kish qarë e ngashëryer për fatin e zi që e ndau për së gjalli nga njerëzit e saj më të dashur. Tani nuk jeton më as Aleksandra e as Ilia Ziko. U shuan që të gjithë, zemërplasur, të dëshpëruar e të shumëvuajtur sa nuk mund të përshkruhet. Edhe pse me vendim nr. 19, datë 26.12.1992, gjyshe Vasilikës dhe nënë Sandrës iu njoh nga Ministria e Rendit Publik koha e internimit për çështje politike, gjithsej 4380 ditë, akoma as ato, as ne trashëgimtarët nuk kemi marrë dëmshpërblimin përkatës.

Edhe pse me vendim nr.131, datë 09.06.1995, të Komisionit të Kthimit të Pronave ish-pronarëve, nga Këshilli i Rrethit Përmet janë njohur pronat e Aleksandra Ziko, as ajo e askush tjetër nuk ka marrë e as është kompensuar asnjë pronë. Nënë Sandra e mbylli ciklin e vet, me pak gëzime në jetë e plot vuajtje e drama të rënda, me përpjekjet të panumërta për mbijetesë të bëra nga kjo vajzë e nënë, e cila u internua nga Përmeti për të shkruar dramën e jetës së vet në Tiranë e Mat.