MENU
klinika

Nga Çapajev Gjokutaj

Gërmadhat e politikës mbi gërmadhat e tërmetit

14.12.2019 - 12:19

E kam parë mbrëmë, por sa herë e kujtoj rrënqethem. ‘Dëgjova mbesën që ulërinte ‘gjyyysh na nxirr’, tregonte burri i thinjur dhe psherëtinte. E shoqja, e bija dhe mbesa e vogël vdiqën nën rrënojat e tërmetit.

Rastësisht ai shpëtoi. Në fakt shpëtuan ato, them me vete, ky i gjori do ta vuajë deri në ditën e fundit atë natë-ditë kur vajza dhe mbesa, mes britmash e rënkimesh, e thërrisnin për ndihmë nga nënrrënojat.

Kohë më parë mbesa kishte përjetuar vdekjen e të atit, ndaj gjyshi për të ishte edhe babai, edhe autoriteti, edhe shpëtimtari që do t’i dilte krah, madje do ta nxirrte edhe nga thonjt e vdekjes.

Kam dëgjuar këto ditë shumë histori me vdekje nën gërmadha. Njera më rrënqethëse se tjetra. Por thirrja ‘gjysh na nxirr’ më ngjan më rrënqethsja. Me sa duket një mekanizëm psikologjik më shtyn ta kujtoj e rikujtoj detajin jo si dëshmi, por si përjetim vetiak, si gjysh që s’i del dot në krahë mbesës, mjaltit të mjaltit.

2.

Kjo më shtyn të meditoj për vdekjet dhe fatkeqësitë që solli tërmeti kobzi i 26 nëntorit. Kanë kaluar ditë dhe emocionet e para vijnë e paken si plaga që ze kore. Njeriu nuk mund të jetojë çdo ditë intesivisht me vdekjen dhe fatkeqsinë. Jeta kërkon dhe zapton hapsirën e vet.

Ditët kalojnë dhe 51 jetët e perënduara nën gërmadha synojnë të kthehen në kujtime. Krejt e kuptueshme, them me vete, sa kohë që edhe plaga, pjesë e mishit dhe e gjakut tënd, qetësohet e zë kore, doemos që edhe dhimbja për tjetrin do të papset gradualisht. E rëndësishme është të mos harrohet a, më keq akoma, të mos kthehet në statistikë.

Dhe më kujtohet ajo thenia cinike: vdekja e një njeriu është tragjedi, vdekja e një milionë vetëve është statistikë.

Sado cinike, kjo thenie ka brenda vetes një të vërtetë, mbështetet mbi një mekanizëm psikologjik. Njeriu e ndjen se është i brishtë e nuk mban dot shumë dhimbje, ndaj priret që të përjetojë individualen, kurse masiven ta kthejë në statistikë.

Këtë e dinë mirë gazetarët që raportojnë krizat humanitare. Qindra mijëra refugjatë sirianë kaluan thuajse pa u venë re nga teleshikuesët perëndimorë, por trupi i vogëlushit Aylan, që deti e nxorri pajetë në brigjet e Turqisë 4 vjet më parë, shkaktoi stuhi të vërteta emocionale. Ata, të shumtët, shiheshin si statistikë, kurse Alyanin e panë miliona vetë dhe në nënvetdije e imagjinuan kush si bir, kush si nip, kush si vëlla, kush si fëmijën e komshiut, kush si…

Njeriu nuk është cinik por zgjedh të përjetojë aq vdekje e fatkeqsi sa mund të mbajë, të jerat i kthen në statistikë. E thotë dhe Bibla: zgjidh për kë do vajtosh.

3.

Përtej vdekjeve, fatkeqsive, teknikave të raportimit, mekanizmave psikologjikë vetmbrojtës etj., etj. sot ndeshemi me një problem të mprehtë. Siç është e natyrshme, dhimbja e publikut për 26 nëntorin po ze kore, përditë e më shumë po zbehet perjetimi ynë emocional dhe gjithçka rrezikon të kthehet në kujtesë të ftohët, të ngurtësuar e të largët.

Por tërmeti është mundësi e madhe për të reflektuar e koregjuar gjëra që i kemi bërë prapsht. Jo me emocione të ndezura, por me analizë të thellë e racionalitet.

Reflektimi e koregjimi fillojnë e duhet të fillojnë nga ndëshkimi i fajtorëve, jo si hakmarrje, por si drejtësi, si mësim, shembull që do të shmangë zullume të tilla në të ardhmen, do të papsë babëzinë e ndërtuesve dhe dallkaukllëkun e kryebashkiakëve dhe skotës së supervizorëve që punësohen nga shteti, por bëjnë duvanë e privatit.

Edhe diçka tjetër po kaq shqetësuese. Përditë e më tepër po shtohen përpjekjet për të bërë politikë me fatkeqësinë dhe gërmadhat.

Në se analizat për shkaqet e kësaj kataklizme do të shndërrohen në luftë politike për vota e për pushtet, s’kemi për të bërë gjë tjetër veçse do të vemë gërmadha mbi gërmadhat. Klasa e sotme politike, përgjegjëse për katrahurën me ndërtimet, pyjet, tokat, pronat etj, klasë që është katandisur gërmadhë në sytë e publikut, jo vetëm që do bëjë politikë mbi gërmadhat e sotme, por edhe do përgatisë gërmadhat e nesërme.

Eshtë koha të vrasim mëndjen për hallet e hallemëdhenjtë e këti dimri tejet të vështirë dhe të mendojmë seriozisht për rrugdaljet nga bataku i politikës së sotme.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Shanset që Shqipëria të digjet përsëri...

30 Qershori, qar apo zarar?


Lejuan personin e tretë misterioz në makinën e viktimave të largohej

Masakra në Dobraç/ Gjykata jep vendimin për 4 efektivët e “Shqiponjave”

“E gjithë Shqipëria në Tiranë!”

Berisha njofton protestën e radhës

Ministrja Manastirliu: Më shumë se një thesar fjalësh!

Prezantohet “Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe”