MENU
klinika

Një filozof brutal

Ju mësoj mbi pushtetin dhe dijen

29.12.2019 - 16:37

     Michel Foucault, filozofi i njohur për veprën e tij shumëdimensionale rreth proceseve të pushtetit, të kritikës së institucioneve, si dhe për rolin e tij si intelektual i angazhuar. Kur, më 1972, botimet Gallimard i kërkojnë autorit një parathënie të re, për ribotimin e veprës së tij “Historia e çmendurisë në epokën klasike”, botuar më 1961, ai jep një përgjigje të dyfishtë, madje të trefishtë: “Le të heqim njëherë parathënien e dikurshme”, – thotë ai, para se të propozojë të tekst të vockël ose më saktë, një objekt të çuditshëm tekstual, njëkohësisht kundërparathënie dhe teori e përgjithshme e parathënieve.

Foucault e quan parathënien “një akt fillestar, me të cilin nis të vendoset monarkia e autorit, një deklaratë të vërtetë tiranie”. Foucault, propozon për librin e tij dhe për çdo tekst në përgjithësi, një raport tjetër, që do të mund ta cilësonim si demokraci polemike dhe materialiste: raport i gjallë, që njeh legjitimitetin e plotë të përdorimit në kuptimin e vërtetë të fjalës (përthyerje, përtypje, shfrytëzim, rimarrje, lexim, kundërlexim, deri edhe kundër-përdorim), që e përfshin tekstin në një aventurë kolektive dhe anonime shumëfishimesh, copëzimesh, përsiatjesh, maskimesh dhe zhvendosjesh, aventura apo shtegtime, të cilat në të shkuarën dhe të ardhmen e tyre ende në pritje, janë po kaq pjesë përbërëse e tekstit.

“Do të doja pra që libri, ky objekt-ngjarje, pothuaj i perceptueshëm mes sa e sa të tjerash, të mos e paraqiste veten me statusin e ngrirë të tekstit. Fundja, herët a vonë, kritika dhe pedagogjia do ta reduktojnë atë në të tillë; por do të doja që, ndërkohë, libri vetë të kishte guximin dhe mendjelehtësinë të paraqitej si ligjërim mes ligjërimesh: njëherazi betejë dhe armë, strategji dhe përplasje, trofe dhe plagë, takim i çrregullt dhe skenë e përsëritur”.

Pra, kjo demokraci në thelb niçiane, tregon qartë pozicionimin politik të Foucault-së: as ëndërrim i magjepsur konsensualist në emër të ndonjë kushedi çfarë paqeje demokratike pasindustriale, as nostalgji e pluhurosur e ndonjë epoke të artë të sundimit të “virtyteve” aristokratike, të qeverisjes së “më të mirëve” dhe të popullit të heshtur, porse analiza e një niveli të raportit politik – atij të ekzistencës dhe ushtrimit të pushtetit (të ekzistencës së pushtetit përmes ushtrimit të tij, ushtrim përherë i kundërshtuar, i penguar, madje i kundërushtruar), si fushë e një raporti të përhershëm forcash, si terren ku ligjërimet dhe praktikat artikulohen për të prodhuar efekte nga më realet, por njëkohësisht përtej çdo lloj universaliteti dhe fataliteti. /Konica.al 

Foucault ishte ndoshta, filozofi më brutalisht i ndërgjegjshëm i pasluftës, për rëndësinë dhe përfshirjet e konceptit histori. Pothuajse të gjitha hulumtimet apo kantieret teorike të tij, të zhvilluara nën patronazhin e pandalur të Niçes, zënë rrënjë në një zonë historike. Atkiva është vendi material i punës së tij si filozof dhe vendi ontologjik i mishërimit të koncepteve të vëna në punë prej tij. Foucault, nuk ka bërë kurrë ndonjë teori të sistematizuar, të kulluar (abstrakte, jashtë kontekstit) të politikës, apo të pushtetit.

Çfarë i intereson atij, është eksperimentimi i ndikimeve politike të dijes, zhbirimi, në një situatë historike të dhënë (në një çast thyerjeje, në një moment ndryshimi) i artikulimit arbitrar të formave të dijes me forma të tjera të pushtetit. Ai nuk bën një teori pushteti, por praktikon një raport teorik me forma të caktuara pushtetesh. /Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Ja si e torturuan dhe e vranë pa mëshirë 20-vjeçaren

‘Dua një republikë demokratike si e Nolit’


U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit