MENU
klinika

"François & Cheng" - dy gjuhë, dy kultura

Koha për të folur për shpirtin dhe frymën…

06.12.2019 - 15:13

     François Cheng është një njeri shtatvogël, 89-vjeçar, njeri i brishtë dhe me një mirësjellje proverbiale, por është një mendimtar i jashtëzakonshëm. “Është koha për të folur për shpirtin dhe frymën, – thekson ai, – pasi shpirti është ajo çka më lejon të prekem, të ndjej dhe të ruaj në kujtesë eksperiencën jetësore, ndërsa fryma është e arsyeshmja”./Konica.al

Poet, romancier, eseist, përkthyes, autor monografish dhe librave të artit, akademiku François Cheng mbërriti në Paris në 1949, pas luftës sino-japoneze. Asokohe ishte veçse njëzet vjeç dhe erdhi në Francë, për të vijuar vitin e studimive akademike. Mirëpo, Kina i mbylli kufijtë dhe studenti u bë një i mërguar. Ishte i apasionuar pas gjuhës frënge, deri në atë pikë sa e bëri atë gjuhën e tij të shkrimtarit, njëherazi zgjodhi edhe emrin François. Një njeri me kulturë të dyfishtë, i rikthehet udhëtimit të tij, që e rimendon gjithnjë përmes krijimtarisë letrare, në kërkim të një fjale të së vërtetës. I njohur në ditët e sotme, si figurë kryesore në poezinë bashkëkohore, François Cheng është i pajisur me këtë zë të veçantë që “na transmeton një frymë të lashtë, të pavdekshme dhe absolutisht personale, të frymëzuar nga aventura e pasionit dhe dashurisë”, – siç shkruan poetja, Silvia Baron Supervielle.

Kur u natyralizua në vitin 1971, zgjodhi emrin “François”. “Ishte një privilegj personal”, – pranon ai. “Gjuha frënge ka farkëtuar fatin tim”,  – shprehet autori dhe shton: “Duke u martuar me frëngjishten, hyra katërcipërisht në një kulturë tjetër. Dy kultura kaq të ndryshme që jetojnë tek unë, më në fund, kanë krijuar një metamorfozë, një simbiozë”, shkruan Konica.al

Po ashtu, autori specifikon dallimin që ai bën midis shpirtit dhe frymës, dallim që bën të mundur komunikimin dhe bashkimin midis dy qenieve. Thuajse gjithë krijimtaria poetike e François Cheng është një kthim i vazhdueshëm dhe rekurs për meditim. Ai nuk mediton si budistët, ulur nën zambak. Ai mediton në këmbë, ulur diku vetëm ose në mes të turmës. Ai mendon për frymëmarrjen e tij, për frymën “fizike dhe shpirtërore” që e lidh atë me ritmin e madh të universit dhe gjallesave të tjera. Sepse për të, meditimi lejon mbi të gjitha të ndjehemi të lidhur me të gjithë njerëzit e tjerë.

I arsimuar midis Lindjes dhe Perëndimit, akademiku François Cheng lartëson misteret e bukurisë. Te ky argjendar fjalësh, poezia dhe hyjnorja mund të marrin formën e një peme, shkëmbi… Puna e tij është mishërimi i gjallë. Poezia, por edhe esetë, romanet dhe kaligrafitë, janë sizmografë të ndjeshëm të shpirtit; e tija, e ndritshme dhe e munduar, në përputhje me atë të botës. “Nëse mendja arsyeton, shpirti jehon”, – i pëlqen të përsërisë.

Duke gërmuar nëntokat, burimet e fshehura pasqyrohen kudo”, – rrëfen François Cheng për reminishencat që sipërfaqen sapo ai shikon të kaluarën e tij. Ushqyer me traditat poetike franceze dhe kineze, shkrimtari, eseisti dhe përkthyesi na mërmërit në vesh fjalë të mrekullueshme për shpirtin. E peshon çdo fjalë të tijën, ndalon një copë herë – heshtjet e tij thonë shumë. Me të, kapitalizohen termat më banale, si jeta. Dhe ai gjithmonë vendos poezi në fjalitë e tij. François Cheng është një përzierje e përulësisë së paprekur dhe erudicionit bujar. Kjo ilustrohet edhe nga suksesi i jashtëzakonshëm i veprës së tij “Nga shpirti”.

Paralelisht me karrierën akademike, François Cheng botoi libra mbi poezinë, kaligrafinë dhe estetikën kineze. Filloi të shkruante romane shumë më vonë, duke përfshirë “Përralla e Tianyi” që është vlerësuar me çmimin “Femina” në 1998, ose “Përjetësia nuk është shumë” (2002), “Kur shpirtrat endacakë rikthehen” (2012). Natyralizuar në vitin 1971, François Cheng u zgjodh në Akademinë Franceze në vitin 2002./Konica.al

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Vetëvrasja e shkrimtares

‘Fundi tragjik i Virginia Woolf’

Kuteli i gjuhës shqipe...

“E madhe është gjëma e mëkatit”