MENU
klinika

Konferenca Vjetore e Avokatit të Popullit

Koordinatori i OKB në Shqipëri flet për lirinë e medias dhe gjuhën e urrejtjes

20.12.2019 - 20:51

Koordinatori i Përhershëm i OKB në Shqipëri Brian J. Williams flet rreth ‘gjuhës së urrejtjes’ ‘lirisë së shprehjes’ dhe lirisë së mediave gjatë Konferencës Vjetore të Avokatit të Popullit me temë “ Liri pa urrejtje – Pajtimi i lirisë së shprehjes me të drejtat e tjera të njeriut’.

Shkëlqesi, President i Republikës
I Nderuar Kryetar i Parlamentit
Zonja Avokate e Popullit, Anëtarë të Trupit Diplomatik, miq,

“Holokausti nuk nisi me dhomat e gazit. Ai filloi me gjuhën e urrejtjes”. Ky është një citim nga Adama Dieng, i Dërguari Special i Sekretarit të Përgjithshëm për Parandalimin e Genocidit, i cili po punon dhe në Ballkanin Perëndimor mbi nisma që lidhen me tolerancën ndërfetare. Gjuha e urrejtjes është një shqetësim botëror.

Në majin e këtij viti, Sekretari i Përgjithshëm i OKB shkruajti, citoj: “Përreth botës, ne po shohim një ndjesi shqetësuese që merr jetë tek ksenofobia, racizmi dhe intolerance… media sociale dhe forma të tjera të komunikimit po shfrytëzohen si platforma fanatizmi… Diskutimi publik po përdoret si armë përfitimesh politike dhe retorika zjarrvënëse që stigmatizon dhe çnjerëzon pakicat, migrantët, gratë dhe të ashtuquajturin “tjetrin”.

Sekretari i Përgjithshëm vazhdoi: “Ky nuk është një fenomen i izoluar ose i zërave të lartë të një pakice njerëzish në skajet e shoqërisë. Urrejtja po zhvendoset përgjatë rrjedhës – njësoj si në demokracitë liberale dhe në sistemet autoritariane.”

Sekretari i Përgjithshëm u kërkoi këshilltarëve të tij të lartë, të zhvillojnë një strategji kundër gjuhës së urrejtjes që të jete e përshtatshme kudo, përfshirë Shqipërinë.

Në mënyrë interesante, fjalët e para të strategjisë, përcaktojnë se nuk ka një përcaktim ligjor ndërkombëtar për gjuhën e urrejtjes. Gjuha e urrejtjes është diçka e ngatërruar – vija midis lirisë së fjalës dhe gjuhës së urrejtjes është vërtet shumë e hollë, dhe do t’i rikthehem pak më vonë.
Nga strategjia botërore e OKB-së për gjuhën e urrejtjes, unë po marr dy pika kryesore:

• E para është se kur dikush është në shënjestër për arsye të anëtarësimit në grupin të cilit i përket, e jo për shkak të një mendimi individual, atëherë kjo është një alarm i madh i kuq të cilit ne të gjithë duhet t’i kushtojmë vëmendje, sepse shkaku mund të jetë gjuha e urrejtjes

• E dyta që dua të marr nga kjo strategji është nxitja e veçantë e dhunës, nxitja që çon drejt diskriminimit i cili është thellësisht e rrezikshme.

Këtu në Shqipëri, më herët këtë vjeshtë, pati një sulm të dhunshëm dhe të egër ndaj një individi transgjinor. Nuk ka dyshim në mendjen time se përdorimi dominues i gjuhës diskriminuese, poshtëruese kundër komunitetit LGBT në Shqipëri, ka ndikuar në krijimin e një mjedisi që lejon të ndodhë një akt të tmerrshëm si ky. Përtej të qenit një shembull i gjuhës së urrejtjes, po e shfrytëzoj këtë mundësi për të shprehur se ne i bëjmë thirrje autoriteteve të sigurojnë që do të kryhet një hetim i hollësishëm për këtë incident të veçantë dhe se keqbërësit e këtij veprimi anti-demokratik, thënë thjesht anti-njerëzor, të vihen përpara drejtësisë.

Ose lë të flasim për një dukuri tjetër që ekziston tepër shumë në Shqipëri, dhuna ndaj grave. Gjuha e urrejtjes kundër grave është dhunë kundër grave. Gjuha e urrejtjes dëmton direkt gratë në shënjestër, si duke shkaktuar dëmtim psikologjik, ndoshta duke kufizuar mundësitë e tyre, apo duke krijuar një ndjenjë auto-censure për veprim, gjë që është kaq shkurajuese. Dhe gjuha e urrejtjes krijon një mjedis ku mund të ndodhë dhunë reale.

Në Shqipëri ne kemi të dhëna të pamjaftueshme për gjuhën e dhunës drejtuar grave. Ne dëshirojmë të shohim se Qeveria, zyra e Avokatit të Popullit, shoqëria civile dhe të tjerët të kryejnë më shumë kërkime.
Kjo është veçanërisht e vërtetë në rastin e medias sociale dhe abuzimit online. Është kryer vlerësimi se tashmë 23 për qind e grave kanë raportuar se kanë përjetuar dhunë online të paktën një herë gjatë jetës së tyre.
Ne e dimë nga vende të tjera se gratë në politikë, gratë figurat publike dhe gratë gazetare janë veçanërisht të prekura nga gjuha e urrejtjes. Nëse lihet pa trajtuar, gjuha e urrejtjes mund të bëhet një faktor parandalues serioz për pjesëmarrjen kuptimplotë të grave në jetën publike.
Ndërkohë që përparimi i vërtetë kundër gjuhës së urrejtjes – si gjithë ndryshimet kulturore – kërkon një përfshirje mbarëshoqërore, ende ka hapa ligjore specifike që mund të merren në Shqipëri. Për shembull, Kodi Penal përfshin nxitje të urrejtjes ose konfliktit si një kundravajtje penale e kryer mbi bazën e racës, etnisë, fesë ose prirjes seksuale, por jo – çuditërisht – gjinisë.
Duke marrë shkas nga gjinia, më lejoni të them disa fjalë për fëmijët, familjet dhe arsimin. Diskriminimi, urrejtja dhe dhuna janë të gjitha sjellje të mësuara, të cilat shpesh mbillen edhe në mendjet më të reja. Nëse fëmijët mësojnë të lidhin ndryshimin me privilegje për disa ose kufizime për të tjerët, me dominim dhe nënshtrim, me të drejtën për të qenë ose jo në këtë botë – atëherë demokracia është në rrezik.
Prandaj arsimimi është zgjidhja. OKB mbështet investimin në arsimin përfshirës që nga moshat më të vogla të mundshme. Të përfshish por edhe të shkosh përtej klasave fillore, drejtësisë rehabilituese për fëmijët nevojitet të zgjerohet; prindërit duhet të përfshihen, veçanërisht ata në komunitetet vulnerabël.
Siguria online, e diskutuar në kontekstin e grave, është po aq e rëndësishme për fëmijët.
Shqetësimi për lirinë e shprehjes – është ana tjetër e saj.
Nëse përpjekjet për të parandaluar gjuhën e urrejtjes rezultojnë në ngushtimin e së drejtës së lirisë së shprehjes, atëherë shoqëritë tona do të përfundojnë të jenë më pak demokratike dhe jo më shumë.
Trajtimi i gjuhës së urrejtjes nuk nënkupton kufizimin ose ndalimin e lirisë së fjalës. Do të thotë të parandaloni që opinionet të përshkallëzohen në diçka më të rrezikshme, veçanërisht nxitje ndaj diskriminimit, armiqësisë dhe dhunës ndaj individëve për shkak të grupit të cilit i përkasin.
Lidhur me lirinë e mediave dhe legjislacionin e fundit, më lejoni të konfirmoj se Kombet e Bashkuara, siç është shprehur nga Zyra e Komisionit të Lartë për të Drejtat e Njeriut në Gjenevë dhe siç u paraqit në parlament disa javë më parë, pajtohen me të njëjtat shqetësime që janë shprehur nga organizma të tjerë ndërkombëtarë për të drejtat e njeriut. Këtu ka tre parime kryesore: vetë-rregullimi është më i miri; dënimi duhet të jetë proporcional; dhe gjykimet duhet të merren nga gjykatat e pavarura – pikërisht për shkak të këtij ekuilibri delikat midis lirisë së shprehjes dhe shqetësimeve të gjuhës së urrejtjes.
Kombet e Bashkuara besojnë se kërkohet një përpjekje shumëpalëshe për të parandaluar gjuhën e urrejtjes dhe për të nxitur një kulturë demokratike të një politike dhe debati të fuqishëm dhe të thellë, i cili megjithatë mbetet respektues dhe demokratik.

Përpjekjet duhet të përfshijnë ndërtimin e kapaciteteve të institucioneve të pavarura për të drejtat e njeriut si Avokati i Popullit Shqiptar, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, dhe gjithashtu më lejoni të shtoj INSTAT i cili është gjithashtu një nga këto institucione. Këto institucione kërkojnë fonde të mjaftueshme dhe rekomandimet e tyre duhet të diskutohen në parlament dhe të ndërmerren veprime nga Qeveria.
Përpjekjet duhet të përfshijnë krijimin e një hapësire domethënëse për funksionimin e shoqërisë civile, injektimin e fakteve dhe analizat në debatin publik.

Sigurisht, media duhet të përfshihet thellësisht, dhe unë jam i kënaqur që Komisioneri i Lartë për të Drejtat e Njeriut dhe UNDP ka një program të quajtur të Lirë dhe të Barabartë, i cili ka të bëjë me punën me komunitetin LGBT.
Familja e agjencive të Kombeve të Bashkuara ka kënaqësinë të punojë me Qeverinë dhe partnerët e tjerë, për shembull me UNHCR për refugjatët, Organizatën Ndërkombëtare për Migracionin për çështjet e migrantëve, UNDP për çështjet LGBT, UNICEF për të drejtat e fëmijëve, UN Women dhe UNFPA për të drejtat e grave dhe parandalimin e dhunës ndaj grave, dhe shumë më tepër.
Së bashku – me guxim, me një gatishmëri për të folur, me udhëheqje politike dhe me investime të burimeve reale – mund të sjellim një ndryshim.