MENU
klinika

Nga Project Syndicate

Ku gaboi Macron?

06.12.2019 - 16:54

Kush në Evropë sot ka një vizion strategjik të botës që merr parasysh ndryshimet rrënjësore në rendin global?  Vetëm një emër vjen në mendje: Presidenti Francez Emmanuel Macron. Megjithatë, me guximin e tij, Macron duhet të jetë i kujdesshëm që të mos distancohet nga aleatët evropianë të Francës.

Disa, kryesisht në Francë, e lavdërojnë Macron, ndërsa shumë në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara e kritikojnë atë.

Por mbështetësit dhe kritikët duket se shohin një lloj vazhdimësie të politikës së jashtme dhe mendimeve të ish-presidentit francez Charles de Gaulle.

Nëse Gaullizmi nënkupton realizëm, atëherë krahasimi është i justifikuar. Por nëse i referohet përpjekjes së Francës për tu distancuar nga SHBA dhe projektit të integrimit evropian në mënyrë që të rimarrë një farë pavarësie dhe sovraniteti, atëherë Macron nuk është gaullist.

Macron dëshiron të paralajmërojë evropianët ndaj rrezikut nga Amerika me pamje të brendshme. Dhe përfundimi që evropianët duhet të nxjerrin nga paralajmërimet e Macron është se Evropa mund të mbështetet vetëm tek vetja.

Kjo do të thotë që Bashkimi Evropian duhet të përmirësohet, dhe në të njëjtën kohë të ndalojë zgjerimin e mëtejshëm.

Të ballafaquar me një ndryshim kaq radikal gjeopolitik, me rritjen e Kinës, nëse liderët evropianë duan të dëgjohen, ata duhet të flasin qartë dhe me zë të lartë, madje edhe me rrezikun se mund të keqkuptohen.

Në këtë drejtim, kritika e fundit e Macron për NATO-n, nuk ishte as e pasaktë dhe as e tepërt. Ishte thjesht një  përballje e trishtë me realitetin.

Megjithatë, në diplomaci, stili ka rëndësi, mbase më shumë sesa në çdo fushë tjetër. Jo të gjitha të vërtetat janë të mirëpritura. Macron nuk duhet ta kishte tradhtuar NATO-n, edhe sikur të kishte të drejtë, ndërkohë që përpiqet të rregullojë marrëdhëniet me Rusinë.

Franca nuk e ka zgjedhur Rusinë, para SHBA-së, dhe Macron duhet të ndryshojë përshtypjen që ka lënë.

Duke e sulmuar NATO-n në mënyrë kaq brutale, prandaj, Macron mund t’i bëjë dëm vetes.

Një mik gjerman që shërbeu më parë në qeverinë e Kancelares Angela Merkel, kohët e fundit më tha me mirëbesim të plotë se Merkel po acarohej me Macron. Në fakt, ajo pothuajse kishte nisur të ndjente nostalgji për paraardhësin e Macron, François Hollande.

Edhe pse Merkel mund të ketë nostalgji për kohën kur Franca kishte një president të dobët dhe Gjermania një kancelar të fortë, e kundërta duket se është sot. Macron është i irrituar jo vetëm nga paparashikueshmëria e Trump, por edhe nga parashikueshmëria, apo edhe pasiviteti, i Merkel.

Në një botë me pak ose aspak udhëheqës strategjik, vizioni koherent i Macron është i mirëpritur. Por do të mbetet i tillë vetëm nëse nuk ndikohet nga temperamenti i tij. Duke fyer NATO-n, ai rrezikon të “braktiset” nga qeveritë në Bruksel, Berlin, Varshavë dhe Londër që tradicionalisht kanë qenë mbrojtës të ashpër të aleancës.

Megjithëse Macron ka një vizion ideal për atë që Evropa duhet të bëhet, një fuqi e përgjegjshme, sovrane dhe autonome, ai nuk duhet të nxisë ose të përshpejtojë shkatërrimin e NATO-s, e as të thellojë përçarjet midis evropianëve.

Dominique Moisi është një këshilltar special në Institut Montaigne në Paris. Ai është autori i La Géopolitique des Séries ou le triomphe de la peur.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Stoltenberg tregon përpjekjet e aleancës

“NATO përgatitet t’u përgjigjet sfidave të reja”

Tensione të brendshme, rreziqe të jashtme

70 vjet NATO! A ka arsye për të festuar?