MENU
klinika

Nga Salih Mehmeti

Kur Pollogu i këndonte Skënderbeut

24.12.2019 - 07:10

Kujtesa popullore për Skënderbeun është ruajtur edhe në Maqedoni. Ashtu si gjetkë, edhe këtu traditat kujtesore janë përcjellur gojarisht dhe pa ndërhyrjen apo nxitjen e institucioneve arsimore apo fetare.

Përkundrazi, mungesa e tyre ka diktuar që këngët të barteshin nga brezi në brez, nga goja në gojë, duke ruajtur vlerësimin më të madh të së kaluarës para-otomane, shkruan Konica.al.

Duke shfletuar librin e Ibrahim Krosit ‘Shqiptarët e Maqedonisë’ gjejmë edhe një këngë interesante për heroin tonë kombëtar.

Ajo është një reminishencë e këngëve të ngjashme, që dëshmojnë ruajtjen e kujtimit të Skënderbeut dhe epokës së tij edhe në fshatrat e grykës së Dervenit (hapësira malore mes Shkupit dhe Tetovës).

E regjistruar për herë të parë në vitin 1958, kënga evokon kthimin e Skënderbeut në Krujë, i cili përshkoi me bashkëluftëtarët e tij edhe grykën e Dervenit.

Në kujtimin popullor, ai u ndal për të pushuar ‘te Dullenja’ në fshatin Dëbërcë të Tetovës. Nën hijën e dëllinjave, rapsodi i panjohur popullor rindërton një bisedë të gjallë:

Te Dulleja shumë dervenas ishin kon,
Çeta e Skënderbeut kishte mbroj;
Urdhno burrë çfar’ t’ka çit në këtë anë?
Unë bre burra s’jam i huj,
Po due me shkue deri në Krujë;
N’Krujë te prindët e mij
Dhe këta osmanët, besa, me i fshij.

Shqiptarët e Dervenit, të entuziasmuar, do të besatoheshin se do të ndjeknin hap pas hapi Skënderbeun në luftën kundërosmane:

Hajt he burrë se na ke mbrapa,
Me osmanlijtë do luftojmë hapa-hapa;
Bashkë në luftë kemi me shkue,
Pasha zotin kemi me fitue;
Besën e kanë dhanë burrat e Dervenisë.

Rapsodi popullor me forcën e verbit poetik përshkruan edhe momentet e kthimit të Skënderbeut në Krujë:

Burrat e Shkupit, burrat e Tetovës
Shpejt do t’mbërrijnë n’kullat e Shkodrës;
N’kullat e Shkodrës, n’kullat e Durrsit,
Atje do të njihen burrat e Shkupit.

Kjo këngë popullore është regjistruar nga treguesja Adile Sulejmani nga fshati Bojanë. Vargjet e kësaj kënge janë kënduar edhe nga rapsodë popullorë si Nazmi Rrahmani nga Llaskarca e Shkupit, Rushit Dëbërca nga Dëbërca dhe Isen Fejzullahu nga Bojana. /konica.al/

© Salih Mehmeti | Konica.al