Nuk u aktivizua në dy ndeshjet më të rëndësishme të Kosovës për shkak të një dëmtimi, por me t’u rikuperuar, Vedat Muriqi nuk mund të qëndrojë larg zakonit të tij, atë të shënuarit gola.
Sulmuesi duket se ka hedhur pas krahëve përfundimisht dëmtimin dhe tashmë është rikthyer protagonist me Fenerbahcen. 25-vjeçari ishte autori i golit të tretë në suksesin 4-0 të skuadrës së tij në raundin e 1/16 në Kupën e Turqisë, përballë Instabulspor.
Muriqi e nisi ndeshjen nga fillimi, ndërsa gjeti rrugën e rrjetës në minutën e 71-të, teksa në zonë nuk fali dhe me një goditje diagonale e depozitoi sferën në fundin e rrjetës.
Ky ishte goli i tetë sezonal me ngjyrat e Fenerbahçes teksa shtatë i ka realizuar në kampionat, aty ku i duhet të udhëheqë skuadrën drejt vendeve të larta të renditjes. Sakaq, Muriqi ishte autor edhe i një asisti në këtë ndeshje.