Nën përkthimin mbreslënës të Romeo Çollakut, një ndër librat që ka marrë çmimin evropian të letërsisë ka ardhur edhe në gjuhën tonë. Titulli është “Dashmitar kam Zotin” dhe autor është greku Makis Citas.
Një njeri që vetërrënohet e për çdo fatkeqësi akuzon gjithnjë veç të tjerët (kurrë veten pasi ai është i pafaj), në një monolog qesharak na jepet si antiheroi shembullor me tipare të thella të nënvetdijes që çdo njeri ka frikë të pranojë. Me një fe shumë të fortë çka e bën të jetë emocional dhe, herë pas here edhe naiv, (anti)heroi e mendon veten gjithnjë si pre e njerëzve të ligj.
Për të, të gjithë ata që nuk e ndihmojnë janë njerëz të ligj. E të gjithë ata që janë të punësuar, në fund të fundit nuk po e ndihmojnë, pasi kanë një punë që mund ta kishte vetë ai.
Të tillë, në periudhën pas viteve ’90 janë edhe shqiptarët të cilët, duke braktisur masivisht atdheun që s’kishte çfarë t’ju jepte u vendosën në shtetet fqinje e sidomos në Greqi e Itali. Ata punonin, por nuk kërkonin paga të larta, pasi më e ulëta pagë greke ishte më e larta shqiptare. Kjo ishte një ndër arsyet përse ata, si të gjithë emigrantët e tjerë, u punësuan “me të shpejtë”.
Për të papunët grek, të punësuarit shqiptar ishin, e druaj vazhdojnë të jenë, halë në sy.