Kufiri shqiptar ishte bërë prej vitesh arenë e provokacioneve të shkaktuar nga shtetet fqinje, për qëllimet e tyre agresive apo pretendimet territoriale ndaj Shqipërisë. Viti 1949 është “i veçantë”.
Vetëm gjatë këtij viti në kufijtë shqiptare u bënë gjithsej 747 provokacione të llojeve të ndryshme (tokësore, ajrore e detare), nga të cilët 612 në kufirin me Greqinë (303 tokësore, 299 ajrore e 10 detare); 130 në kufirin me Jugosllavinë (57 tokësore, 69 ajrore e 4 detare) dhe 5 (ajrore) në sektorët bregdetare me Italinë.
Të gjitha këto provokacione u paraprinë edhe nga një propogandë e shfrenuar që bënin vendet fqinje kundër Shqipërisë, veçanërisht në sektorët e Jugut.
Ata jo vetëm hidhnin në territorin shqiptar libra, broshura e gazeta me thirrje kundër pushtetit popullor në Shqipëri, por arritën deri atje sa të fabrikonin dhe përhapnin trillime, sipas të cilave rreth kufirit shqiptar ishin krijuar baza, prej nga ku furnizoheshin partizanët greke në luftën kundër andarteve (forcave të ushtrisë demokratike greke).
Robërit grekë të kapur nga Forcat e Kufirit Shqiptar, pohonin gjithashtu edhe përgatitjen psikologjike që u bëhej ushtarëve grekë për një sulm të afërt ndaj Shqipërisë.
“Jemi udhëzuar vazhdimisht nga komandat tona eprore të bëjmë propogandë shoviniste te ushtarët për të ngjallur ndër ta urrejtje kundër Qeverisë e popullit shqiptar, duke u thënë se neve na takon Shqipëria e Jugut, pasi është greke, se Qeveria Shqiptare i shtyp vorioepiriotet dhe i shfaros ata, se Shqipëria ndihmon komunistët banditë dhe kërcënon pavarësinë e Greqisë.
Na kanë udhëzuar të bëjmë edhe goditje me armë në kufi kundër rojeve shqiptare, duke u futur edhe në tokën e tyre. Na kanë thënë vazhdimisht se ushtrinë tonë duhet ta kemi gati, me urrejtje kundër Shqipërisë dhe, kur të jetë rasti, të sulmojmë tokën shqiptare, që të shfarosim komunistët dhe të marrim Vorioepirin” , deklaroi, para organeve shqiptare oficeri grek Skuros Dhimitris, i kapur rob nga kufitarët shqiptarë, mes luftimesh të ashpra ku kishte hyrë mbi 300 metra në territorin shqiptar.
Dhe më në fund këto synime i afirmon qartë në deklaratën e tij të 3 gushtit 1949 gjenerali Papagos, ish ministër i Mbrojtjes i Greqisë ku thotë se: “Andartet, (e ka fjalën për forcat e ushtrisë demokratike greke) u dërrmuan në Thesali, Rumeli dhe përgjithësisht në thellësi të Greqisë. Gramozi dhe Vici mbarojnë brenda gushtit. Pastaj do t`i biem Shqipërisë”.
Përgatitja për një agresion kundër RPSH të kurdisur me anë të një provokacioni të gjerë nëpërmjet Greqisë, u shoqërua edhe me aktivizimin e qendrave të diversionit dhe spiunazhit të vendeve fqinje me Shqipërinë, për të dërguar prej andej emisarë e banda “… me qëllim që të organizonin lëvizje të “armiqve” të brendshëm, të cilët, në kombinim me provokacionet në kufi do të shërbenin si shkak për ndërhyrjen e armatosur të fuqive imperialiste.
“Një ditë më 10. 07. 1949 në lartësitë e Pirgasit, deklaronte një ushtar tjeter grek Sterios Kostandinos, i zënë rob nga rojet kufitare shqiptare, më thirri komandanti i komapanise togeri Hundas Anastasios, i cili më tha se duhet të vazhdojmë propogandën ndër ushtarët tanë sipas urdhrit që kemi patur kundër demokracisë së Shqipërisë.
Në bazë të fjalëve të komandantit, togerit Hundas, i cili kishte biseduar edhe me komandantin e batalionit, ky urdhër kish për qëllim që të krijohej një situatë pasigurie në kufirin greko-shqiptar dhe bashkë me këtë, për të shkaktuar ndërhyrjen e anglo-amerikanëve, gjoja për të rregulluar qetësinë”.
Provokacionet greke në kufirin me Shqipërinë arritën kulmin e tyre më datë 2 gusht 1949, kur forcat e tyre ushtarake organizuan dhe kryen sulmin e armatosur kundër rojeve kufitare shqiptare në sektorin e Devollit, duke shkelur kështu edhe integritetin territorial të RPSH.
“Veprime të tilla na kujtojnë metodat e nazistëve gjermanë dhe të fashistëve që krijojnë incidente në kufijtë me fqinjet e tyre me qëllim presioni e kërcënimi, për të krijuar pasiguri e armiqësi në mes të popujve ose për t`u hapur rrugë veprimeve më të gjera agresive”, shkruante, ndër të tjera në kryeartikull gazeta “Zëri i Popullit” në atë kohë, duke u prononcuar forcërisht për ngjarjet e 2 gushtit në kufirin shqiptaro-grek.
Por si filloi dhe si u realizua ky sulm. Në mëngjezin e 2 gushtit 1949, në orën 04.30, në zonën e Bozhigradit (Mirasit) filloi përgatitja me artileri e forcave ushtarake greke të dislokuara përgjatë kufirit me Shqipërinë.
Predhat ranë deri 300-400 m në thellësi të territorit shqiptar. Në orën 05.00 filloi sulmi i fanterise greke me 3 batalione të Br.51F dhe Br.52F të D1F të mbështetur nga një Regjiment Artilerie dhe një skuadrilje aeroplanesh gjuajtës të tipit “Spitfiter”, me bazë në aerodromin e Kastorias.
Ata sulmuan kuotat 1309 dhe 1425 që ndodheshin 100 m në thellësi të territorit shqiptar, në sektorin e postës kufitare Vidohovë-Bilisht. Sulmi i tyre u ndesh në mbrojtjen e rojeve të kufirit shqiptar, të cilat nuk ishin më shumë se një togë.
Pra, kaq ishte efektivi i postës kufitare Vidohovë, i armatosur kryesisht me pushkë e automatik si dhe me 3 mitralozë të rëndë e 4 të lehtë. Lufta vazhdoi e ashpër për 7 orë rresht. Sidomos në kuotën 1309 nuk shihej tjetër gjë, veç tym e flakë.
Por rojet e kufirit shqiptar nuk u zbrapsën. “Unë s`tërhiqem prej këtej, se këtu është shtëpia ime dhe atdheu im”, thërriste njëri nga ushtarët, i quajtur Mustafa Gjini, qysh në fillim të këtij sulmi, duke ju dhënë kurajo të jashtëzakonshme shokëve të cilët ndodheshin në momente tepër kritike për jetën. “Hajdeni, hajdeni, se këtu do ta lini rrashtën!”, ju drejtohej ushtarëve grekë që i kishte përballë, kufitar Tafil Ferhati. Edhe pse ndaj tij në këto momente u vërsul një skuadër e tërë ushtarësh grekë për ta mposhtur, ai nuk u tërhoq, por qëndroi në vend duke luftuar, ku vrau 4 prej tyre, deri sa u vra dhe vet.
Në kuotën 1309 (rajoni i piramides kufitare I-55), një grup kufitarësh shqiptarë prej 3 vetësh, me një mitraloz të rëndë, bënë kërdinë mbi armiqtë që sulmonin, derisa një predhë artilerie e forcave greke u ra në pozicionin e tyre, u nxori jashtë përdorimit mitralozin dhe plagosi dy prej tyre. Kapter Zylgani Vidohova, efektiv i postës kufitare Vidohovë vrau gjashtë ushtarë grekë dhe u mori atyre flamurin. Një grupi tjetër kufitarësh megjithse ju mbaruan municionet e armëve ata vazhdonin përsëri të qëndronin e të luftonin në pozicionet e tyre, vetëm me bomba dore.
Por, forcat ushtarake greke sulmonin gjithmonë me forca më të mëdha. Aty nga dreka ato arritën të marrin kuotën 1309. Mirëpo nuk kaluan veçse disa orë dhe Forcat Kufitare Shqiptare të mbështetura edhe nga repartet e ushtrisë që mbritën në këtë rajon në orët e mbasditës, pas një përgatitje me artileri, rreth orës 18.00 filluan kundërsulmin dhe i detyruan trupat ushtarake greke të tërhiqen me dështim të plotë. Në këtë mënyrë afër mbrëmjes gjendja në kufi ishte normalizuar dhe agresorët ishin larguar përtej piramidave kufitare.
Në këtë situatë kaq të ndezur luftarake për mbrojtjen e kufirit shtetëror shqiptar dhanë jetën Kapiten Memo Nexhipi nga Dukaj i Tepelenës, Aspirant Ferid Bregasi nga Vendresha e Skraparit, ushtar Tafil Ferhati nga Marjani i Oparit, ushtar Shyqyri Avdia nga Skrapari, ushtar Ibrahim Fetahu nga Lushnja dhe ushtar Hasan Ramadani nga Shijaku, ndërkohë u plagosën dhe gjashtë të tjerë.
Sipas komunikatës së datës 3 gusht 1949 botuar në shtypin e ditës, trupat ushtarake greke atë ditë patën rreth 100 të vrarë e të plagosur, si dhe tre robër të kapur nga forcat kufitare shqiptare, dy nga të cilët të plagosur. Në duart e kufitarëve shqiptarë mbetën edhe armatime të llojeve të ndryshme, ndër të cilët 6 mitraloza angleze, 5 copë automatik amerikanë, granatahedhës të tipit anglez shumë municione të tipit amerikan.
Nënkol.Jorgo Qirici
Revista Ushtarake