MENU
klinika

Deri në zgjedhjet e parakohshme

M. e Veriut/ Oliver Spasovski, kryeministër teknik i vendit

28.12.2019 - 17:09

Ministri aktual i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, do të jetë kryeministër teknik i Maqedonisë së Veriut, nga data 3 janar, kur nga detyra e kreut të qeverisë pritet të dorëhiqet, Zoran Zaev.

Kjo u bë e ditur pas mbledhjes së të premtes në mbrëmje ku u caktuan edhe anëtarët e tjerë të kësaj partie në qeverinë teknike.

“Dëshira ime është që sa më shkurt të jem në këtë pozitë që të kthehet sërish kryetari Zoran Zaev”, ka shkruar Spasovski në rrjetin social Facebook.

Spasovski në krye të qeverisë do të jetë deri në përfundimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 12 prill të vitit 2020. Formimi i qeverisë teknike 100 ditë para zgjedhjeve parashihet me Ligjin për qeverinë ndërsa në të merr pjesë edhe opozita me dy ministra, atë për punë të brendshme dhe Ministrinë për Punë dhe Politikë Sociale si dhe do të ketë katër poste të zëvendësministrave.

Ministrat dhe Zëvendësministrat punojnë si parimit të njohur “me firma të lidhura”, që do të thotë se asnjë vendim nuk mund të kalojë pa nënshkrimet e dy zyrtarëve, shkruan Rel.

VMRO DPMNE-ja ende nuk ka caktuar anëtarët e saj në këtë qeverie e cila detyrë parësore do të ketë organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Për të shtunën pasdite është paraparë të mbahet një takim i liderëve të LSDM-së, VMRO-s dhe BDI-së, Zoran Zaev, Hristijan Mickovski dhe Ali Ahmeti për të diskutuar për modalitetet tjera të qeverisë.

Zgjedhja e kryeministrit të ri pritet të bëhet më 3 janar, ditën kur edhe Zoran Zaev do të jep dorëheqjen.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare ishin paralajmëruar nga kryeministri Zoran Zaev menjëherë pas samitit të BE-së në tetor kur Maqedonia e Veriut nuk arritur të merr datën e bisedimeve të anëtarësimit me Bashkimin Evropian.