Koha rrjedh njësoj sekondë pas sekonde nëpër shekuj e mileniume. Jemi ne, perceptimi dhe perjetimet tona, që i japim ritëm. Një sekondë është vetem një çast fluturak, por një sekondë kur toka lëkundet nën këmbët e tua dhe dhoma të ngjan si kaike në furtunë, përjetohet gjatë, gati-gati si përjetësi e mbushur me frikë e drithërima.
Edhe çastet pas tërmetit mbushur me fatkeqësi e rënkime që vijnë nga poshtë gërmadhave krijojnë një perceptim tjetër për kohën. Pasojnë ditë që, për nga intesiteti i informacionit dhe i përjetimeve, ngjajnë muaj.
Nga ana tjetër intesiteti i përjetimeve bën të të ngjajë sikur çdo gjë lëkundet e thërmohet në çast. Nuk ke kohë të përqendrohesh e të tjerrësh gjatë. Gjithçka vjen e copëzuar si pjesët e një mozaiku. Të copëzuara janë edhe shënimet qe vijojnë.
2.
28 Nëntor 2019, ditë feste e përzishme.Dhimbja për dhjetra vetë (këtë mëngjes arriten 40), që dhanë frymën e fundit nën gërmadhat e tërmetit, sot vjen e bëhet më e thekshme. Mbase ngaqë jep e merr me gezimin dhe festimet e munguara.
Dhimbja dhe zija janë legjitime, megjithatë janë fare pak dhe s’mund ta zbusin boshllëkun që lë humbja.
E tha dhe poeti, vdes njeriu dhe ne flasim për të si për një gjë të shtrenjtë e të njohur. Por a e njihnim vërtetë, a e dimë si ndihej kur fshinte lotët e dhimbjes a puthte për herë të pare?
Nuk vdes njeriu, shton poeti, vdesin botët brenda tij, botë që s’kemi për t’i njohur kurrë.
Parë kështu çdo vdekje lë boshllëk që vështirë se mbushet.
Zija është njerëzore dhe ka vendin e vet, por bëhet më e çmuar kur na orienton nga jeta dhe na shtyn të hapim sytë e të shohim varfërinë dhe hallet e tjetrit. Jo kur ikën, por sa është gjallë dhe ka nevojë për kujdes e dashuri, për shtet e drejtësi.
3.
Ardhja e specialitëve për të nxjerrë të mbeturit nën gërmadha ka ngjallur admirim e shpresë, por edhe diskutime. Vijnë nga Kosova e Serbia, nga Mali i Zi e Turqia, nga Italia, Franca e Rumania, nga Kroacia, Zvicra, Greqia dhe vende të tjera.
Shquajnë për humanizëm, kujdes e profesionalizëm, por janë edhe të mirëpaisur. Këtu merr shkas edhe diskutimi i parë. Pse ekipet tona të shpëtimit, po aq të gatshme dhe ato për të ndihmuar duke rrezikuar edhe jeten e tyre, nuk kanë as paisjet dhe as përvojen e ekipeve të tjera, duke filluar nga vëllezërit kosovarë e duke shkuar te italianët, turqit e francezët?
Politikanët dhe menaxherët tanë nuk e vrasin fort mendjen për nesër, për rreziqe e fatkeqësi që mund të na pllakosin, shohin vetëm sot për sot, thotë njera palë.
Kompleksi i Rozafës na ndjek si nëmë, thotë pala tjetër, ndaj institucionet i kemi prish e ndreq. S’kujdesemi as për vazhdimësi, as për përvojë e paisje. Mentaliteti tribal dhe korrupsioni na shtyjnë të punësojmë e të çpunësojmë dhe t’ia nisim gati nga e para sa herë ndërron qeverisja. Klima kap ç’të kapësh nuk rrit specialistë e institucione, por militantë dhe tarafe.
Tërmeti shuan armiqësitë, bën bashkë kosovarët dhe serbët, turqit dhe grekët, njoftojnë disa media. Kjo është puna jonë, përgjigjet një specialist serb, bëhemi bashkë në fatkeqsi pavarësisht kombsisë dhe kufijve dhe këtë e bëjme që të ndihmojmë të rrezikuarit, por edhe që të grumbullojmë përvojë e njohuri. Ndryshe do dëmtonim veten.
Dhe ka të drejtë. Do të dilnim më të fituar në se në ligjërimet tona për kombet e patriotizmin do të kishte më pak ndasi e urrejtje dhe më shumë përpjekje për afri e integrime. Urrejtjet vijnë nga e shkuara, afria dhe integrimet shtrojnë rrugën drejt të nesërmes. Kush ecën me vështrimin para synon progresin, ata që e mbajnë kokën pas jo vetëm që ecin më ngadalë, por edhe rrezikojnë të thyejnë qafën.
4.
Ka dhenë dorëheqjen kryebashkiakja e Durrësit. Është akt reflektimi e pendese ngaqë, në një prononcim publik deklaroi se ishte e kënaqur që tërmeti shkaktoi vetëm 51 viktima. Vetëkuptohet që kemi të bëjmë me një lapsus.
E kam thënë në kushte stresi që i tejkalon forcat e mia, shkruan kryebashkiakja dhe ka të drejtë. E folura në publik, por ca më shumë menaxhimi i emergjencave kërkojnë njerëz me përvojë e njohuri.
Ky akt i kryebashkiakes nxjerr më në pah një pyetje përvëluese: nëse ajo për një fjalë goje jep dorëheqjen, ç’duhet të bëjnë biznesmenët që ndërtuan pallate jashtë çdo standarti, mbushën xhepat me para dhe tani bëjnë sehir sikur të ishin duarjashtë?
Dhe më britshëm akoma: ç’duhet të bëjnë pushtetarët e administratorët që dhanë leje ndertimi a legalizuan jashtë çdo kriteri dhe mbyllën sytë për standarde e për siguri, disa të shtyrë nga dallkaukllëku dhe disa nga babëzia?
Mos vallë edhe ndërtuesit shkel e shko, edhe administratorët barkderra duhet të gëzojnë paret e bëra me allishverishe që na kushtojnë jetë, gjak e mund?
Kjo s’është nxitje për hakmarrje e shpagim, por thirrje për drejtësi e për t’i dhënë fund historisë që na ndan në dy grupe: lart një pakicë barkdreqërish dhe poshtë turma fatkeqësh.
5.
Marin Mema dhe fondacioni “Rrënjët shqiptare”, me president Marko Kepin, kanë mbledhur 2.1 milionë usd donacione për të ndihmuar të dëmtuarit nga tërmeti. Arbër Hajdari dhe fondacioni “Fundjavë ndryshe” 1.4 milionë usd, kurse imami Elvis Naçi 558 mijë usd.
Shumat dëshmojnë se këto personalitete të jetës publike kanë bërë për vete mijëra e mijëra njerëz, kanë fituar besimin e tyre, natyrisht me punë të frytshme dhe përkushtim të përditshëm.
Po sikur të dilnin politikanë dhe gjithologë, nga ata që na kanë mbirë nëpër ekranet e televizorëve, dhe t’i drejtoheshin publikut, sa fonde do të mblidhnin?
Mbase po vjen koha për ‘tërmet’ edhe mes figurash publike. Krahas ndërtimesh kallp kemi edhe shumë profetë podiumesh dhe ekranesh. Fatkeqsisht të rremë.
6.
‘ Moti është gri,/ shpirti është gri,/ gri edhe kënga./ Era pa erë,/ buka pa bukë,/ pa zemër zemra.’
Këto vargje të Xhevahir Spahiut më vijnë në mend kur shoh se ka gdhirë një ditë e mardhur. Kodra përballë ngjan si e nxjerrë nga peisazhi i një piktori mediokër, nga ata që nuk dinë të operojnë me dritën.
Mes kësaj atmosfere të mardhur e gri sjell ndër mend qindra familje me fëmijë, pleq e të sëmurë që e kanë kaluar natën në çadra mes të ftohtit dhe dhimbjes.
Dhe përfytyroj se të ftohtit fizik s’është gjë krahasuar me acarin që u kërcënon shpirtin. Pa pritur e pakujtuar kanë parë t’u shemben shtëpitë. Mundi i një jete të tërë është bërë gërmadhë brenda pak çastesh.
Vargu ‘Pa zemër zemra’ më ringjall pështirosjen që kam ndjerë mbrëmë duke parë ekraneve politikanë që përpiqen të bëjnë politikë mes gërmadhave e fatkeqve.
Si s’u nginjën me shfaqje, shtirje, krekosje e karagjosllëqe për vota? Ka qenë kjo babëzi per pushtet që s’i ka lenë të bëjnë shtet e të instalojnë rend, ligj e siguri.
Të përfshirë në luftë të ethshme pushteti, pushtet që konvertohet tak-fak në pasuri për vete a për tarafin politik, i lanë njerëzit të nguleshin e të ndërtonin ku të mundnin, në toka buke e mbi vepra hidrike, mbi rërë a në kenetë, pa pyetur as për shtet e as për ligje të natyrës.
Dhe tani vazhdojnë luftën për vota mes gërmadhave. Bëjnë mirë të ulin kokën dhe të ndihmojnë sa mund të ndihmojnë.
Të gjitha palët e kanë treguar veten, kanë ardhur e ikur nga pushteti disa herë dhe bashkarisht e të gjithë tok e kanë gatuar këtë mynxyrë ambjentale. Asnjera nuk meriton vota, të gjithë e kanë hak shkelmin. ‘Pa zemër zemra’.
*****