58-vjeçarja Saskia Esken dhe 67-vjeçari, Norbert Walter-Borjans, u zgjodhën zyrtarisht edhe nga kongresi i partisë në krye të SPD-së.
Pak pas orës 16, ajo vezullon shkurtimisht, shkëndija e revolucionit në Partinë Socialdemokrate (SPD) të Gjermanisë, kur aty mban fjalën një nga ish-kryetaret e socialistëve të rinj, Franziska Drohsel.
“Ku mbetën reformat, ku mbeti kthesa përmbajtesore, ku mbeti tatimi mbi pasurinë?” – thërret ajo para 600 delegatëve që po diskutojnë arritjet e SPD-së në koalicionin qeverisës.
Në pyetje është se a i bën mirë partisë që të vazhdojë bashkëqeverisjen me partitë konservative, CDU/CSU?
Franziska Drohsel thotë jo: “Ne duhet të guxojmë më në fund të themi atë që duam pa kufizime,” thotë ajo, duke bërë thirrje për një jo të koalicionit të madh dhe një riorientim të demokracisë sociale.
Të njëjtat gjëra kërkon gjysmë ore më pas deputetja e Bundestag-ut, Hilde Mattheis: “Ne nuk dalim dot nga 15-përqindëshi, ne perceptohemi si rimorkio, e jo si forca shtytëse”.
Kritikët nuk kanë shans
Por Drohsel dhe kundërshtarët e tjerë të koalicionit të madh nuk i dëgjon askush në kongresin e SPD-së.
Me shumicë të madhe votash, delegatët miratojnë mocionin kryesor, d.m.th rekomandimin e udhëheqjes partiake për të vazhduar bashkëqeverisjen me partitë e Unionit. Por, me zotimin se do të flitet me Unionin se cilat tema të reja ose të ndryshme nga ato të marrëveshjes së bashkëqeverisjes, do të trajtohen në dyvjeçarin e mbetur.
Bisedimet do të udhëhiqen nga udhëheqësit e rinj të SPD-së. Pas votimit të anëtarëve të SPD-së një javë më parë, 58-vjeçarja, Saskia Esken dhe 67-vjeçari, Norbert Walter-Borjans, u zgjodhën zyrtarisht edhe nga kongresi i partisë në krye të SPD-së.
Informatikania Esken mori 75,9 përqind të votave, ndërsa ekonomisti dhe ish-ministri i financave të landit Nordrhein-Westfalen 89,2 përqind. Rezultati e bën të qartë se delegatët nuk duan revoltë, ata ndjekin drejtimin që ka vendosur javën e kaluar udhëheqja partiake.
Revolucioni u anulua
Dalja nga koalicioni i madh, të cilën e kishin premtuar dy udhëheqësit e rinj në fushatën e tyre zgjedhore, tani u shty: “Unë kam qenë dhe jam skeptik për të ardhmen e këtij koalicioni madhështor, kështu që nuk kam ndryshuar mendim,” tha Saskia Esken në fjalimin e saj në kongres. Por ajo u justifikua me faktin që SPD tani dëshiron të bisedojë me Unionin për përmbajtjen politike.
Negociatat e kërkuara nga SPD janë “një shans për vazhdimin e koalicionit të madh, jo më shumë dhe jo më pak”.
Në tre fusha SPD planifikon të negociojë me CDU dhe CSU: klima, investimet dhe paga minimale.
Kjo e fundit, sipas SPD-së duhet të rritet në 12 euro: “SPD-ja mund të bëhet përsëri e fortë, nëse u përmbahet parimeve të saj: e qendrueshme, sociale, demokratike”, tha në fjalën e saj Esken.
Norbert Walter-Borjans gjithashtu kërkoi që SPD “të bëhet përsëri partia e shpërndarjes së drejtë”. Ai tha se në Gjermani ka një rishpërndarje nga poshtë-lart. “Ka ardhur koha që kjo të ndryshojë”. Kjo do të thotë, se kush fiton më shumë duhet të japë një kontribut më të madh për vendin.
Shefi i Socialistëve të Rinj do të bëhet zëvendës
“Unë besoj se ju do të qëndroni të patundur në negociata”, thotë një delegat i ri. “Të gjithë në kongresin e partisë tani duhet të shtrëngojnë radhët”, këerkoi një tjetër. Kështu mendon edhe kreu i Socialistëve të Rinj, Kevin Kühnert.
Kundërshtari i deklaruar i Koalicionit të Madh konsiderohet koka që qëndron pas fitores së Esken dhe Walter Borjans. 30-vjeçari u bë një nga pesë zëvendësit e tyre, edhe pse duhet të jenë vetëm tre. Por për këtë do të duhej të bëhej një garë mes kandidatëve. (ashu)