Ledian Memushaj të shtunën mbush 33 vjeç dhe si një profesionist e kupton që karrierës së futbollit të luajtur po i vjen fundi. Megjithatë, ai ka synimet e tij me skuadrën dhe Kombëtaren.
Gjatë një interviste për gazetën “Il Centro” Memushaj rrëfen synimet: “Në 2022 do të mbyll karrierën time te Pescara dhe kam dy objektivë. Dua të kthehem në Serie A dhe të luaj në finalet e Botërorit”.
Ledian Memushaj debutoi në Serinë A në sezonin 2016-2017 me Peskarën dhe arriti vitin e parë ta mbajë ekipin në elitën e futbollit italian, duke dhënë ndihmë me gola dhe asiste, herë edhe si kapiten i ekipit.
Ndërsa kulmi për mesfushorin shqiptar mund të quhet pjesëmarrja në finalet e Euro 2016 me Kombëtaren e Shqipërisë. Kjo është edhe arritja më e madhe e futbollit shqiptar dhe padyshim që edhe Memushaj ka meritë në këtë arritje historike.
Ledian Memushaj debutoi me ekipin kombëtar para 9 viteve dhe në total është aktivizuar në 39 ndeshje, duke shënuar edhe 1 gol dhe duke dhënë edhe 6 asiste.
Shumë menduan se Memushaj, duke parë moshën e tij, e mbylli karrierën e tij të luajtur me ekipin kombëtar pas eliminatoreve të Euro 2020, por në intervistën e fundit ai shprehet se do të luajë edhe në eliminatoret e Botërorit 2022, me qëllimin e vetëm: të kualifikojë Shqipërinë në eventin më të madh të futbollit.