Jo vetëm solidarizim, por edhe ndihmë konkrete. Ndeshja në kampionatin maqedonas mes Shkëndijës së Tetovës dhe Shkupit ishte e veshur e gjitha me ngjyrat kuqezi, saqë rezultati sot nuk ka pasur rëndësi.
Tifogrupi “Ballistët” ka shpalosur një flamur gjigant për solidarizim. Klubi i Shkëndijës ka deklaruar se të ardhurat e biletave nga ky takim do të dhurohen për familjet dhe zonat më të prekura nga tërmeti.
Të njëjtën gjë bëri më parë edhe klubi i Shkupit, kur luajti në shtëpi. Dy klube shqiptare të Maqedonisë së Veriut që janë më aktivë në ndihmë të Shqipërisë në këtë fatkeqësi që ka përfshirë vendin tonë.
Sa i takon ndeshjes, Shkëndija fitoi 4-0 ndaj Shkupit. Një rezultat që e ngjit ekipin tetovar në vendin e dytë, por mbetet 8 pikë larg Vardarit, që fitoi 3-0.