Kjo minimaratonë e organizuar nga Jusuf Islami me OJQ “Projekti 5Cent” u mbajtë për të katërtën herë në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, ku pritet të kontribuohet për familjet në nevojë, sipas Kultplus.
“Qëllimi kryesor i kësaj iniciative është në rend të parë ngritja e donacioneve për të ndihmuar familjet e varfra në Republikën e Kosovës me rastin e festave të fundvitit. Te gjitha mjetet e mbledhura gjatë këtij aktiviteti do të ndahen për familjet në nevojë. Në edicionin e parë kemi ndihmuar gjithsej 60 familje në Prishtinë, në edicionin e dytë kemi ndihmuar 350 familje ndërsa në edicionin e tretë janë ndihmuar 500 familje në 7 qytetet e Kosovës, ku qendrat sociale kanë bërë përzgjedhjen e familjeve. Këtë vit synojmë të ndihmojmë deri në 700 familje në gjithë Kosovën. Për mjetet e mbledhura dhe të shpërndara do të mbahet llogari transparente”, thuhet në një njoftim në Facebook-un e OJQ “Projekti 5Cent”.
Sipas njoftimit maratona e kaluar ishte shfaqur në mediat më të mëdha botërore, siç janë CNN, BBC, EuroNews si edhe shumë portale botërore dhe të gjitha mediet vendore.
“Pas një kohe të gjatë Kosova po promovohej në këto medie me lajme të mira. Dhe si shtet hymë në mesin e 60’te shteteve të botës me një aktivitet të tillë. Organizimi i maratonës është i tillë, ku synohet që të krijohen mjete nga shitja e kostumeve të babadimrave për qytetarët pjesëmarrës në maratonë, ndërsa pas maratonës me ato mjete blehen furnizime me ushqime dhe gjëra të nevojshme për familjet në nevojë”, – thekson njoftimi.
Ky organizim mbështetet nga Komuna e Prishtinës dhe shumë biznese të tjera.