MENU
klinika

Kontaktet me të akuzuarin për trafik droge

Nuk e kaloi Vettingun, shkarkohet prokurori Përparim Kulluri

15.12.2019 - 20:05

Një raport i Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK, dhe mendimi i vëzhguesit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, ONM, mbi figurën e prokurorit Përparim Kulluri janë shkaqet vendimtare të shkarkimit të tij nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

Megjithatë, prokurori i Krimeve të Rënda mori notë negative edhe në kriterin e pasurisë, për të cilin trupa gjyqësore e KPK argumenton se kishte kryer deklarim të pamjaftueshëm.

Komisioni po ashtu gjeti se Kulluri nuk kishte kryer hetime të thelluara në një rast të dyshuar ndaj një prokuroreje të Matit, të akuzuar për korrupsion. KPK arsyeton se ndërsa ky fakt nuk ishte shkarkues në vetvete, moskryerja e asnjë veprimi hetimor për një vit cënonte besimin e publikut te drejtësia.

Kulluri, prokuror i Krimeve të Rënda prej vitit 2004 ka drejtuar për pesë vjet edhe Prokurorinë e Shkodrës. Me dekret të Presidentit të Republikës, ai është rikthyer sërish si prokuror i Krimeve të Rënda, detyrë të cilën e ushtron edhe aktualisht.