MENU
klinika

Ankohet për Kushtetuesen

Pas mazhorancës, Meta i drejtohet Venecias

20.12.2019 - 13:52

Një tjetër reagim nga Presidenti pas vendimit të Komisionit Hetimor për t’iu drejtuar Komisionit të Venecias për Gjykatën Kushtetuese.

Zëdhënësi i Presidentit të Republikës Ilir Meta, Tedi Blushi deklaroi se presidenti Meta do t’i drejtohet Komisionit të Venecias ‘në lidhje me shkeljet kushtetuese të Kuvendit të Shqipërisë’, në procesin e zgjedhjes së dy anëtareve të Gjykatës Kushtetuese.

“Nuk mund të frenojmë askënd, e aq më pak Kuvendin e Shqipërisë, të kërkojë këshilla miqësore apo të kundërshtojë në Komisionin e Venecias, Dekretin e Presidentit të Republikës Sh.T.Z Ilir Meta, për emërimin e anëtares së Gjykatës Kushtetuese në plotësim të vakancës së tij.

Shteti Shqiptar ka një marrëdhënie të konsoliduar me Komisionin e Venecias dhe institucionet që vendosin t’i drejtohen këtij organi këshillimor, duhet ta ushtrojnë këtë të drejtë objektivisht dhe jo për përdorim politik.

Megjithatë nëse Kuvendi, do të vijojë me rrugën e zgjedhur dhe vërtet dëshiron të shterojë objektivisht këtë çështje, Presidenti i Republikës bën me dije se, do t’i drejtohet Komisionit të Venecias në lidhje me shkeljet kushtetuese të Kuvendit të Shqipërisë, në procesin e zgjedhjes së dy anëtareve të Gjykatës Kushtetuese, si zgjedhje të bëra pa garë, pa mundësi zgjedhjeje, vetëm me një kandidat, dhe në kundërshtim me radhën që dikton Kushtetuta dhe kriteret e ligjit për organizimin e Gjykatës Kushtetuese.” shkruan Blushi ne nje postim ne facebook.