MENU
klinika

Paralajmërimi i dytë

PE ashpërson tonet: Nëse kalon ‘Anti-shpifja’, rrezikohen negociatat

18.12.2019 - 11:30

Raporteri i Parlamentit Europian për Shqipërinë nga grupi parlamentar i PPE-së, David Lega, jep një tjetër mesazh të fortë për Shqipërinë, një ditë pas kritikave për paketën anti-shpifje të qeverisë shqiptare ndaj mediave, teksa theksonte se kjo mund të rrezikojë kryesimin e OSBE dhe integrimin e vendit tonë.

Përmes një mesazhi në “Twitter”, zyrtari i lartë i PE paralajmëron se nëse administrata e kryeministrit Edi Rama kalon sot në Kuvend legjislacionin e medias, atëherë Shqipëria rrezikon seriozisht hapjen e negociatave.

Më tej, Lega deklaron se grupi i PPE beson në hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE, por sipas tij, vendi ynë duhet t’i përmbahet kritereve të Kopenhagës.

“Grupi i PPE në Parlamentin Evropian beson fuqimisht në hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE me Shqipërinë. Sidoqoftë, Shqipëria duhet t’i përmbahet kritereve të Kopenhagës, që janë standardi bazë dhe minimumi për një vend kandidat.

Nëse administrata Rama miraton legjislacionin e medias në Parlament në formën e saj aktuale, ajo do të rrezikojë seriozisht shanset për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE. Ata duhet të zbatojnë rekomandimet e lëshuara nga Komisioni Evropian dhe Këshilli i Evropës”, shkruan zyrtari i BE.