Ndonëse nuk ka thënë asnjëherë se është historian, Atë Zef Pllumi ka botuar si libër më vete një intervistë mbi historinë e Shqiprisë me titullin “Histori kurrë e shkrueme”.
Në këtë libër, ai pyetet në lidhje me kontributin e klerit katolik në mëvetsimin e Shqipërisë si dhe për atdhetarët dhe patriotët e atyre viteve. Mes të tjerësh, atë Zefi veçon edhe Faik Konicën.
Më pas, në përgjigje të po kësaj pyetjeje, duke treguar diplomacinë e klerit katolik shqiptar dhe veçanërisht shkodran, ai paraqet edhe ofertat që vendet e tjera bëjnë në lidhje me krijimin e një shteti shqiptar. Mes këtyre propozimeve bie në sy ai i Rusisë të cilin po e paraqesim më poshtë ashtu si ka thënë edhe atë Zefi:
Nuk mund të rrimë pa përmendë se nxitjet që vinin prej Shën Petërburgut në ndihmë të Malit të Zi e të shteteve të tjera të sllavëve të jugut, synonin edhe ato nji Shqipni të pamvarun, por jo të gjithë Shqipninë. Ato synonin që vetëm nji pjesë e Shqipnisë së veriut, e përbame prej elementit katolik, me qendër Shkodrën, të bahej nji mbretni e vogël malazezo – shqiptare, mbretni dykomsishë, me dy gjuhë dhe me e ba Shkodrën kryeqytet të Mbretnisë së Malit të Zi.
Ky shtet shqiptaro – sllav do të kishte ndihma e përkrahje jo vetëm politike, por edhe ekonomike të perandorisë ruse, ashtu si edhe të Italisë, e cila në atë kohë kishte lidhje miqësie me Malin e Zi.
Por kjo ide mbeti gjithnjë e parealizuar, pasi, si thotë atë Zefi, …përgjithsisht kleri katolik përkrahte politikën austriake.
Por gjithësesi, idea e shtetit shqiptaro – malazez nuk u shua përgjithnjë. Mbështetësit e fuqishëm të kësaj ideje, Imzot Jak Serreqi dhe Pater Anton Ashiku nuk hoqën dorë. Veçanërisht ky i fundit i cili, sipas atë Zefit, …ishte ministër i jashtëm i Republikës së Mirditës të shpallun mbas pavarësisë. Vetë Republika e Mirditës ishte vazhdimësi e këtij mendimi.
Gjithësesi, të gjitha përpjekjet dështuan dhe morën fund vetëm pas ndërhyrjes së forcave kombëtare shqiptare të cilat erdhën me synimin për të eleminuar këtë projekt.