Në shkrimin e herës së shkuar spikatëm faktin se në 23 mars 1977 kryetari i Komitetit për Marrëdhënie Kulturore dhe Miqësore me Botën e Jashtme, Javer Malo, në një informacion të hartuar në Tiranë për nomenklaturën e lartë të Partisë së Punës, pasi u thoshte se në Romë drejtori i botimeve të RAI-t, Radio Televizionit Italian, kërkonte që në ceremoninë e prezantimit të Antologjisë së Poezisë Shqipe të vinte një poet, theksonte se për këtë çështje “Lidhja e Shkrimtarëve këtu, mendon se mund të dërgohet ndonjë prej autorëve”.
Ndërkaq më tej shprehte këtë mendim: “Për dijeni, Antologjia e Gjuhës Shqipe (shënimi ynë: Javer Malo e ngatërron jo vetëm njëherë termin Antologji e Poezisë Shqipe me Antologji e Gjuhës Shqipe) në Itali u përgatit nga Xhois Lusu. Vendin kryesor në këtë libër e zënë poezitë e D. Agollit dhe I. Kadaresë dhe pastaj poezitë e Ll. Siliqit, A. Çaçit, F. Arapit, A. Varfi, F. Gjata, N. Gjetja”.
Pastaj mëshon: “Dërgimi i D. Agollit, për funksionin që ai ka, do të qe shumë, por edhe dërgimi i I. Kadaresë për një ceremoni krejt të thjeshtë, përsëri nuk do të qe e udhës”.
Këtë çast të përmbajtjes së informacionit të pulson kërshëria përse Javer Malos i duket ceremoni jo fort e rëndësishme promovimi për herë të parë në Itali i një përmbledhjeje me autorë shqiptarë bashkëkohorë, që të gjithë të përfshirë në shkrimin e letërsisë së realizmit socialist, pra pa asnjë problem “politik” për pushtetin e pas çlirimit?
Përse i konsideron aq fort të epërm prestigjin profesional dhe zyrtar të Dritëro Agollit, kur botime të tilla jashtë vendit qenë ngjarje jo aq të shpeshta dhe për rrjedhojë me shumë ndikim për një imazh pozitiv të Shqipërisë me sistem shoqëror komunist?
Përse edhe Ismail Kadare i duket Javer Malos autor i një shkalle shumë më të lartë se botimi i asaj përmbledhjeje poetike, ca më shumë që krijime të tij qenë përfshirë dukshëm në të?
Përse, për burokraci politike (disi të pranueshme), duke e ruajtur autoritetin formal të vendit të vet dhe për këtë qëllim shmangur përdorimin e kryetarit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, nuk inkurajon të shkojë në Romë Kadare?
Nuk duket se ka mëri me këtë të fundit apo i duhet ta kufizojë në praninë e tij në Perëndim.
Arsyet që jep Javer Malo është një shpjegim i varfër dhe dogmatik, një mos argumentim i dukshëm me elementë të logjikës normale. Në këtë informacion “rezervat” arsyetimni i tij pa asnjë arsye ndodhet tek fjalët e mëposhtme: “Mendojmë se para se të vendosim, të pyesim Romën si është menduar të organizohet Konferenca, ku dhe cili do të jetë rrethi i njerëzve që do të marri pjesë në këtë aktivitet. Nëqoftëse në të do të marrin pjesë disa poetë të njohur italianë dhe personalitete të ndryshme të artit e të kulturës, atëherë mund të shkojë I. Kadare dhe ndonjë nga autorët e tjerë”.
Thua po të dërgohej Ismail Kadare dhe në promovim nga pala shqiptare të mos kishte në pjesëmarrje asnjë poet të dëgjuar italian, Shqipëria do të pësonte një poshtërrim të madh, një rrënim të prestigjit!? Jo sepse, po të ndodhte kjo në paraqitjen e një antologjie me tetë poetë shqiptarë të rëndësishëm, do të ngjante e kundërta, pasojën e një gabimi flagrant do ta ndjenin të hidhur italianët?!
Ju vëmë me këtë rast në dijeni se informacioni i kryetarit të KMKMB këtu mbyllet dhe i tëri është gjithsej 25 rradhë.
Kur u mbyll prilli dhe nisi orët e para muaji i majit nga ambasadori shqiptar në Romë Pirro Koçi, drejt Javer Malos bëri rrugë ky radiogram: “Libri do dalë nga shtypi brenda qershorit. Prezantimin mendojmë ta bëjmë në fund të qershorit ose fillimi i korrikut. Presim përgjigje për dërgimin e poetit. Në rast se vendoset të dërgohet lutemi na njoftoni shpejt që të bisedojmë për aktivitete me shoqatën dhe me “Novakultura”.
Menjëherë, në 2 maj (1977), pra pas pesë javësh, Javer Malo, me radiogramin nr. 537, i nisi ambasadorit të Shqipërisë në Romë, Pirro Koçit, këtë mesazh: “Mauricio Kaprile ka botuar në shtëpinë botuese Luigi…(Pier Luigi Rebellato Editore-shënimi ynë) poemën e Kadaresë “Përse mendohen këto male”. E sjell me vete Ymeri. Ai thotë se botuesi është me prirje miqësore, është i gatshëm të botojë shumë botime tonat. I dhamë tekstin “Njeriu me top”. Ai mendon se një ftesë për të ardhur aty një javë nga fundi i qershorit bashkë me të, do të influenconte mjaft dhe do të kishim një botues të sigurt. Lutemi shikoni çështjen…”
Ajo që thuhej për “Përse mendohen këto male” ishte e vërtetë. Poema, e përkthyer nga Mauricio Kaprile (Maurizio Caprile), qe botuar nga Pier Luixhi Rebelato. Me të shënohej botimi i parë i rëndësishëm në Itali i shkrimtarit tashmë shumë të njohur në Francë dhe prej këtij momenti vepra e tij do të vërshonte nëpër libraritë e saj. Ja pse lexuesit i duhet patjetër që të ketë një informacion të shkurtër cilët qenë ata ndihmës të përhapjes në Itali jo vetëm të Dritëro Agollit dhe Ismail Kadaresë, por edhe krejt letërsisë shqipe.
Ishin pionierë të vërtetë të promovimit të kulturës së popujve të tjerë dhe aspak, siç mund të paragjykohet, kur një për një do të njiheni me emrat dhe jetët e tyre, se këtë e kryenin për arsye të ndonjë anësie apo dashurie ideologjike.
Në një nga shkrimet e afërme do të kemi një rast të shkëlqyer për ta ilustruar këtë me veprën dhe kontributin dijetar të një kryetari italian partie marksiste, Ibaldo Buttafava.
Pier Luixhi Rebelato, botuesi i poemës së Kadaresë “Përse mendohen këto male”, qe bir i poetit dhe i botuesit shumë të njohur të vendit, Bino (Rebellato), luftëtar për mbrojtjen e atdheut të vet sidomos gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke qenë deri edhe komandant i njësie partizane.
Pas saj veprimtarie patriotike, në 1952, në vendlindjen e tij në provincën e Padovës, qytetin Çitadela (Citadella), hapi një shtëpi botuese, ku publikoi poezi dhe prozë, studime po ashtu, gjithashtu kritikë arti. Mes autorëve që zgjodhi ishte edhe tregimtari i famshëm italian Dino Buxati si edhe mjaft të tjerë me shumë emër në këtë vend dhe përtej tij.
Bino është shumë i njohur në Itali sepse ka themeluar një nga çmimet letrarë më të famshëm: “Cittadella di Poesia”. Funksionon me prestigj edhe sot.
Në vitin 1973 Bino Rebelato u shkëput nga puna e tij si botues, për t’iu përkushtuar krejtësisht veprës së tij poetike. Shtëpinë botues ia dorëzoi të birit, Pier Luixhit.
Në 1977, kur ky i fundit publikoi poemën e Ismail Kadarese “Përse mendohen këto male” (me përkthyes Mauricio Kaprilen), pati botuar edhe një vëllim poetik të këtij të fundit.
Në 18 maj prej ambasadës shqiptare në Romë rreth Antologjisë së Poezisë Shqiptare Javer Malos iu dërgua ky mesazh: “Gamacio na tha se prezantimi i librit të poezisë mund të bëhet sipas dëshirës tonë. Ta bëjnë ata vetë si shtëpi e RAI ose bashkë me shoqatën ose të tre bashkë dhe neve si ambasadë. Mbledhja të bëhet në një sallë të bukur të tyre. Do ftohen poetë, shkrimtarë, gazetarë, miq të Shqipërisë etj. Mendojmë të flasi Lusu, një poet italian dhe poeti ynë i cili do të recitojë edhe ndonjë vepër të tij…”
Në 20 maj 1977 Ministrisë së Jashtme nga ambasada Shqiptare në Romë iu dërgua radiogrami me këtë përmbajtje: “Gjatë një takimi me Mauricio Kaprilen na njoftoi se botimi nga Rebelato i poemës “Përse mendohen këto male” është pritur me interes të madh. Ai ka folur dhe recituar në televizionin e Xhenovas dhe Livornos dhe shkruar artikuj. F.D. Rebelato ka rënë dakord që deri në nëntor të botojë librin “Shteti, jurisprudenca dhe populli në RPSSH” përgatitur nga grupi i juristëve dërguar nga shoqata dhe poemën e Agollit “Nëna Shqipëri”. Pas këtyre ka futur në planin e botimeve për 1976 “Njeriu me top”.
Ndërkaq që Pier Luixhi Rebelato ndodhet i mobilizuar për të bërë të njohur në Itali letërsi të rëndësishme artistike, por edhe ligjore të përputhshme me kriteret ideore që pati vënë Parti e Punës e Shqipërisë, po këtë ditë të 20 majit i bëhet e ditur Tiranës zyrtare edhe një fakt tjetër.
Me radiogramin nr. 614 drejtuar Javer Malos ambasadori Pirro Koçi komunikon se “Para disa kohe, me kërkesën e tij i dërguam profesor Andokli Baltadorit në Peruxha romanin “Skënderbeu” të S. Godos. Na njoftoi se ka filluar përkthimin në italisht për botim. Pyeti në se duhet leje dhe kërkoi kopje në ndonjë gjuhë tjetër në se është botuar. Do t’i themi se nuk ka nevojë për leje. Nuk dijmë akoma ku dhe kur do ta botojë. Pirro
Në 31 korrik 1977 nga Roma drejt Javer Malos u nis mesazhi i koduar me titullin “Poezia e shqiptarëve”. Në të thuhej: “Doli nga shtypi vëllimi me poezinë tonë të re botuar nga ERI, shtëpia botuese e radiotelevizionit italian, përgatirur nga Xhois Lusu. Vëllimi ka dalë i bukur me 168 faqe, përmban poezitë e 8 poetëve dhe një hyrje prej 20 faqesh të Lusu. Drejtori i shtëpisë botuese më tha që prezantimi të bëhet në shtator….”
Një muaj më pas, në 30 gusht, sërish në drejtim të Javer Malos vrapon radiogrami tjetër: “Bisedova me drejtorin botues të ERI, Gamacio. Mendon që paraqitja e librit të bëhet në fund të tetorit në një librari të Romës. Do të ftohen rreth 60 vetë, kritikë letrarë, gazetarë, miq të ambasadës dhe aktivistë të shoqatës. Do të flasë Lusu dhe një kritik letrar që nuk e kanë caktuar akoma, si dhe poeti ynë që do të vijë nga Tirana.
Në 31 shtator 1977, radiogrami i ardhur nga Roma, i deshifruar dhe i protokolluar me numrin 1302, bën të ditur se “Erdhi në ambasadë profesor Androkli Baltadori. Ka përkthyer në italisht kapitullin e parë të romanit “Skënderbeu” të S. Godos. Dorëzoi kopje. Do ta botojë nga fillimi i vitit dhe para botimit do të na e japë për ta parë. Kolegët e tij në universitet dhe disa shkrimtarë që e kanë lexuar, e kanë pëlqyer shumë. Botimin e bën me inisiativën e tij. Dorëzoi edhe një listë të pjesëve përbërëse të një laboratori për analiza të tokave që i kisha kërkuar”.
Androkli Baltadori qe një i emigruar nga Korça dhe në Universitetin e qytetit të Peruxhës përveç se pedagog qe edhe autor librash shkencorë për bujqësinë.
Në 27 tetor Ministrisë së Jashtme në Tiranë nga ambasada në Romë i mbërriti ky telegram i gjatë, sigurisht i shifruar: “Pata takim me editorin P. L. Rebeloto, që erdhi këtu nga Venecia. Më tha se në rrethet e gjëra kulturore ka patur dhe vazhdon të ketë një interesim të madh për artin dhe letërsinë tonë që për vite për përmbajtjen e realizimin e tyre janë shembull i vetëm në Evropë.
Ai vetë ka pasur kërkesa të shumta nga shumë njerëz të kulturës e të televizionit për të folur e botuar vepra letrare të shkrimtarëve e partisë tonë. Në këtë kuadër në muajin e ardhshëm do të botojë poezinë e D. Agollit të përkthyer nga Konila. Po këtë muaj do të nxjerrë për herë të parë një revistë kulturore e letrare që botohet në gjuhë italisht e anglisht, ku do të ribotojë të gjithë poemën e Kadaresë “Përse mendohen këto male”, e cila do të shpërndahet edhe në të gjitha vendet që flitet anglisht.
Premtoi që në të ardhmen, mbas bisedës që ka pasur me Kaprilen, të botojë vepra të tjera të D-Agollit dhe u tregua i interesuar për të botuar ndonjë botim me materiale mbi folklorin tonë ose edhe të albumit me monumente të kulturës shqiptare…”
Më në fund në 5 nëntor 1977 Ministrisë së Punëve të Jashtme i erdhi nga kryeqyteti italian mesazhi “Dje RAI dha një emision 6-30 minuta mbi poezinë e re shqiptare në bazë të materialit dorëzuar nga Lusu….Së shpejti Lusu do të nënshkruajë me ERI kontratën për botimin e antologjisë…”
Në 7 nëntor Javer Malos dhe Piro Bitës në Tiranë, punonjës drejtues të Komitetit për Marrëdhënie Kulturore dhe Miqësore me Botën e Jashtme dhe të Ministrisë, morën në dorë radiogramin me këtë përmbajtje: “Erdhi në takim Mazota dhe më solli kopjen e vëllimit të parë të librit të parë të veprave të shokut Enver Hoxha me titull “Rezistenca revolucionare”. Vëllimi ka dalë i bukur, Pasnesër nis kopjen. Do na japë 15 kopje gratis. Tirazhi do të jetë 3000, çmimi 4500 lireta. Pyeti në se Komiteti interesohet të blejë një sasi. Shprehu dëshirën t’i kthehet një kopje me firmën e shokut Enver…”
Katër ditë më pas Javer Malos iu nis nga Roma radiogrami, fjalët e të cilit ishin këto: “Më 3 nëntor në një nga libraritë e mëdha të Italisë u zhvillua një debat mbi poezinë shqiptare mbi bazë të librit që ka bërë Lusu. Në këtë debat ka folur anëtari i partisë revizioniste Giuliano Manakorda, vëllai i të cilit është anëtar i KQ të kësaj partie. Ishin të pranishëm mjaft persona, nga të cilët Lusu, Arturo Foski, 10 veta nga shoqata etj. Ne nuk morëm pjesë dhe për këtë arsye Lusu dhe Forkina telefonuan me një ton jo të zakonshëm, duke na thënë përse nuk ishim të pranishëm edhe neve.
Ne ju përgjigjëm se nuk kishim dijeni pr aktivitetin, debati siç muarëm vesh ishte zhvilluar normalisht dhe në mënyrë pozitive për letërsinë shqiptare. Përsa i përket mostrës fotografike (që përmban fotografi me dimensione të mëdha) biseduam me shokun Fragomeni dhe na tha se mund të na dërgojë dhe mund të ekspozohet në salla të mëdha të zgjedhura në të gjitha rrethet e shoqatës duke filluar nga janari e për një kohë të gjatë”.
Kështu, në mënyrë kaq të politizuar dhe pa prani të ndonjë përfaqësuesi të Ambasadës apo të Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, përfundoi veprimtaria promovuese e librit antologjik për tetë poetët.
Ismail Kadare ishte me fat që nuk e dërguan.
Ylli Polovina