Për sa kohë që gazetarët janë të shqetësuar dhe po reagojnë me ashpërsi, ligji Antishpifje nuk është gjëja e duhur për Shqipërinë. Ndaj edhe unë, jo thjesht për solidaritet pragmatist me mediat, jam kundër miratimit të tij.
Por fakti që qeveria është shumë e vendosur për ta nxjerrë atë në breg para Vitit të Ri më bën të jem dyshues për qëllimet e vërteta të Edi Ramës. Të cilat jo domosdoshmërisht mund të jenë ato që janë shpallur nga shumë përfaqësues të shtypit. Sepse nuk e shoh kryeministrin të jetë i shqetësuar, për të mos thënë që duket sikur po zbavitet me këtë përqëndrim të madh baterish mediatike dhe politike kundër tij.
Unë nuk mendoj se fuqia e fjalës së lirë në Shqipëri ka rënë dhe kërcënohet të shuhet në të ardhmen për shkak të represionit të pushtetit. Pavarësisht se qeveritë e këtyre 30 vjetëve herë pas here i kanë nxjerrë dhëmbët mediave. Sepse pothuajse gjithmonë ato kanë qenë të detyruara që të kafshojnë gjuhën, ndaj edhe nuk ka vend për shumë alarm.
Shtypi shqiptar, me të gjitha defektet dhe meritat e tij në këto 30 vjet, problemet e veta më të mëdha nuk i ka pasur, kur qeveritë i kanë treguar kërbaçin, por kur ato i kanë ofruar kulaçin. Dhe mielli i politikës për këtë gjellë të helmuar është gjendur gjithmonë dhe nuk ka munguar asnjëherë.
Kështu do të ndodhë edhe pas miratimit të këtij ligji, nëse Edi Rama e ka ndarë mendjen që t’i shkojë marrëzisë deri në fund.
Jam shumë i bindur se asgjë nuk ka për të ndryshuar në raportet e shtetit me shtypin në Shqipëri, por edhe nëse do të ketë luftë, ajo mirë se të vijë. Sepse në të gjitha rastet e humbura do të jetë qeveria, kurdo që të ndodhë dhe pavarësisht emrit që do të ketë kryeministri.
Ndërkohë problem real, që ka sot shtypi shqiptar, është rënia e ndikimit të tij në shoqëri, e cila në shumë raste shkon në përpjestim të zhdrejtë me numrin e klikimeve apo të shikimeve. Për fat të keq, ky është një proces gradual degradimi, që nuk ka të bëjë vetëm me një qeveri dhe më e keqja është se nuk ka shenja që do të ndalet.
Dhe kemi mbërritur dalëngadalë në pikën, kur kalojnë si pa u vënë re apo nuk prodhojnë asnjë efekt me dhjetëra dhe qindra fakte, prova për skandale dhe afera të rënda, që gazetarët zbulojnë dhe publikojnë çdo ditë.
Ky është në fakt dëmi real që ka pësuar fjala e lirë në gjithë këto vite tranzicioni dhe kjo ka arsye të qarta politike. Të cilat, jo gjithmonë, kanë të bëjnë me fenomenet e natyrshme brenda vetë shtypit, sepse ai në asnjë rast nuk mund të shkëputet nga konteksti i zhvillimit shoqëror të vendit.
Pra në finale është kriza e sistemit tonë politik dhe kryetarokracia si gjenerator korrupsioni, padrejtësie, arrogance dhe abuzimi me pushtetin ajo, që i ka zbehur kaq shumë fuqinë fjalës së lirë në Shqipëri. Sepse ka krijuar perceptimin se nuk kanë shumë vlerë, as betejat dhe, as denoncimet publike përballë tre apo katër personazheve të gjithëpushtetshëm, prej të cilëve më i paprekshmi dhe më i fuqishmi është natyrisht kreministri. I cili, përveç ndarjes së tokës, të ujit dhe të detit në këtë vend, ka edhe të drejtën që të caktojë edhe kush është “kazan” e kush është “shandan”, kush është “baltë” e kush është “mjaltë”, kush është “mashtrues” e kush tjetër është “përmbarues”.
Dhe për ta zgjidhur këtë hall të madh nuk mjafton asnjëherë që të grupohesh rreth njërit prej këtyre burrave, që kanë kapur për fyti dhe po mbajnë peng Shqipërinë, sepse kjo e relativizon edhe më shumë të drejtën dhe të vërtetën e kauzës.
Praktikisht është një sistem që duhet shembur një orë e më parë dhe në këtë betejë shtypi mund të kishte një rol të vecantë. Sepse presupozohet që edhe protestën ndaj ligjit Antishpifje mediat dhe gazetarët nuk po e bëjnë për vete, por për interesat e cënuara të publikut, që një shtyp i agazhuar dhe i përgjegjshëm merr gjithmonë përsipër të përfaqësojë dhe të mbrojë.
Ndryshe do të tingëllonte si një sherr i izoluar me qeverinë i disa gazetarëve, që duan thjesht të ruajnë territorin e tyre, si qëllim në vetvete.
Vetëm rënia e kësaj piramide politike, që prodhon përbindësha, mund të sjellë institucione të besueshme dhe një ambjent demokratik, ku secili aktor të ndjehet zot në punën e vet, pavarësisht se çfarë mendon për të kryeministri i radhës. Kjo është sfida më e rëndësishme e shoqërisë sonë sot dhe në këtë kauzë shtypi shqiptar mund të jetë kontributor kryesor.
Sepse fitorja e kësaj beteje të madhe i kthen në të papëfillshme ose i bën të panevojshme fare problemet dhe debatet si ky që ka shkaktuar ligji Antishpifje i Edi Ramës.