Austri – Tenori shqiptar me famë botërore, Saimir Pirgu, në një intervistë nga Vjena, për gazetaren Rudina Xhuga, në emisionin ’’Shqiptarët e Mrekullueshëm’’. Ai thotë se, si emër pakkush e mban mend dhe se, është bërë i famshëm në botë, me nofkën “Albanian Tenor” ose “Tenori shqiptar”.
Po ashtu, ai shprehet se edhe karriera e tij, karakterizohet nga vendi i origjinës, Shqipëria. Se shqiptari përfaqëson vetveten me vendin dhe se, ndër shekuj, kombit i është dashur të bëjë shumë pakte për të mbijetuar, që vende të tjera nuk do t’i toleronin. Gjithashtu, sa i përket politikës, Pirgu, thotë se shqiptarët janë të lodhur tashmë, me politikën dhe se kjo e fundit, nuk ka vlerë në asnjë ambient.
Intervista e plotë në Vjenë:
Rudina Xhunga: Saimir Pirgu, nga La Scala në Vjenë, gjithmonë shumë kënaqësi që të takoj. Faleminderit që gjete kohën, ndërsa fluturove nga Uashingtoni, këtu në Vjenë.
Saimir Pirgu: Intervista ime e parë në Shqipëri ishte me ju dhe pse jo, një e dytë.
Rudina Xhunga: Emri dhe portreti yt është në çdo vend të këtij qyteti që duket sikur prodhon muzikë, siç është Vjena.
Saimir Pirgu: Është kënaqësi për mua të jem prezent, gjatë gjithë këtyre viteve, dhe Vjena është bërë qyteti i jetës sime. Gjithë njerëzit mendojnë se unë jetoj në Vjenë, por unë jetoj në Itali. Vjena është qyteti që më ka dhënë më tepër artistikisht, dhe është vendi ku unë kam kënduar më tepër, me performanca dhe shfaqje. Të gjitha eventet kryesore si në Filarmoninë e Vjenës ashtu si në Tetarin e Operës, plus në shtëpitë e tjera si Concert House e të tjerat në vijim, që janë shtëpi të dyta ku bëj koncerte ekskluzive
Rudina Xhunga: Prova gjithë kohës, në këto pak ditë në Vjenë?
Saimir Pirgu: Jeta e individëve të sotëm, të këtij shekulli është tepër e shpejtë. Ky është shqetësimi më i madh, sepse ndonjëherë nuk arrin dot të përballesh me kohën.
Rudina Xhunga: Me kohën dhe famën. E di çfarë po më bënte përshtypje dje, kur ishim për darkë tek Akiu. Mënyra sesi të afroheshin njerëzit., klientët që ishin publiku i operës së famshme vjeneze.
Saimir Pirgu: Është një gjë e bukur që ky shtet jeton me art. Do të kisha jetuar në Vjenë me shumë kënaqësi, por e kam problem kur vij sepse njerëzit më thonë: “Çfarë do të këndosh”, dhe kur nuk je për të punuar është pak keq. E ndjej veten në stres dhe nuk di çfarë t’u them, sepse kur jam në Vjenë ose jam në teatro ose në një nga shtëpitë e koncerteve e ndien dashurinë e publikut, dhe them me të vërtetë të publikut të mirëfilltë. Kjo gjë ndodh në Berlin, në Zvicër, ndodh këtu, shumë pak në Londër, dikur ndodhte në La Scala, Itali. Bota po përjeton një shpejtësi që ne do ta kuptojmë mbas 20 vjetëve.
Rudina Xhunga: Ti tani je i muzikës, nuk je thjesht i Shqipërisë. Kur mburren me ty, nuk mburren se është Saimiri nga Shqipëria, por Saimiri i operës. Një emër identifikues në opera.
Saimir Pirgu: Kjo gjë më ka bërë mua të ndihem me fat, por dhe nuk e kam munduar veten të shikoj se çfarë kam bërë. E rëndësishme për mua ka qenë të mbaj nivelin e cilësisë së artit. Është kollaj të thuash po këndon në Vjenë, por ku po këndon dhe me cilët po këndon. Kjo ka qenë për mua shumë e rëndësishme për të mbajtur nivelin dhe jetëgjatësinë e një artisti. Unë kam kënduar në Vjenë në moshën 20-vjeçare, shumë i ri, dhe të rikthehesh në këto teatro, jo vetëm njëherë por disa herë, për vite me radhë, është tepër e vështirë. Nuk mund të mbash dot një nivel artistik, pa punuar dhe pa pasur një ndjeshmëri artistike pak më të kujdesshme sesa një nivel tjetër njerëzish që këndojnë njëherë në teatro pastaj lehtësohen. Është një punë e përditshme, dhe kam zgjedhur rrugën më të vështirë, që të mos jem i fiksuar vetëm në një shtet, por në disa. Kjo prapë është përgjegjësi e punës.
Rudina Xhunga: Cili do të jetë qershia mbi tortë e sezonit këtë vit, për ty?
Saimir Pirgu: Është pak e vështirë, por ka goxha. Sezonin e hap në Los Anxhelos me Boheme, do të jem në operën e Berlinit me Karmen. Vij prapë në Vjenë dhe e mbyll vitin me operën Boheme. Është hera e parë që do të bëj Boheme në Vjenë, dhe do të jem edhe në Australi ku do të debutoj operën Faust.
Rudina Xhunga: Po si ngele ti, kaq me këmbë në tokë, kur je kaq fluturues në art?
Saimir Pirgu: Kjo ka të bëjë dhe me edukatën që merr nga familja. Unë vij dhe nga Shqipëria, ku karakterizohet vetvetja me vendin. Jemi popull pak i vështirë, dhe këtë e them me kuptimin e plotë të fjalës. Ne jemi të vështirë, sepse për t’u mbijetuar gjithë këtyre viteve, na është dashur të bëjmë shumë pakte, që një shtet tjetër nuk do t’i kishte bërë. Tani që kam parë botën dhe jam rrotulluar vërdallë, kam parë dhe popuj të tjerë të vegjël, që janë po shumë të ngjashëm me ne: Armenia, Malta, Qipro, mund të them edhe Sardenja. Otomanizmi në Shqipëri, ka lënë një njollë tepër të rëndë për historinë tonë dhe ne nuk mund ta shmangim. Shqipërinë, gjithmonë e kam parë mes Evropës dhe Orientit. Edhe më 1912, kur Shqipëria nënshkroi Konferencën e Londrës apo Berlinit, shikon që Shqipëria është gjithmonë në një linjë udhëkryqi. Kjo na karakterizon dhe për ashpërsinë e sjelljes sonë.
Rudina Xhunga: Ne gjithmonë jemi në udhëkryq, një herë në muaj, një herë në vit. Dhe nuk pranojmë asnjë të na japë mend. P.sh ti fole dhe të kryqëzuan.
Saimir Pirgu: Ajo që mua më ka lënë përshtypje nga e gjithë ajo re e kotë, pa shi. Kur jeton në Shqipëri, nuk e kupton se jeton mes ndotjes, se tymit te makinave dhe stresit që të kalosh nga 21 deri te Teatri i operës, apo nga Kryeministria te Akademia e Arteve. Kaq është Shqipëria, dhe rrotullohemi aty. Ato katër udhëkryqe janë gjithmonë me trafik, janë gjithmonë me një policë që thithin tym. Ata njerëz iu vërsulën Saimirit që nuk e ka këtë problem. Unë vij njëherë në vit apo dy herë në vit, Dhe dua që vendi im të zhvillohet e përmirësohet.
Rudina Xhunga: Ndaj ndërhyn në jetën publike të vendit që i përket?
Saimir Pirgu: Nuk është një ndërhyrje. Unë nuk kam asnjë fuqi ndërhyrjeje në mendimin e shqiptarëve. Unë dhashë vetëm një mendimin tim. Kur shikon vendin tënd që nuk është mirë, që ka probleme, nuk të vjen mirë. Këtë gjë e identifikon vetëm kur je këtej, jo në Shqipëri. Vetëm kur je jashtë 300 ditë në vit. Por, për gjithë pseudointelektualët që u ndjenë të fyer, mund të them, më vjen vërtet keq për ta. Mendoj që ka disa gjëra që ne shqiptarët duhet të mësojmë nga bota, sidomos nga diplomacia e botës. Franca dhe Gjermania u përplasën në Luftën e Dytë Botërore, por sot janë mbretër të Evropës. Dhe ne duhet të mësojmë se jo gjithçka është me dhunë. Komunikohet dhe me mendimin e dikujt tjetër që e thotë ndryshe. Nuk ka pse te jesh filozof për të pasur mendim tendin. Mjafton të kesh mendim tëndin. A ka mundësi të bëhen dhe nja dy teatro të tjerë të Operës, të ketë dhe shkolla në Vlorë, Elbasan. Njerëzit kanë nevojë për qytetërim. Njerëzit janë të lodhur me politikën dhe politika, nuk ka më vlerë në asnjë ambient.
Rudina Xhunga: Njerëz si ty, që bëjnë muzikë i shërben qytetërimit dhe unë të falënderoj!
Saimir Pirgu: Unë di të them vetëm një gjë. Duke qenë se kam parë shqiptarë që kanë arritur në këto 15-16-vjet, unë i shikoj në opera, në Londër, në Berlin. Vijnë paguajnë biletat. Kjo është një gjë që nuk do të kishte ndodhur kurrë në periudhën kur unë isha i ri, sepse biletat ishin tepër të shtrenjta për të hyrë në opera. Kjo është një ecuri, duan apo nuk duan ta shikojnë, sot shqiptarët lëvizin të lirë, kudo ku janë. Dhe jo thjesht mbijetojnë. Ata po jetojnë. Kështu që është përgjegjësia e atyre që janë atje dhe shqiptarëve vet, sepse është puna e votave. Kjo historia e vjedhjes së identitetit tënd nga politika duhet të mbarojë. Ne shqiptarët duhet të jemi të vetëdijshëm për atë çka jemi. Jemi produkt i vetes.
Rudina Xhunga: Më ka bërë përshtypje gjithmonë. Unë kam njohur prej teje Ermonela Jahon, kur më tregove që është një vajzë e jashtëzakonshme në skenë. Para se të bënim intervistën, pakkush e njihte në Shqipëri, sepse të gjithë njihnim vetëm Inva Mulën. Ti e fute në skenën publike. Kam njohur dhe 20 djem dhe vajza në “La Scala” dhe askush nuk e dinte për ta. Ishin balerinë, ishin në skenë, në opera e orkestër. Të kam parë në mënyrën sesi e promovon Shqipërinë. Dje, kur u takuam më tregove për shqiptarë të tjerë në Vjenë. Ke një mënyrë të admirueshme të promovimit të vendit tënd.
Saimir Pirgu: Jeta ime ka filluar nga zeroja. Imagjino në jetën time të kesh pasur mundësinë, të kesh pasur njerëz si Pavaroti apo Abado, kanë qenë gjithmonë me zemër të madhe, kundrejt një të riu. Kur shikoj që të rinjtë shqiptarë kanë nevojë të emocionohen nga një gjë e bukur që është arti, them pse jo. Në rastin e Ermonelës nuk kam dashur shumë punë sepse e kisha pare kush qe kam qe dhe më duket absurditet që ndaj saj kishte një lloj apatie që mbaroi shumë shpejt në momentin që filluan mediet të flisnin. Ti e para. Siç e thashë, çdo njeri është produkt i vetes dhe nuk ishte e vështirë t’i bëje publicitet Ermonela Jahos. Për mua, ka mbetur një surprizë e madhe, dy shqiptarë bashkë, për herë të parë, në Londër. Pastaj ndodhi në Vjenë, në Argjentinë kemi bërë koncerte, por nuk i detyron dot teatrot e operat të të marrin, sepse nuk vendos ti. Është mirë, por të kishim nja tre-katër të tjerë, do të ishte më mirë
Rudina Xhunga: Nëse ka njeri që investon në optimizëm, je ti.
Saimir Pirgu: Unë bëj atë çka jam, nuk kam marrë mundimin ndonjëherë të jem diçka tjetër. Kjo ndonjëherë acaron njerëzit kot.
Rudina Xhunga: Lexova një shkrim të bukur, në Itali ku kishin shkruar për ty “Djali me zërin diellor, që vjen nga vendi i hijeve!” Të ka bërë Shqipëria, Saimir Pirgu! Fakti që jam rritur në Shqipëri, kam vështirësitë e atyre viteve, 1990, 1997, dhe fakti që kam pasur gjithmonë familjen në Shqipëri, më ka ndihmuar dhe për identifikimin tim si artist. Saimir Pirgu, nuk mbahet mend shumë, por “albanian tenor”, po.
Rudina Xhunga: Prandaj kujdesesh ti për imazhin e vendit tënd, sepse është edhe imazhi i brandit tënd, ai brand, “the albanian tenor”.
Saimir Pirgu: Po më identifikon, sepse me lehtë sesa u kujtohet emri, u kujtohet brandi “Albanian tenor”. E kam përdorur “albanian tenor”, më ka bërë t137 njohur dhe ndihem krenar. Si të mos ndihem?! Nga Shqipëria, unë vetëm të mira kam pasur. Ndaj, dua t’i kthej gjithë çfarë marr prej saj. Se Shqipëria, nuk është vetëm atdheu im, është edhe brandi im.
Dikur, “italian tenor”, për shembull, ishte brandi. Kur Karruzo bënte muzike, Italia çfarë nuk bënte, por Karruzo ishte “Made in Italia” e vërtetë.