MENU
klinika

"Erudit në amshim"

“Shën Nënë Tereza” do të presë Pjetër Bogdanin

02.12.2019 - 13:29

     Kisha Katolike në Kosovë, Dioqeza Prizren-Prishtinë, për të shënuar 330-vjetorin e kalimit në amshim të Imzot Pjetër Bogdanit, organizon rivarrimin e tij simbolik në Kriptën e Katedrales Shën Nënë Tereza në Prishtinë, më datë 6 dhjetor.

Për këtë ditë, që përkon me ditëvdekjen e tij (1689), është përgatitur një program i ngjeshur në tri pika: konferencë shkencore, mesha e shenjtë dhe rivarrimi simbolik, njofton Kultplus.

Të gjitha këto do të ndodhin në ambientet e Katedrales Shën Nënë Tereza në Prishtinë.

 

Në vijim, ju përcjellim edhe programin e plotë:

Ora 16:00: Konferencë Shkencore

Qendra “BogdaniPolis”, Prishtinë

Filologji

Anila OMARI, Relacioni i vizitës apostolike të Bogdanit (1658) dhe mbishkrimi i Kishës së Shirgjit

Anton BERISHAJ, Poetika e Bogdanit

Evalda PACI, Dimensioni i shkrimtarit dhe i lëvruesit të gjuhës në personalitetin e Pjetër Bogdanit

Kujtim SHALA, Cuneus Prophetarum: Shkalla IV (poezia si ancillae doctrinae)

Aljula JUBANI, Pjetër Bogdani: kleriku “që kish për të kiane” martir për fè e atdhè

Teologji

Don Robert KOLA, Hermenuetika e Shkrimit të Shenjtë në “Cuneus Prophetarum”

Don Shtjefën DODES, Kristologjia në veprën “Çeta e Profetëve”

Histori

Don Lush GJERGJI, Gjendja fetare në Kosovë në kohën e Imzot Pjetër Bogdanit

Gjon BERISHA, Elementi shqiptar në kryengritjet antiosmane të kohës së Bogdanit

Mirie RUSHANI, Aktiviteti politik dhe diplomatik i Pjetër Boganit

Ora 18:00: Mesha e shenjtë

Katedralja Shën Nënë Tereza, ora 18:00  e kryeson Sh. T. Imzot Dodë Gjergji

Ora 19:00: Akademia solemne për Bogdanin dhe Rivorrimi simbolik

Qendra “BogdaniPolis” – Kripta nën Katedrale

Program i përbërë prej fjalimeve, teksteve, këngëve dhe ritit

Ora 19: 30: Koktej në Agorà.

***

Pjetër Bogdani është figura më e shquar e letërsisë së vjetër shqiptare. Ai shquhet jo vetëm si klerik i lartë, por edhe si atdhetar, me një dashuri të pakufi për gjuhën shqipe e për popullin shqiptar, por edhe si dijetar e letrar, si luftëtar i paepur për çlirimin e vendit nga zgjedha osmane dhe për zhvillimin e përparimin e tij kulturor. Me veprimtarinë e tij politike 40-vjeçare, sidomos me rolin që luajti si udhëheqës i kryengritjes çlirimtare të vitit 1689 dhe me veprën e vet “Çeta e profetëve”, Pjetër Bogdani me të drejtë është quajtur pararendës i hershëm i lëvizjes së Rilindjes sonë Kombëtare. Lindi në Gur të Hasit, një fshat i Kukësit, rreth vitit 1625, Ungji i tij Andrea Bogdani, edhe ai klerik i lartë (kryepeshkop i Shkupit), ishte marrë me lëvrimin e gjuhës sonë, kishte hartuar në gjuhën shqipe edhe një gramatikë të latinishtes, madje kishte mbajtur në Kosovë edhe një shkollë ku mësohej gjuha shqipe.

Mbasi kreu studimet e mesme fetare në Kolegjin e Loretos dhe punoi disa kohë si meshtar në Pult e Prizeren, me shpenzimet e të ungjit kreu edhe studimet e larta në Kolegjin e Propaganda Fides dhe në 1655 mori dy dekorata, njerën në filozofi dhe tjetrën në teologji, çka ishte gjë e rrallë sidomos asokohe për një të ri shqiptar.

Më 1656, në moshën 31-vjeçare, emërohet peshkop i Shkodrës ku shërben për 21 vjet (1657-1677), duke qenë i ngarkuar njëkohësisht edhe me administrimin e kryepeshkopatës së Tivarit, 12 vjetët e fundit të jetës së tij i kaloi si kryepeshkop i Shkupit.

Atij iu desh të luftonte njëherazi në tri fronte kryesore: edhe kundër zgjedhës së huaj, që në mesin e shekullit XVII ishte rënduar shumë, edhe kundër kishës ortodokse dhe sidomos patriarkanës serbo-ortodokse të Pejës, që i kishte shtuar përpjekjet e vjetra për të mos lejuar shpërthimin e kryengritjeve antiosmanene dioqezat e saj, edhe kundër politikës që ndiqte vetë kisha katolike e Romës në Ballkan.

Me kulturën e tij të gjerë enciklopedike, me mendimet e tij përparimtare iluministe e atdhetare, me punën e gjatë këmbëngulëse më se tridhjetëvjeçare, Bogdani i dha letërsisë shqiptare dhe popullit shqiptar një vepër madhore, që kurorëzoi traditën e mëparshme letrare e kulturore dhe që paralajmëroi një periudhe të re të zgjimit gjithkombëtar.

Bogdani është një njeri erudit. Nga leximi i veprës së tij mësojmë se përveç gjuhës amtare, ai dinte edhe italisht, latinisht, kroatisht, armenisht, greqisht, arabisht, hebraisht dhe gjuhën siriane./Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit