Një raport i ri investigues, i Komisionit të Inteligjencës në Kongresin amerikan ka nxjerrë të dhëna shqetësuese në lidhje me qëllimet e fshehura prapa teknologjisë 5G dhe kompanive teknologjike kineze, si Huawei dhe Zte.
Sipas përfundimeve të raportit të komisionit, agjencitë e zbulimit dhe partia komuniste kineze janë prej kohës në një partneritet me gjigandët e teknologjisë. Raporti, hartimi i të cilit është nisur që në vitin 2012 ka prodhuar pothuaj 50 faqe dossier, të cilat përmbajnë të gjitha frikërat e shërbimeve të fshehta amerikaner.
Ish shefi I komisionit të inteligjencës ka pohuar se qëllimi final i Pekinit është dominimi teknologjik i botës brenda shekullit XXI. Sipas analizës së Mike Roger, udhëheqësit kinezë po përpiqen që të kopjojnë ekzaktësisht atë që SHBA bëri pas Luftës së Dytë Botërore.
Strategjitë e Kinës sot synojnë investime në zhvillimin teknologjik si dhe kontrollin e burimeve duke përdorur kompani periferike. Udhëheqësit e Pekinit e kanë kuptuar mirë se sa shumë i ka dhënë avantazh ushtarakisht dhe politikës Shteteve të Bashkuara, supremacia në fushën e teknologjisë.
Në tekstin e raportit thuhet se “Kina përbën gjithashtu një sfidë të rëndësishme diplomatike, politike dhe ushtarake”, dhe më tej thuhet gjithashtu se “deri disa vite më parë ishte e vështirë ta interpretoje Pekinin si një konkurrent të Shteteve të Bashkuara, duke qenë se nuk kishte impaktin ekonomik global apo kapacitetet e amerikanëve. Ndërsa sot, skenari duket se ka ndryshuar dhe arsyeja e një metamorfoze të tillë duhet kërkuar mbi të gjitha në rritjen e tyre ekonomike eksponenciale, e cila nuk duhet të nënvlerësohet”.
Prapaskenat
Gjatë një interviste të dhënë për qendrën e studimeve Belfer të Universitetit të Harvardit, Roger ka zbuluar dhe disa prapaskena. Sipas tij, Pekini tashmë bën përpjekje për kontrollin e masave, duke përdorur sistemet e blerjes së biletavetë avionëve dhe trenave në mënyrë elektronike, me celularë dhe kompjutera, dhe po i përdor këto për monitorimin e lëvizjes së masave, individëve dhe familjeve.
Që në vitin 2016 në fakt britanikët kishin denoncuar instalimin e afro 140 milionë telekamerave dhe që në vitin 2020 do të jenë pothuaj 500 milionë. Një kontroll I tillë obsesiv teknologjik është shkelje e privatësisë dhe të drejtave të njeriut, por këto koncepte pak rëndësi kanë patur tradicionalisht në vendin e dragoit.