MENU
klinika

Pendarovski: Problemi qëndron tek BE

“Shtyrja e datës së negociatave, me pasoja për rajonin”

13.12.2019 - 11:17

Pendarovski rikujton se shtyrja e vendimit për fillimin e negociatave në tetor ishte goditje e madhe për Maqedoninë e Veriut, por edhe për shumë të tjerë.

“Edhe pse presidenti francez, Emanuel Makron tha se nevojiten reforma të procesit të zgjerimit të BE-së, të gjithë shpresonin se nuk do të bllokohet fillimi i negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Ky ishte zhgënjim i madh për qytetarët tanë, për Qeverinë tonë dhe personalisht për mua.

Në fund të fundit ne i bëmë të gjitha reformat dhe marrëveshjet e nevojshme, dhe mbi të gjitha bëmë diçka që është unikate në historinë bashkëkohore të botës, për ta zgjidhur problemin me Greqinë që na bllokonte, e ndërruam emrin e shtetit prej Maqedoni në Maqedoni të Veriut”– deklaroi Pendarovski.

Ai thekson se edhe shumë politikanë të shquar të BE-së konstatuan se është bërë gabim strategjik dhe se Unioni nuk mund të jetë lojtar relevant gjeopolitik nëse nuk e integron Ballkanin Perëndimor.

Pendarovski thotë se ka marrë bindje nga Makroni se problemi nuk qëndron tek Maqedonia e Veriut, por tek B, së cilës i nevojiten reforma lidhur me procesin negociues, ne druanim se mund të bëhemi Turqia e dytë, e cila me vite është e ngujuar si kandidate e vazhdueshme për anëtarësim.

Shefi i shtetit thekson se Shkupi nuk ka asgjë kundër reformave në procesin negociues dhe është i gatshëm t’i zbatojë reformat e domosdoshme, ndërkaq e pranon edhe modelin e propozuar të rishikimit, por pret që reformat e mundshme të procesit të inkuadrimit të bëhen shpejtë dhe pa shtyrje të mëtutjeshme.

Për Maqedoninë e Veriut, thekson Pendarovski, është e papranueshme çfarëdo alternative tjetër përveç anëtarësimit të barabartë në BE.

Paralajmëron se distancimi i BE-së nga Ballkani Perëndimor mund t’u japë hapësirë lojtarëve të tjerë dhe të ndikojë negativisht në reformat në vendet e rajonit.

“Ata mund të thonë se qytetarët e Maqedonisë së Veriut i plotësuan të gjitha kushtet, e ndërruan emrin e tyre, ndërkaq nuk fituan asgjë. Atëherë përse ne të bëjmë përpjekje dhe reforma serioze? Kjo posaçërisht i referohet problemit të Kosovës dhe Serbisë”– deklaroi Pendarovski.

I pyetur nëse vakuumin e mundshëm mund ta shfrytëzojnë Rusia, Turqia dhe Kina, ai thekson se nuk dëshiron të emërojë asnjë shtet, por se ka qendra të fuqisë të cilat nuk janë të kënaqura nga zgjerimi i NATO-s dhe BE-së.

“Në atë kontekst vendet e rajonit shpesh herë janë cak i lajmeve të rrejshme, dezinformatave apo fushatave me qëllim të destabilizimit të tyre”– deklaroi Stevo Pendarovski.