Durrësi ka rezultuar më i prekuri nga tërmeti. Megjithatë, rezidenca e Skënderbeut, madje aty ku edhe Kombëtarja shqiptare grumbullohet dhe stërvitet, nuk ka pësuar dëmtime dhe ka qëndruar e fortë.
“Tropikal Resort” nuk është dëmtuar dhe presidenti i Skënderbeut, njëkohësisht pronari i hotelit, Ardjan Takaj, e vuri në shërbim të njerëzve në nevojë.
Janë dhjetëra familje të cilat janë strehuar te godinat e resortit, familje të cilat kanë mbetur pa një banesë si pasojë e dëmeve të pësuara nga tërmeti i 26 nëntorit.
Takaj bëri të ditur se është vënë i gjithi në shërbim të komunitetit, duke u solidarizuar me situatën. Pavarësisht kësaj, sipas presidentit të Skënderbeut, frika ende nuk është larguar nga banorët, që vazhdojnë të jenë të traumatizuar, duke mos pranuar të akomodohen te ndërtesa disakatëshe, por vetëm në godinat e ulëta.