Policia Kufitare e Vlorës ka proceduar penalisht një 29-vjeçar me banim në Kukës, pasi ka tentuar të kalojë në mënyrë të paligjshme një sasi prej 57 mijë euro.
Sipas njoftimit të Policisë Kufitare së Vlorës, i riu u procedua, pasi nuk i ka deklaruar këto para që kishte me vete. I riu u procedua penalisht për veprën “”Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe sendeve me vlerë”.
Njoftimi i Policisë Kufitare të Vlorës:
Policia Kufitare e Vlorës parandalon një rast të tentativës për transfertë të parave në mënyrë të paligjshme. Sekuestrohen 57000 euro dhe procedohet penalisht poseduesi i tyre, pasi nuk i deklaroi në kufi.
Në Pikën e Kalimit Kufitar Vlorë, shërbimet e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me Drejtorinë e Doganës Vlorë dhe DVP Vlorë, pas kontrollit në vijën e dytë të një automjeti me targë gjermane kanë konstatuar të fshehura në brendësi të mjetit dy pako të mbështjella, brenda të cilave kishte një sasi eurosh të padeklaruara në kufi.
Nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se në automjet ishin fshehur rreth 57000 euro.
Drejtuesi i mjetit, shtetasi E. P., 29 vjeç, banues në Kukës është shoqëruar drejt Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë dhe në përfundim të veprimeve u procedua penalisht në gjendje të lirë, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe sendeve me vlerë”.