Prokuroria e Vlorës vendos sekuestro preventive mbi disa pasuri me vlerë rreth 500 000 euro, që dyshohen se janë përfituar nga veprimtaria kriminale e pastrimit të parave.
Bëhet fjalë për 2 apartamente banimi në Vlorë dhe Orikum,1 pemishte në Radhimë, 2 automjete dhe 2 llogari bankare.
Burime zyrtare nga policia e Vlorës bënë me dije se këto pasuri i përkasin shtetasit Luan Beshaj, 70 vjeç.
“Këto sekuestrime pasurore janë në kuadër të procedimit penal proaktiv të vitit 2014, ndaj shtetasit Luan Beshaj si person i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”– thuhet në njoftimin e policisë.
Beshaj ka qenë i dënuar në Itali, për veprën penale “Trafikim narkotikësh” dhe dyshohet se këto pasuri i ka ngritur mbi bazën e këtyre veprimtarive të paligjshme.
Veprimet e tjera procedurale vijojnë nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë.