Stoku i rezervës valutore në vendin tonë është i mjaftueshëm për të mbuluar borxhin e jashtëm afatshkurtër.
Banka e Shqipërisë bën të ditur se, ky tregues është zgjeruar me ritëm të përshpejtuar vjetor, si pasojë e mjeteve më të larta valutore. Në fund të tre mujorit të dytë 2019, stoku i rezervës valutore mbulonte rreth 198.3% të borxhit të jashtëm afatshkurtër.
Në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit 2019, borxhi i jashtëm neto u vlerësua në nivelin 17.5% ndaj PBB-së nominale, rreth 1,7% më i ulët krahasuar me një vit më parë. Treguesi i borxhit të jashtëm neto ndaj eksportit të mallrave dhe të shërbimeve u vlerësua në nivelin 44.6% në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit, duke u pakësuar me rreth 3.6 % në bazë vjetore.
Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit të kaluar, totali i rezervave valutore të Bankës arriti në 2.39 miliardë euro, i mjaftueshëm për të mbuluar 7 muaj importe. Në krahasim me vitin e mëparshëm, rezervat u rritën ndjeshëm me 403 milionë euro.
Banka e Shqipërisë mban dhe administron rezervat valutore të Republikës së Shqipërisë.
Rezerva valutore shërben për të: përmbushur nevojat e qeverisë për valutë për shlyerjen e borxhit të jashtëm; mbështetur tregtinë ndërkombëtare, duke përmbushur kërkesën për valutë që buron nga importuesit; mundësuar ndërhyrjen e Bankës së Shqipërisë në treg, me qëllim parandalimin dhe zbutjen e lëvizjeve të forta të kursit të këmbimit.
Pra ndër të tjera është edhe një nga treguesit e stabilitetit finaniar.