Islam Thaçi, drejtor i Inspeksionit në Komunën e Prizrenit, është i pesti me radhë, të cilit i është ngritur aktakuzë.
Ai dhe disa zyrtarë të tjerë të komunës akuzohen për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, për rrënimin e një pjese të kompleksit ‘Abi Çarshia’, raporton KTV.
Për keqpërdorim të pozitës zyrtare në këtë komunë akuzohen edhe 3 drejtorë të tjerë, ai i shërbimeve publike, drejtori për Kadastër e Gjeodezi, si dhe drejtori i Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Politike këto aktakuza nga Prokuroria në Prizren, i ka quajtur edhe kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka, duke thënë se nuk do të shkarkojë asnjërin drejtor.
Ndërsa, shoqëria civile e opozita vazhdojnë të kërkojnë shkarkimin e tyre, duke paralajmëruar protesta në fillim të vitit tjetër.
Sipas disa burimeve të KTV-së, shumë shpejt do të ngrihet aktakuzë edhe ndaj drejtoreshës së arsimit në këtë komunë.
E, në gusht të këtij viti, një tjetër drejtor i kësaj komune, ai për Ekonomi dhe Financa, kishte dhënë dorëheqje nga pozita e tij.