MENU
klinika

Anton Çeta ose "folklori i gjallë"

Si e kujtojnë dy vajzat, pajtimtarin e madh shqiptar

03.01.2020 - 14:12

       Data 3 janar, shënon 100-vjetorin e lindjes së Pajtimtarit të Madh të Kombit, mirditasit të urtë në rrënjë, profesor Anton Çeta!… (Anton Çetta, lindi në vitin 1920 në Gjakovë dhe vdiq në vitin 1995 në Prishtinë, ishte shkrimtar, profesor letërsie e patriot shqiptar, i njohur për pajtimin e hasmërisë së gjakut në Kosovë. Me rrënjë të hershme nga Fani i Mirditës – shkruan në “Facebook”, gazetari Gjergj Marku. 

Ai mbaroi shkollën fillore në vendlindje, ndërsa të mesmen në Tiranë dhe Korçë. Studimet i mbaroi në Universitetin e Beogradit, ku diplomoi në gjuhë dhe kulturë romane. Për një kohë punoi si asistent në degën e gjuhës shqipe. Nga viti 1960 deri më 1968 ai ligjëroi lëndët: Letërsia e vjetër shqiptare, Histori e letërsisë dhe Gjuhë latine në Universitetin e Prishtinës.

 

Libri i parë iu botua më 1953 dhe deri në vitin 1987, Çetta botoi 16 libra me përmbledhje folklori nga të gjitha viset shqiptare të Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë. Nga viti 1968 Anton Çetta ka qenë udhëheqës i Departamentit të Folklorit në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Në vitin 1990, profesor Çetta është zgjedhur kryetar i Këshillit Qendror të Lëvizjes Kombëtare për Pajtimin e Gjaqeve.

Duke qenë se gjatë mbledhjes së folklorit kishte vizituar të gjitha viset shqiptare, ai kishte fituar respektin dhe dashurinë e popullit. “Plaku i urtë”, siç i kishte dhënë epitetin populli, kishte arritur të pajtonte me mijëra familje të hasmuara dhe dukuria e keqe e gjakmarrjes pothuajse ishte zhdukur krejtësisht deri kah mesi i viteve ’90. Në zgjedhjet e para paralele të organizuara më 1992, Anton Çetta zgjidhet deputet në Parlamentin e Republikës së Kosovës nga radhët e LDK-së.

***

Çfarë tregon e bija, Donika?

“Fëmijëria dhe vendlindja janë dashuritë që lëshojnë rrënjët më të thella në njeriun. Për këtë arsye ajo gjithnjë gjatë gjithë udhës që bën njeriu, e thërret në prehrin e vet” – thoshte babi. Ndërsa për mua, të rritesha krahas tij, fëmijëria ime ngjasonte në fytyrën e mëngjesit dhe shpirtin e përrallës” tregon Donika Çetta, vajza e Anton Çettës.

“Shpesh i kujtoj edhe ditët e kaluara me babin në liqenin e Batllavës meqë atje kishim një vikend shtëpizë. Babi e kishte hobi peshkimin ndërsa unë isha ndihmësja e tij pa të cilën nuk kishte fat në peshkim, më thoshte. Në të aguar, në mëngjesin e hershëm bëheshim gati për të shkuar në peshkim. Në avullin që lëshonte liqeni derisa i afroheshim vendit tonë të preferuar të peshkimit ,rrezet e para të agimit binin në fytyrat tona dhe na jepnin ngrohtësi dhe shpresë. Pasi vendosnim shkopinjtë e peshkimit fillonin këshillat dhe bisedat e këndshme babë e bijë që dinin të zgjasnin por ndonjëhere ndërpriteshin nga të dridhurat e tërheqja e shkopit që nënkuptonte se peshku kishte rënë në grep. Shpesh na bashkoheshin edhe fëmijët e fshatit dhe të tjerë, meqë s’kishte njeri që s’lakmonte që së paku një orë të jetës të ishte përkrah babit dhe të bisedonin me të” – tregon Donika.

Anton Çetta ka qenë edhe një baba shembull sipas të bijës së tij.

Agata Çetta, vajza tjetër e Anton Çetës, nuk përmbahet kur flet për madhështinë e këtij njeriu.

“Fëmijëria ime ka qenë e thjeshtë, mu sikur virtyti të cilin Tata ka tentuar gjithmonë të na e mësonte, thjeshtësia. Megjithatë, mes shkollës, lojërave dhe obligimeve tjera që unë kisha si fëmijë, kujtoj shumë qartë përrallat që ai na tregonte në “Odën e oxhakut”, vendin e tij dhe tonë të preferuar e të rregulluar me elemente dhe stoli tradicionale, ku Tata edhe kalonte shumicën e kohës duke punuar. Në netët kur na zinte gjumi nën zhumrën e makinës së shkrimit, unë nuk e kuptoja rëndësinë e madhe të punës së tij, por këtë gjë e kam kuptuar me kohë dhe kjo gjë më ka ndihmuar shumë në krijimin e personalitetit tim, shprehisë së punës dhe përkushtimit ndaj gjërave të rëndësishme në jetë” tregon Agata, e cila e quan Tata – plakun e urtë Anton.

Një dhuratë e kinemasë tonë nostalgjike për të gjithë brezat

Restaurohet filmi “Kthimi i Ushtrisë së Vdekur”

Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen