Në fillim të dhjetorit, Emmanuel Macron dhe Angela Merkel u ulën përballë njëri-tjetrit në restorantin Gordon Ramsay në Hotel Savoy, në Londrë, për një darkë dy-orëshe.
Diplomatët në Paris dhe Berlin, thanë se mbrëmja siç duket, “pastroi ajrin”.
Por do të duhet më shumë se një darkë për të hequr pengesat strukturore, të një marrëdhënieje që është shumë e rëndësishme për atë që Europa mund të arrijë në vitin 2020.
“Marrëdhënia franko-gjermane është marrëdhënia e vetme më e rëndësishme në BE dhe është në një gjendje shumë të keqe,” tha Mark Leonard, drejtori i Këshillit Evropian për Marrëdhëniet e Jashtme. “Dhe do të përkeqësohet, para se të përmirësohet.”
Patjetër që do të kishte ndryshime midis stilit të Macron, një president krenar ambicioz, i paduruar dhe herë-herë arrogant i Francës, dhe Merkel, një kancelare e kujdesshme, pragmatike, e Gjermanisë për herë të katërt. Por nëse, bëhet fjalë për çështje të rëndësishme, vizionet e tyre përputhen shpesh.
Macron, është gjithnjë e më shumë i irrituar, jo vetëm me pragmatizmin e Merkel, por me rënien e autoritetit, që nga njoftimi se nuk do të kandidojë përsëri kur të përfundojë mandati i saj në 2021.
“Gjermania është në paralizë politike, e paaftë të marrë një vendim të madh dhe me siguri do të mbetet e tillë deri në zgjedhjet në shtator 2021,” tha François Heisbourg nga Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike.
“Macron në thelb po kërkon ndërtimin e një marrëdhënie të re me Gjermaninë, reformimin e Francës dhe bashkëpunimin me Berlinin për të reformuar Evropën,” tha Leonard.
Edhe Berlini është zemëruar me Macron, por kulmi ishte kur Macron tha për The Economist, se NATO-s po “i ngordhtte nervi”.
Megjithatë gjendja nuk është kaq e keqe. Puna vazhdon. Berlini dhe Parisi ende po ecin përpara aty ku është e mundur, megjithëse në mënyrë graduale.
Bashkëpunimi gjerman-francez ishte “si dy anët e një fizarmonike”, tha një diplomat gjerman. “Ndonjëherë ju e tërhiqni pak, pastaj të dyja anët bashkohen përsëri. Secila palë e di që së bashku mund të prodhojnë një tingull të këndshëm. ”
Marrëdhënia franko-gjermane “sigurisht nuk është në krizë”, tha Heisbourg. “Por në një farë mënyre, do të ishte pothuajse më mirë sikur të ishte, sepse atëherë do të kishim një diskutim të vërtetë, dhe mundësinë e vendimeve dhe të një veprimi thelbësor.”
Që nga vitet ’50, marrëdhëniet midis Francës dhe Gjermanisë, centrali ekonomik i kontinentit dhe udhëheqësi i saj diplomatik dhe ushtarak, kanë qenë motori i BE-së.
Vendimet e mëdha të BE-së në vitin 2020, buxheti i saj i ri, reformat në eurozonë, taksimi dixhital, marrëdhëniet me Rusinë, do të ishin të vështira për tu marrë, edhe nëse Franca dhe Gjermania mund të binin dakord dhe të ishin të përgatitur për të vepruar, tha Leonard.
“Nëse nuk munden dhe nuk janë, do të jetë vërtet shumë e vështirë.”
Përkthyer dhe përshtatur nga The Guardian/ konica.al