Në ambientet e Bibliotekës Kombëtare është çelur prej ditës së hënë, ekspozita në përkujtim të publicistit e studiuesit, Skënder Luarasi. Autoritetet shprehen, se duke pasur në vëmendje promovimin e vlerave të trashëgimisë kulturore kombëtare dhe personaliteteve që i japin dinjitetin, u çel këtë hënë edhe ekspozita përkujtimore në 120-vjetorin e lindjes së shqipëruesit, publicistit dhe studiuesit, Skënder Luarasi (1920-1982).
Ekspozita solli në vëmendjen e publikut nga artikujt e tij të parë, botuar në periodikun e kohës, si: “Dielli”, “Rilindja e Arbënis”, “Zëri i Korçës”, “Studenti”, “Dialëria”, etj, shqipërimet e emrave më të mëdhenj të letërsisë botërore, si: Friedrich von Schiller, Johann Wolfgang Goethe, William Shakespeare, George Gordon Byron, Charles Dickens, Walt Whitman, Aleksandr S. Puskin, Feliks Lope dela Vega, John Milton, Kalidasa, etj.
Nuk mund të lihen jashtë vëmendjes veprat të cilat janë përmbledhur dhe përgatitur prej Skënder Luarasit si, “Kolonel Thomson” (1934), “Vepra” e Migjenit (1957), “Petro Luarasi: jeta dhe vepra” (1958), “Fjala shqipe” (1961), “Gjerasim Qiriazi: jeta dhe vepra” (1962), “Ismail Qemali” (1971), “Isa Boletini: jetëshkrim i shkurtër” (1972), etj. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun në hollin e Bibliotekës Kombëtare. Skënder Luarasi qe arsimtar, përkthyes, dramaturg, publicist, studiues, vullnetar në Luftën e Spanjës.
Lindi në Luaras të Kolonjës, i biri i Petro Nini Luarasit, pasardhës të familjes Kostallari të Luarasit. Për veprimtarinë e tij të shquar patriotiko-antifashisto-demokratike, edukativo-letrare është nderuar me urdhrat e lartë: “Urdhri i Flamurit” (1960) dhe “Nderi i Kombit” (1996). Luarasi e ka nisur aktivitetin letrar që në moshën 17-vjeçare. Brezi i viteve ’30-të e dallon si arsimtar, publicist, gazetar, përkthyes, dramaturg dhe si drejtues e bashkëpunëtor i disa organeve të shtypit përparimtar.
Skënder Luarasi ka qenë redaktor përgjegjës, në revistat: “Studenti”, SHBA, më 1920, “Djalëria”, Austri, më 1927-1928 dhe kryeredaktor i revistës “Vullnetari i Lirisë”, Spanjë, më 1937. Ky i fundit, organ i vullnetarëve shqiptarë në luftën antifashiste të Spanjës. Deri në vitin 1992, veprimtaria e tij (monografi, publicistikë, drama, studime dhe kritikë letrare e historike) botohej pjesërisht (kryesisht përkthimet) dhe nuk analizohej nga pikëpamja shkencore.