Buxheti i këtij viti mbështet reformat e qeverisë për rritje të qëndrueshme të ekonomisë, rritje të punësimit dhe shërbimeve ndaj qytetarët.
Nëpërmjet buxhetit 2020 synohet realizimi i një rritjeje ekonomike, e cila parashikohet të jetë në nivelin 4.1%, një rritje e gjeneruar kryesisht nga kërkesa e brendshme, si konsumi ashtu edhe investimet.
Kjo rritje e parashikuar për 2020 do të përkthehet në më shumë punësim: krijimin e rreth 35 mijë vendeve të reja pune dhe uljen e mëtejshme të shkallës së papunësisë poshtë nivelit 11%.
Buxheti i vitit 2020 siguron një nivel të lartë të investimeve publike prej mbi 4.5% e Produktit të Brendshëm Bruto, në mbështetje të rritjes ekonomike dhe punësimit.
Gjithashtu, synohet ruajtja e balancës primare pozitive, e cila do të jetë pozitive për të pestin vit radhazi në nivelin 0.7%, duke synuar mbajtjen e borxhit në trajektoren rënëse, ndërsa në fund të vitit 2020 borxhi publik pritet të ulet në nivelin e 62.2% të PBB-së, për të zbritur poshtë 60% të PBB-së në 2021 dhe më tej në rreth 57% në vitin 2022.
Po ashtu, synohet mbajtja e deficitit buxhetor nën nivelin e 2%, ku për vitin 2020 planifikohet të jetë në nivelin 1.6% të Produktit të Brendshëm Bruto, niveli më i ulët i targetuar në dy dekadat e fundit.
Shpenzimet buxhetore të programuara për vitin 2020 janë rreth 532 miliardë lekë ose rreth 29.7% e Produktit të Brendshëm Bruto, me një rritje rreth 5.1% krahasuar me të pritshmin e vitit 2019.
Buxheti mbështet sektorët prioritar, arsimin, shëndetësinë, bujqësinë dhe infrastrukturën, ku sektorit të arsimit është parashikuar t’i alokohen 3.3 miliardë lekë më shumë se buxheti viti 2019; sektorit të shëndetësisë 2.75 miliardë lekë me tepër se viti 2019.
Ndërsa sektorit të bujqësisë 1.8 miliardë lekë më shumë se viti 2019 ose rreth 12% më tepër.