Kufiri i ri i eksplorimit hapësinor është… Hëna.
Pak muaj më parë, ishte presidenti i Agjencisë Hapësinore Europiane, që vuri theksin në shansin për ndërtimin e një baze në satelitin tonë, si pararojë shkencore për misionet e ardhshme përtej Tokës. Pastaj ishte Kina, nga programi hapësinor i të cilës dihet shumë pak, që shfaqi interes për misionet e reja hënore. Në fund – dhe këto ditë – kanë mbërritur SHBA dhe Rusia, që po ribëjnë programet e tyre hapësinore, pikërisht duke vënë në fokus Hënën.
Jo asteroidit, po Hënës
NASA po siguron buxhetin e vitit 2017 nga Senati amerikan: ndoshta 19.5 miliardë dollarë, 500 milionë më shumë krahasuar me atë që kishte kërkuar Obama. Nëse miratohet, do të jetë buxheti më i madh në gjashtë vitet e fundit. Një lajm shumë i mirë ky për eksplorimin hapësinor. Por Senati i SHBA ka kërkuar në këmbim që të anulohet një mision shumë i rëndësishëm, tek i cili NASA po investohej shumë: Asteroid Redirect Mission (ARM).
Për ta përmbledhur, NASA kishte në projekt që të dërgonte – rreth vitit 2025 – një sondë robotike mbi një asteroid, të merrte nga sipërfaqja e një shkëmbi një masë të madhe, të eksperimentonte efikasitetin e një sistemi të tillë si tërheqës gravitacional, për të shmangur trajektoren e një asteroidi, në atë që do të ishte simulimi i parë i mbrojtjes planetare, dhe në fund ta dërgonte masën në një orbitë të qëndrueshme mes Tokës dhe Hënës, ku do të studiohej direkt nga një mision me njerëz.
Senati amerikan kërkon që NASA të përqëndrohet tek Hëna, për të eksperimentuar gjithë sa nevojitet për të arritur Marsin. Për NASA-n, prej kohësh në vështirësi, rritja e buxhetit është një lajm fantastik, dhe nëse plani miratohet, do të rinisë menjëherë projektet e rover-ave dhe moduleve hënorë që janë braktisur prej dekadash.
Rivalët e përjetshëm
Nga Rusia mbërrin mbi të gjitha lajmi i një projekti për një taksi hapësinore, për të transportuar këdo që do të shkojë në Hënë, për arsye shkencore apo turistike: do të ishte një anije kozmike 11 tonëshe, e ripërdorshme, në gjendje të mbërrijë në satelitin tonë brenda më pak se pesë ditëve. Energia (kompania që do të kryejë transportin) është një prej furnizuesve të agjencisë hapësinore ruse, Roscosmos, dhe kështu që konsiderohet e besueshme: sipas disa zërave, projektuesit mendojnë se kostot e udhëtimit mund të jenë të përballueshme, nëse anija kozmike do të mund të ndalej në një stacion të ndërmjetëm, mes Tokës dhe Hënës.
Por në garë është edhe vetë Roscosmos, që po punon me projekte të reja për një lander dhe një raketë: rusët pohojnë se po punojnë për vitin 2030 dhe planet e tyre parashikojnë një bashkëpunim me agjencinë hapësinore eropiane.
Duket se ka nisur zyrtarisht gara e re për Hënën, faza e dytë e një konkurrence shkencore dhe teknologjike, që do të na shpjerë deri në Mars.