MENU
klinika

"Do të gjurmohet çdo produkt..."

Forumi Ekonomik/ Rama i shpall luftë biznesit kriminal

30.01.2020 - 11:37

Në Forumin Ekonomik të Tiranës Rama theksoi se nevojitet më shumë punë për përmirësimin e sjelljes së administratës dhe klimës së biznesit. Në Forumin Ekonomik të Tiranës, kryeministri Edi Rama theksoi nevojën për ndarjen e biznesit të ligjshëm nga ai kriminal.

Kreu i qeverisë tha se pas konsultimeve me partnerët ndërkombëtarë do të nisë një sulm kundër krimit të organizuar dhe se çdo person i dënuar deri më tani duhet të justifikojë asetet në burime të ligjshme, në të kundërt ato do të konfiskohen.

“Pasi të kemi mbyllur diskutimet e brendshme me partnerët tanë amerikanë dhe eropianë dhe ekspertët e tyre lidhur me ndarjen në mënyrë të qartë të bizneseve legjitime dhe atyre kriminale. Nga njëra anë të punojmë sa më shumë që bizneset legjitime të kenë një trajtim më të mirë dhe mjedis më të mirë pune dhe që të kenë shumë më tepër kapacitete për të projektuar të ardhmen pa u përballur me situata të paparishikueshme si nga ana e administratës apo faktorë problematikë.

Një nga faktorët më problematikë mund të jetë krimi i organizuar dhe zhvatja. Do të arrijmë marrëveshje për një sulm shumë të madh kundër krimit të organizuar, duke i kërkuar çdo personi të dënuar dhe akuzuar për krim të organizuar deri tani të provojë që asetet që ai/ajo ka vijnë nga biznese legjitime, ndryshe të gjitha asetet do të konfiskohen.

Duam të dërgojmë një mesazh të fortë te të dy palët, si biznesin e ligjshëm ashtu dhe atë kriminal. Te biznesi i ligjshëm duam të çojmë mesazhin se kemi shumë për të bërë për të përmirësuar mjedisin e të bërit biznes dhe duam që ky biznes i ligjshëm ti besojë fort këtij vendi dhe të besojë se çdo ditë do të jetë një ditë më e mirë se djeshmja për të bërë biznes në Shqipëri.

Dhe biznesit të paligjshëm duam ti themi thjesht që ky nuk është vendi i tyre dhe do të duhet të kalojnë më shumë vështirësi për të mbijetuar në këtë vend. Ka ardhur koha të shkojmë pas tyre seriozisht dhe të bëjmë të sigurt që të gjithë këto gjëra negative që ata kanë bërë duke u infiltruar në shoqëri, në biznes, administratë dhe politikë, kjo kohë ka marrë fund.”– tha Rama.

Kryeministri tha se ekonomia shqiptare ka shënuar progres në të gjithë treguesit, por sfidë mbetet ende përmirësimi i klimës së biznesit dhe sjelljes së administratës.

Rama: Kemi nevojë të përmirësojmë sjelljen dhe kapacitetet e administratës sonë, sidomos atë pjesë të administratës që lidhet me veprimtarinë e biznesit. Jam optimist që gjatë këtij viti do të kemi rezultate të rëndësishme me digjitalizimin e shërbimeve, duke e bërë më të thjeshtë komunikimin e qytetarëve e sipërmarrjeve me administratën.

Kreu i qeverisë njoftoi se së shpejti do të nisë edhe programi i fiskalizimit që sipas tij do të garantojë më tepër transparencë dhe do të ulë korrupsionin.

Po ashtu Rama tha se çdo produkt që do të futet në treg do të gjurmohet për të ofruar më shumë siguri për konsumatorët.

“Sistemi i gjurmimit dhe kërkimit që do të fillojmë të zbatojmë nga produktet e akcizës dhe më pas me produktet ushqimore, pikësëpari ujin e pijshëm dhe barnat. Çdo produkt që do të hyjë në treg do të gjurmohet, çdo pikë karburanti që del nga rrjeti i shpërndarjes dhe blehet nga qytetari do të gjurmohet.

Çdo tabletë barnash apo çdo produkt që shitet në një supermarket apo dyqan do të gjurmohet. Mund ta imagjinoni sa ndryshime dhe të ardhura do të sillen në kuadër të kësaj strukture. Kjo do të ndryshojë situatën me korrupsionin.”- përfundoi kryeministri Rama.

Për më shumë lajme vizitoni www.konica.al