Ai i bëri këto komente në fillim të takimit me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi, që është edhe takimi i tij parë në kuadër të vizitës që po zhvillon në Kosovë ku sot do të takojë edhe përfaqësues të tjerë politik, para se të shkojë në Beograd.
Grenell tha se “presidenti Trump është veçanërisht i përqendruar për zgjidhjen e këtij problemi, jo duke shikuar prapa dhe jo vetëm duke shikuar argumentet e vjetra.
Ne duam të përparojmë në këtë rajon, në Kosovë, të kemi zhvillim ekonomik për njerëzit që e meritojnë. Qytetarët e Kosovës meritojnë të kenë punë dhe ardhmëri të ndritshme. Ajo që po përpiqem të bëj është që të shoh tërë këto çështje që kanë ndikim ekonomik”.
Ambasadori Grenell e nisi vizitën në rajon dy ditë pasi bashkë më këshilltarin e Sigurisë Kombëtare, Robert O’Brien, ndërmjetësoi një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për rihapjen e linjës ajrore Prishtinë – Beograd, në një përpjekje për përmirësimin e lidhjeve ekonomike midis dy vendeve.
Ai tha në Prishtinë se Shtetet e Bashkuara do të nxisin “të dyja qeveritë dhe udhëheqësit në Kosovë dhe Serbi që të fillojnë të ecin përpara me krijimin e vendeve të punës.
Grenell tha se “Komuniteti i biznesit në Shtetet e Bashkuara dhe komuniteti i biznesit në Europë duan të vijnë në këtë rajon. Por nuk mund ta bëjnë këtë nëse ka konflikt nga establishmenti politik. Ajo që po përpiqem të bëjë është të shohim përpara dhe të çojmë përpara një gamë projektesh dhe idesh”.
Presidenti Thaçi, falënderoi Grenell dhe presidentin Trump për marrëveshjen rreth linjës linjës ajrore Prishtinë – Beograd duke thënë se
“Mendoj që është diçka e re, ajo që të tjerët nuk kanë arritur ta bëjnë është duke e bërë ambasadori Grenell dhe administrata e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Roli i SHBA-së në këtë proces është i jashtëzakonshëm dhe i pazëvendësueshëm. Kam besim të plotë se nën lidershipin e presidentit Trump do të arrijmë deri te marrëveshja finale mes Kosovës dhe Serbisë, e kjo do t’i ndihmojë shumë zhvillimit ekonomik, progresit, paqes dhe stabilitetit”.
Vizita e Grenell në Kosovë ndodhë në një periudhë kur vendi ende nuk ka një qeveri të re pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 tetorit por ai tha se nuk do të përfshihet në debate politike.
Mandatin për themelimin e qeverisë e mori në fillim të javës kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, një parti politike që ishte kritike e rreptë e mënyrës se si janë zhvilluar bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Europian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi.
Këto bisedime janë pezulluar që nga nëntori i vitit 2018 kur Prishtina u vuri tarifa prej 100 për qind mallrave serbe në shenjë kundërshtimi ndaj fushatës së Beogradit kundër shtetësisë së Kosovës.
Beogradi kushtëzon rifillimin e bisedimeve me heqjen e tarifave, ndërsa qeveria e deritashme e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, i ka rezistuar trysnisë amerikane dhe evropiane për pezullimin apo heqjen e tyre.