Këngëtarja e afirmuar, njëkohësisht akore e njohur, Justina Aliaj, është bërë pjesë e “Festës së Këngës Shqiptare” ose ndryshe, “I have a dream” (Kam një ëndërr), aktiviteti më i ri muzikor ky, në një prej ekraneve të njohura, drejtuar nga Gjergj Leka.
Këngëtarja Aliaj, është shprehur se do të kishte dashur shumë të kishte një kompozitor për të kompozuar një këngë që do të ishte për të gjitha moshat dhe do të dëgjohej në të gjithë Shqipërinë, duke i rezistuar edhe kohës apo pozicionit gjeografik.
“Sigurisht që e kam një ëndërr, një ndër ëndrrat e meqë ndodhen në mbretërinë e muzikës, një ëndërr e imja është se do të doja një kompozitor që të kompozonte një këngë, që të kalonte stafetë në të gjitha moshat, jo në të njëjtin vend, por kënga me fillu këtu, me vazhdu pak më tutje e me shku deri në majë të malit, e më pas, me u degëzu në gjithë Shqipërinë. Kjo është një ëndrra ime, që do më pëlqente shumë të realizohej. Kënga t’i rezistonte kohës e pozicionit gjeografik, se njerëzit nuk ndryshojnë, pavarësisht se ne jemi në Shqipëri apo Itali. Ëndrra dhe jeta e artistit, sidomos, ka gjëra që diku, frekuencat të bashkohen. Kjo ishte një ëndërr e imja, duke lënë mënjanë teatrin tim, për shembull”,- ka thënë këngëtarja dhe aktorja, për mediet.
Ndërkohë, Aliaj ka zbuluar dhe këngën që ka përzgjedhur për festivalin, i konceptuar ky si një “Festival Pranvere”. Është pikërisht kënga me titullin “Fabrika e re”.
“Tani do t’ju prezantoj materialin që kam përgatitur, është nostalgji, është fat dhe një prej ëndrrave të mia, që kur isha e vogël, më 1962. Për herë të parë në jetën artistike të Shqipërisë, festivali i parë i muzikës së lehtë, është zhvilluar në Shkodër, në Shkodrën time. Pas 3-4 muajve që u zhvillua në Shkodër, u formua dhe u zhvillua festivali i parë në Tiranë, i muzikës së lehtë, që vazhdon deri më sot, deri para një muaji që patëm festivalin e fundit të muzikës së lehtë. Më 1962 ka qenë shtator apo tetor, kur është zhvilluar ky festival. Unë kujtoj një këngë, që kryetari i këtij evenimenti ka qenë Preng Jakova… Kënga më ka mbetur në mend, madje edhe vetë këngëtari çuditet që unë e mbaj mend, por fëmija mban mend shumë. Kënga titullohet “Fabrika e re”, ka qenë muzikë e Kol Gjinajt, me tekstin e Sinan Pekës, duhet më thënë, dy zotni të Shkodrës. Kënga ndoshta nuk ekziston kërkund, por në mendjen e shpirtin tim, po. Është shumë e bukur, madje çuditem si ka mundësi që në atë vit është kënduar një këngë e tillë, me një ritmikë të tillë. Fikeshin dritat 3-4 herë për atë këngë dhe Gjosho Vasia, ka dalë e ka thënë “dëgjoni këtu, në festival kënga nuk përsëritet”. Është në nderim tim, me thënë këngëtarin që e ka kënduar, që është gjithmonë në një shpirt fantastik, quhet Enrrik Çefa, e përshëndes shumë. Jam takuar, kam marrë kontakt me të para dy ditësh në telefon dhe me të vërtetë, me ka çmallur”, – ka shtuar këngëtarja.