Në vitet ’30 publiku evropian përcillte me ëndje librat komikë «Aventurat e Tintinit» të kartonistit belg Georges Prosper Remi.
Libri komik i Hergé, siç quhej ai në botën e artit, lartësohet si një prej më të popullarizuarve të shekullit të njëzetë. Përkthimi i tij në mbi 70 gjuhë të botës flet bindshëm për dashurinë e pakëputur me publikun, shkruan Konica.al.
Gjithçka nisi në faqet e gazetës franceze «Le Vingtième Siècle» (Shekulli i njëzetë), në vitin 1929, për të hapëruar me suksese të njëpasnjëshme.
Kartonisti belg do të risonte librin e tij komik edhe me vendet e Ballkanit, çka do t’i jepte publikut shijen e një aventure gjysmë-ekzotike në Shqipërinë e panjohur.
Në Shqipëri? Përgjigjja sigurisht se është pohuese me plot befasira të këndshme:
«Skeptri i mbretit Otokar» (në frengjisht Le Sceptre d’Ottokar) është vëllimi i tetë i Aventurave të Tintinit, që u serializua nga gushti i vitit 1938 deri në gusht të vitit pasues.
Shqipëria do të shfaqej e magjishme në episodin «Tintini në Sildavi», ku Hergé derdhi talentin e tij për të paraqitur një Shqipëri aluzive.
Karakteret në këtë episod i shkërbejnë Shqipërisë së mbretit Zog, ndërkohë që ka përplot elemente remishente nga bota shqiptare.
Ngjarja zhdrivillohet kur heroi Tintin shkon në Sildavi për të shpëtuar mbretin Muskar XII, përreth të cilit zihet një përbetim nga Borduria fqinje.
Mbreti ka një ngjashmëri mahnitëse me Zogun, që mbante gjithashtu një armë në brez.
Portretizimi i Sildavisë, vendit imagjinar, ishte ndikuar nga vëzhgimet depërtuese të kartonistit belg në traditat, kulturat dhe zakonet e Ballkanit.
Për shembull, flamuri i Sildavisë monarkike me një pelikan të zi është veçse një imitim i përmbysur i flamurit shqiptar me shkabën dykrenore.
Çuditërisht, ky episod do të përkonte me ngrysjen e qiellit evropian dhe daullet e para të luftës.
Hergé ngulmonte që botuesi t’i jepte dritën e gjelbër sa më parë, meqë siç thoshte: «Nëse i ndiqni ngjarjet e tashme, do të shihni se mbështetet krejtësisht në atë çfarë po ngjan tani».
«Sildavia është Shqipëria. Ata po përgatiten për ta aneksuar. Nëse dëshiron të kapësh avantazhin e aktualitetit të saj, duhet ose tash ose kurrë», shkruante Hergé në letrën e tij.
Biografët e tij vazhdojnë kuvendimin edhe sot e kësaj dite për motivet e vërteta që shtynë Hergén të përjetësonte ethet e kohës nga pushtimi nazist dhe fashist i Evropës.
Cilado qoftë e vërteta, episodi «Tintini në Sildavi» është protesta e parë «artistike» kundër pushtimit fashist të Shqipërisë…
© Salih Mehmeti | Konica.al
Burimet:
Pierre Assouline, Herge: The Man Who Created Tintin, 2009, ff. 62-63
Benoit Peeters, Hergé, Son of Tintin, 2012, f. 100-101
Tim Judah, ‘Tintin in the Dock’, Guardian Weekend, 30 January 1999, 8–18