Operacionet antikontrabandë ‘Gorica’ dhe ‘Klandestinët’ të nisura prej tetorit dhe dhjetorit në Korçë kanë vendosur në pranga dhe tre persona të tjerë sot.
Dy prej personave, A.Y, 55 vjeç dhe E.K, ishin në kërkim, kurse R.A, 32 vjeç ishte dënuar. Gjykata e Korçës kishte caktuar masën arrest me burg, për A.Y, për kontrabandë mallrash të kryer në bashkëpunim kurse për të dytin kishte caktuar dënim 20 ditor për fshehje të të ardhurave.
Po ashtu në pranga ra dhe E.K, 29 vjeç në kërkim prej 27 tetorit të 2019 pasi Gjykata kishte caktuar arrest me burg për ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve, kryer në bashkëpunim.
NJOFTIMI I POLICISË
Policia ndalon tre shtetas, dy prej të cilëve të shpallur në kërkim në vijim të operacioneve policore të koduara “Gorica” dhe “Klandestinët”.
Ndalohet edhe një shtetas tjetër për veprën penale “Fshehja e të ardhurave”.
Specialistët e seksionit për krimin ekonomik-financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në vijim të hetimeve të kryera në lidhje me operacionin antikontrabandë të koduar “GORICA” zhvilluar në muajin dhjetor 2019, bënë ndalimin e shtetasit në kërkim:
A. Y., 55 vjeç, banues në fshatin Ravonik, Korçë, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, me vendimin e datës 26.12.2019, ka caktuar për këtë shtetas masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Kontrabanda me mallra të tjera, kryer në bashkëpunim”.
Po nga këto struktura u bë ndalimi i shtetasit në kërkim:
R. A., 32 vjeç, banues në fshatin Podgorie, Maliq, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë me vendim të datës 25.11.2019, e ka dënuar këtë shtetas me 20 ditë burg për veprën penale “Fshehja e të ardhurave”.
Specialistët e seksionit për trafiqet e paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në kuadër të operacionit të koduar “KLANDESTINËT”, për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit me qëllim dërgimin drejt vendeve të BE-së, të zhvilluar në muajin tetor 2019, bënë ndalimin e shtetasit të shpallur në kërkim:
E. K., 29 vjeç, banues në Domje, Tiranë, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pogradec, me vendimin e datës 27.10.2019, ka caktuar për këtë shtetas, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve, kryer në bashkëpunim”.