MENU
klinika

Roli i Zogut, Enverit dhe demokracisë

Kush i la pa tokë shqiptarët?

17.01.2020 - 12:26

Nga Aurenc Bebja*, Francë-17 Janar 2020

“Le Figaro”, një gazetë e përditshme franceze, të hënën e 4 janarit 1937, në faqen n°3, botoi një shkrim në lidhje me zbatimin e planit të reformës agrare në Shqipëri, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat-Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

 

“Shqipëri.- Në zbatim të planit të reformës agrare, më shumë se 250.000 hektarë (akër) tokë janë shpërndarë midis fermerëve nga qeveria. Me këtë rast, Mbreti Zog dhuroi një pjesë të pasurive të tij private.”

Ndërkohë Konica.al bën një krahasim midis Reformës Agrare të Zogut, Hoxhës dhe asaj që kemi sot.

Reforma agrare e vitit 1930 (Mbreti Zog):

Gjatë periudhës që Shqipërinë e mbretëronte Ahmet Zogu u bën disa përpjekje për kryerjen e Reformës Agrare. Përpjekjet e fshatarëve kundër shfrytëzimit të bejlerëve, taksat e vazhdueshme të shtetit dhe kërkesat e rretheve përparimtare dhe e një pjese të borgjezisë e kishin detyruar qeverinë e Zogut që të ndërmerrte disa masa për kryerjen e kësaj Reforme. Me këtë rast ajo planifikoi një lloj Reforme, të cilën e dekretoi me ligj më 3 maj 1930.

Sipas këtij ligji pronarit i liheshin 40 ha tokë, ndërsa pjesa tjetër, e tepërt, ndahej në tri pjesë, nga të cilat dy të tretat i liheshin po pronarit dhe vetëm një e treta i jepej fshatarit, natyrisht kundrejt një pagese. Nga ana tjetër, familjes fshatare nuk mund t’i jepej më shumë se 5 ha tokë, pavarësisht nga numri i familjarëve që kishte.

Por edhe ky ligj u zbatua në mënyrë gjysmake. Vetëm në vitet 1934-1935 u prekën fare pak toka moçalishte nga pronat e shtetit dhe ajo e disa bejlerëve çifligarë. Këto moçalishte iu dhanë disa familjeve të mërguarish politikë kosovarë dhe disa bujqve tepër të varfër dhe pa tokë.

Në rrethin e Lushnjës familjet kosovare që u sollën për banim në tokat moçalishte jetuan shumë vuajtje. Madje, në vendet ku u ngulën këta të ardhur pati vdekje masive. Mbas Kryengritjes së Fierit të vitit 1935 masat e filluara për kryerjen e Reforme së nisur Agrare u lanë në harresë.

Reforma agrare e vitit 1945 (Enver Hoxha):

Pjesa më e madhe e tokës së shpronësuar iu shpërnda falas fshatarësisë punonjëse sipas parimit: Toka i përket atij që e punon. Pjesa tjetër e tokës u shpall tokë shtetërorë dhe, mbi bazën e saj, u krijuan ndërmarrje shtetërore. Me zbatimin e Reformës Agrare u shpronësuan, pa shpërblim, 172 659 ha tokë; 474 227 rrënjë ullinj dhe 5 923  kafshë pune. Pronë shtetërore u bënë, gjithashtu, pyjet, kullotat, ujërat dhe pasuritë e nëntokës.

Gjatë Reformës Agrare 8714 pronarë u shpronësuan tërësisht. Këtyre iu shtetëzuan 54 499 ha tokë dhe 287 944 rrënjë ullinj. Po kështu, 10 641 pronarë u shpronësuan pjesërisht. Këtyre iu morën 10 641 ha tokë dhe 125 259 rrënjë ullinj. U shtetëzuan 50 000 ha tokë nga çifligjet e shtetit.

Ndërkohë, iu shtetëzuan enteve fetare 3 163 ha tokë, sikurse edhe 61 024 rrënjë ullinj. Qeveria e kohës zbatoi masa ligjore, që  ndalonin shitblerjen, dhënien me qira, tjetërsimin, lënien trashëgim të tokës, si dhe përdorimin e saj për qëllime shfrytëzimi.

Nga tokat e shpronësuara familjet e varfra dhe ato pa tokë  përfituan 155 159 ha tokë, 238 727 rrënjë ullinj dhe 5 923 kafshë pune. Sektori i shtetit përfitoi 17 500 ha tokë dhe 235 500 rrënjë ullinj.

Por jo të gjithë do të bëheshin pronarë tokash.

Kuptohet se një ndër qëllimet e reformës agrare ishte që tokën që do të shpronësohej, nga pronarët e mëdhenj të tokës si dhe pjesën më të madhe të tokës në pronësi të shtetit, (me përjashtim të tokave të fermave model dhe të tokave që kërkonin bonifikime me investime të mëdha) ta shpërndante në fshatarët pa ose me pak tokë.

konica ekonomiakonica ekonomia mobile

Një ndër veçoritë e reformës, që dëshmon për largpamësinë e saj, është edhe fakti se në mënyrë të prerë u sanksionua se jo të gjithë bujqit pa tokë do të bëheshin pronarë. Marrja e një vendimi të tillë nuk u diktua thjesht dhe vëtem nga kufizimi i tokës, nga domosdoshmëria e ruajtjes së pronës së madhe apo të mesme mbi tokën. Këto ishin arsye tepër të forta dhe me ndikim të madh.

Por këtu ndikuan edhe faktorë të tjerë. Natyrisht kufizimi i tokës luajti rol përcaktues. Nga llogaritjet e kryera nga organizmat e Reformës Agrare del se për të garantuar me tokë bujqit pa tokë dhe për të plotësuar sipas normave të kohës nevojat e bujqve me pak tokë, do të duheshin mbi 225.000 ha tokë.

Dihet se pronarët e mëdhenj të tokave me mbi 40 ha tokë, në fund të vitit 1938 zotëronin rreth 70.000 ha tokë. Ripërsërisim se konkretisht në kushtet reale mund të shpronësohej diçka më shumë se 30.000 ha., duke përfshirë këtu si pronat private ashtu edhe ato shtetërore.

Kemi përmëndur se reforma agrare nuk u konceptua si një rrugë për ndarjen e fukarallëkut. Ajo kishte një synim më të madh që, në tokën e shpronësuar, të organizoheshin njësi ekonomike të pavarura, të cilat me punën e krahut të familjes, me veglat e kafshët që zotëronin, ta punonin tokën, të siguronin prodhimin për familje, në përgjithësi mos të kishin nevojë për punë suplementare jashtë ekonomisë së tyre bujqësore.

Pra, ato do të ishin të pavarura. Ky konceptim që kërkonte harmonizimin e rritjes si të prodhimit dhe shpërndarrjen e pranueshmë të tokës, nuk ishtë i lehtë për t’u realizuar. Kjo kërkonte deri shpërnguljen e njerëzve dhe të familjeve, ndryshimin e organizimit ekzistues të bujqësisë.

 

Situata aktuale

Dy ligje lidhur me pronësinë mbi tokën bujqësore, të sapobotuara në Fletoren Zyrtare dhe të cilat hyjnë në fuqi në fillim të muajit prill 2019, synojnë t’i japin fund odisesë së një procesi të filluar me ligjin 7501. Ndryshimet e reja janë bërë në në ligjin 9948, datë 7 korrik 2008, “për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, të ndryshuar dhe në ligjin nr. 171/2014, “për përfundimin e procedurave ligjore të kalimit të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore në pronësi të përfituesve”, të ndryshuar.

Përfituesit

Me ndryshimet e bëra së fundmi nismat ligjore, tashmë të miratuara nga Kuvendi dhe të dekretuara nga presidenti i Republikës, rrëzojnë kërkesën e domosdoshme të vendbanimit të detyrueshëm për ata që kanë përfituar tokën bujqësore. Kjo do të thotë, me fjalë të tjera, që ata jo domosdoshmërisht duhet të jenë ende banorë të së njëjtës njësi vendore. Kështu, ligji ka shfuqizuar pikën “i” e cila theksonte se ligji zbatohet për subjektet që përmbushin disa kushte, mes të cilave “në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji të jenë banorë të njësisë së qeverisjes vendore dhe prej datës 1.10.1992 nuk kanë ndryshuar vendbanimin e tyre sipas regjistrit të gjendjes civile”.

Nga ana tjetër, ligji shton kategoritë e atyre që përfitojnë përmes dy pikave të reja. Ky ligj do të zbatohet për “familjet bujqësore ose individët, të cilët përmbushin kushtin e parë duke qenë punonjës të ish-ndërmarrjes bujqësore më 1.8.1991, gjendja civile e të cilëve u është transferuar në fshatin ku gjendet toka objekt i kalimit në pronësi, pas datës 1.8.1991, por të mos kenë përfituar tokë bujqësore në përdorim apo pronësi, në fshatin ku kanë pasur gjendjen civile më 1.8.1991″.

Po kështu edhe kushtin tjetër, që ka të bëjë me atë se ata “përdorin tokën për veprimtari bujqësore por kanë mungesa në plotësimin e dokumentacionit të përdorimit apo pronësisë”.

Përfitues sipas pikës së katërt që shtohet në nenin 2 janë familjet bujqësore ose individët, të cilët përmbushin kushtet si më poshtë: nuk kanë qenё punonjës të ish-ndërmarrjeve bujqësore, por kanë qenё banorё të fshatit ku gjendet toka bujqësore, objekt i kalimit të pronësisë, sipas regjistrit të gjendjes civile më 1.8.1991, por të mos kenë përfituar më parë tokë bujqësore në përdorim apo pronësi; e përdorin tokën për veprimtari bujqësore por kanë mungesa në plotësimin e dokumentacionit të përdorimit apo pronësisë.

Kushtet për përfitimin e pronësisë nga familjet bujqësore ose individët

Të kenë qenë punonjës të ish-ndërmarrjes bujqësore më 1.8.1991, gjendja civile e të cilëve u është transferuar në fshatin ku gjendet toka objekt i kalimit në pronësi, pas datës 1.8.1991, por të mos kenë përfituar tokë bujqësore në përdorim apo pronësi, në fshatin ku kanë pasur gjendjen civile më 1.8.1991

E përdorin tokën për veprimtari bujqësore, por kanë mungesa në plotësimin e dokumentacionit të përdorimit apo pronësisë

Nuk kanë qenё punonjës të ish-ndërmarrjeve bujqësore, por kanë qenё banorё të fshatit ku gjendet toka bujqësore, objekt i kalimit të pronësisë, sipas regjistrit të gjendjes civile më 1.8.1991, por të mos kenë përfituar më parë tokë bujqësore në përdorim apo pronësi

E përdorin tokën për veprimtari bujqësore, por kanë mungesa në plotësimin e dokumentacionit të përdorimit apo pronësisë

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN