MENU
klinika

"Dekretin e rrëzojmë në Kuvend"

Meta ktheu ‘Anti- Shpifjen’/ Balla: E mori urdhërin nga Basha

13.01.2020 - 12:59

Taulant Balla ka reaguar pas kthimit të Paketës Anti-Shpifje të Presidentit Meta në Kuvend se ai iu bind urdhërit të Lulzim Bashës dhe se dekreti i tij do të rrëzohet sa më shpejt në Kuvend.

“Kudo në botën demokratike dihej se Presidenti Meta pas urdhërit të Bashës do të kthente mbrapsht përmes dekretit dy ligjet komponentë të kësaj pakete të parë të betejës me shpifjen.

Edhe në të ardhmen, legjislacioni shqiptar duhet të përmirësohet për të garantuar fitoren e së vërtetës ndaj shpifjes.

Përmirësimet ligjore janë certifikuar tërësisht nga partneri i rëndësishëm OSBE, edhe në kuadër të faktit historik që ne e drejtojmë tani. Mban 57 vende dhe 1 miliardë persona.

Më 20 janar dekretet i njoftohen Kuvendit, dhe në seancën më të parë dekretet e z. Meta do të rrëzohen”– tha Balla.

Presidenti Meta i ktheu dje Kuvendit Paketën- Antishpifje duke i kërkuar që ta rishikonte pasi kishte konstatuar 4 shkelje të rënda, ndër të cilat tek e drejta themelore e lirisë së fjalës.

“Nga studimi i thelluar dhe krahasues i ligjit të miratuar në tërësi, konstatohet se disa dispozita të tij dhe konkretisht nenet 14, 15, 29, 30, jo vetëm që nuk janë në harmoni, por bien në kundërshtim me:

Parimet themelore kushtetuese të ndërtimit të një shteti demokratik, sigurisë juridike dhe të proporcionalitetit;
Dispozitat kushtetuese që mbrojnë të drejtën e lirisë së shprehjes, të lirisë së shtypit dhe të drejtës së informimit;

Jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, vendimet e së cilës përbëjnë norma të detyrueshme për zbatim;

Nuk janë në harmoni me standardet e Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut”– theksonte Presidenti Meta në dekret.