MENU
klinika

"Jemi në pritje"

Mustafa mesazh Kurtit: Zgjidhjen e jep VV, jo ne

13.01.2020 - 13:58

Pas takimit të sotëm me ambasadorin amerikan, Philip Kosnett, ka folur kreu i LDK-së, Isa Mustafa. Ai ka thënë se zgjidhjen për marrëveshjen duhet ta japë Lëvizja Vetëvendosje e jo LDK.

“Zgjidhjen e japin ata, jo ne”– tha Mustafa.

Ndërkaq, pas këtij takimi ka folur edhe nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu. Njësoj si Mustafa, edhe Veliu ka thënë se përgjegjësia është e Vetëvendosjes. Veliu ka thënë se nuk mund të flasë për ofertën e Kurtit, pasi, sipas tij, nuk është shqyrtuar ende në organet e LDK-së.

“Ne po presim një zgjidhje nga Vetëvendosja, një zgjidhje e cila është funksionale për të dyja palët. Përgjegjësia sigurisht është e tyre, që të ofrojnë një zgjidhje në këtë situatë të krijuar. Po e theksoj se jemi në pritje.

Ofertat e Kurtit ne nuk i kemi shqyrtu në organet tona, sepse oferta të veçanta ne nuk shqyrtojmë, kemi bisedu në organet e LDK-së për parimet të cilat duhet t’i ketë një qeverisje”– është shprehur Veliu.

Ndërkaq, nga Lëvizja Vetëvendosje kanë deklaruar se në takimin e fundit që ndodhi të enjtën që lamë pas, nga LDK kanë deklaruar se do t’i mbledhin organet e partisë për të shqyrtuar ofertën e LV.

“Nga takimi i herës së fundit mbeti që LDK të mbledhë organet e saj për të shqyrtuar ofertën e Lëvizjes, tash jemi në pritje kur të mblidhen ata. Sepse siç e ka deklaruar dje Kryetari Kurti ne jemi të gatshëm të mblidhemi e te mbyllemi deri në arritje të marrëveshjes”- thuhet në përgjigjen e LV-së.

Mirëpo, ndryshe po deklarohen në LDK. Sot gjatë ditës, në një prononcim për media, Avdullah Hoti ka deklaruar se Lidhja Demokratike e Kosovës e ka dhënë ofertën e vet, e mbetet nga LV të vendos a do të pranojë të njëjtën.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nuk përmend zgjedhje të reja

Kurti mban sekret kërkesat e LDK