MENU
klinika

Vdiq si ‘armik i popullit’ në Zvicër

Njeriu më i pasur në Shqipëri që u bë kryeministër

15.01.2020 - 07:37

Shefqet Vërlaci ka qenë pronar tokash, politikan dhe kryeministër i Shqipërisë. Ai pranoi kolonizimin italian të Shqipërisë. Vërlaci ishte anëtar i Partisë Fashiste Shqiptare.

Ai lindi në Elbasan më 15 dhjetor 1877, i biri i Ismail Pashës dhe Mehtab Sulovës. Ai rridhte nga një familje bejlerësh me pasuri të mëdha tokësore. Mori mësimet e para në qytetin e lindjes, të mesmet i kreu në qytetin e Manastirit. Vajti në Stamboll për të kryer arsimin e lartë në shkollën e lartë të administratës në “Mülkiye-i-Sehahané”, por nuk mundi ta përfundonte atë.

Në moshën 32-vjeçare i kthyer tashmë në Shqipëri, Vërlaci në vitin 1910 zgjidhet deputet i Elbasanit në Parlamentin e Perandorisë Osmane, por për shkak të konflikteve që pati me Turgut Pashën ai u arratis. Ndërsa dy vjet më vonë në muajin nëntor ishte një ndër anëtarët e partisë së Elbasanit që përkrahu pavarësinë e Shqipërisë.

Në 21 gusht 1914 Shefqet Vërlaci ishte anëtar i delegacionit që i dorëzoi në Gjermani kurorën e fronit të Shqipërisë Princ Vidit. Në zgjedhjet e 5 prillit të vitit 1921 zgjidhet deputet. Postin e parë si kryeministër dhe ministër i brendshëm i vendit ai e mori në vitin 1924 nga datat 3 mars deri më 27 maj.

Gjatë viteve 1925–1928 kur Shqipëria ishte Republikë, Vërlaci u bë senator.

Më 13 shtator 1927 dekorohet me Kordonin e Madh të Urdhrit të Kurorës Italiane.Në vitin 1928 në 1 shtator si anëtar i Komisionit të Asamblesë në emër të Asamblesë i komunikoi Mbretit Zog vendimin e posaçëm që e shpalli Shqipërinë Mbretëri Parlamentare.

Zgjidhet për herë të dytë kryeministër në vitin 1939 dhe më 16 prill të po të këtij viti dhe ministër i Punëve Botore, i dorëzoi në Romë kurorën e fronit shqiptar Viktor Emanuelit III. Po këtë vit, ai u zgjodh senator i Mbretërisë Italiane.

Ministri i Jashtëm italian, njeriu që përgatiti pushtimin e Shqipërisë, konti Galeazzo Ciano në ditarin e tij shkruante “… Po ta kisha njohur më parë nuk do ta kisha mbështetur emërimin e tij. Është njeri nursëz e do të na bezdisë…”.

Në vitin 1941 si pasojë edhe të konflikteve të shumta politike që pati me Mëkëmbësin Jakomoni, ky i fundit kërkoi zëvendësimin e tij, gjë e cila u realizua më 3 dhjetor të vitit 1941 ku në vend të tij u emërua Mustafa Kruja.

Pas largimit nga posti si kryeministër Shefqet Vërlaci thuajse u tërhoq plotësisht nga politika. Para se në Shqipëri të vendosej regjimi komunist u largua në Itali së bashku me djalin e tij Ismailin, dhe vajzën Behije (ish e fejuara e Ahmet Zogut). La në Shqipëri gruan dhe vajzat Fezilet e Mehtap. Është për t’u përmendur fakti se Shefqet Vërlaci ka qenë martuar me të bijën e Ymer Pashë Vrionit, Semiramis. Vërlaci ishte baxhanak me armikun e tij politik, Aqif Pashë Elbasani.

Gruaja e tij pasi u dënua me 5 vjet burg nga komunistët vdiq në mjerim të plotë. Në Shqipëri jetoi vetëm vajza e vogël e Shefqet Vërlacit, Mehtapi e cila ishte e martuar me Qemal Biçakçiun dhe vajza e dytë Fezileti e cila ishte martuar me Is’han Libohovën.

Vdes në vitin 1946 në spitalin e Zyrihut, dhe më pas varroset në Romë në parcelën dytësore 1537 të varrezës së këtij qyteti. Edhe një vit pas vdekjes së tij, qeveria komuniste vazhdonte të kërkonte ekstradimin e tij në Shqipëri si “kriminel lufte”.

Shefqet Vërlaci ka qenë njeriu më i pasur në Shqipëri. Vetëm në vitin 1939 ai kishte në pronësi të tij 3700 hektarë ose rreth 1 përqind të fondit të përgjithshëm të tokës në Shqipëri.