MENU
klinika

Kur lindi profesor Luarasi...

Orthodoks me emrin Skënder?!

19.01.2020 - 13:37

… Sikundër edhe më parë, babai solli nga Bukureshti shumë libra shqip, ndër të tjera edhe ”Istori e Skënderbeut” të Naim Frashërit. Aq fort pati rënë në sevda me emrin e heroit tonë kombëtar sa, me siguri, që atëherë e pati vendosur të ma vinte emrin Skënder po të lindja djalë, jo Gjergj, jo Aleksandër, por Skënder, edhe pse anëtarët e familjes sonë konsideroheshin ortodoksë.

Shkurt, babai thirri kumbarët në shtëpi dhe u tha: ‘’Zoti nun dhe zonja ndrikull, jam shumë i gëzuar që më lindi djalë, se me dy djem e ndjej veten më të fortë se sa me dy çupa. Shpresoj se bebes nuk ia keni gjetur emrin akoma.

– Ia kemi gjetur, – tha xha Thanasi.

– Mos ma tregoni! Mbajeni për ndonjë rast tjetër. Këtij djali do t’ia vini emrin Skënder.

– Uëu, ç’është kjo Skënder! – thirri ndrikulla.

– Mos na e thuaj ti, se vdes! – thirri nuni.

– Më mirë të vdesë se të mbajë emër tjetër!

Dhe meqë Thanas Duroja, një nga pleqtë më të mirë e më të mençur të fshatit tone kur qe esëll, sikur e tepronte me raki ditët e kremte, babai iu drejtua zonjës ndrikull:

– Ju lutem të ma pagëzoni ju tim bir dhe ta mbani mend mirë emrin Skënder, që të mos na ngjasë ndonjë e papritur.

Dhe vërtet kështu më quajtën, për të keqen e vetë nunit,( ) për të keqen e tim eti dhe timen, për të keqen e të gjithë atyre që më vonë, duke patur mbiemrin Luarasi, u pagëzuan me emrin Skënder (aludim për arkitektin Skënder Kristo Luarasi).

Ndërsa kalamajtë e fshatit rendnin drejt shtëpisë sonë për t’i treguar nënës emrin e të merrnin shpërblimin, ndonjëri syresh duke thënë se ma vunë emrin Skifter, e tjetri Kalander, një tjetër më i madh ndër ta, iu paraqit tim eti në hajat të kishës, ku rrinte në kuvend me pleqtë dhe ia shqiptoi emrin e mirëfilltë timin. Pleqtë, kur e dëgjuan pagëzimin e jashtëzakonshëm u çuditën.

– Ç’është ky emër që s’e kemi dëgjuar kurrë?- pyeti Nin Lipe Mali, një nga pleqtë e rëndësishëm me të cilin në kohën e dhespotit Qirilli, Petro Luarasi qe grindur për punë të abetares e të shkollës shqipe në fshat , por më vonë qenë pajtuar.

– Cilin do të ketë për shenjt ky yt bir? – pyeti Dhami Dikoja.

– Atë që ka djali yt, – u përgjegj Petroja

– Po ç’ka të bëjë Leko me Skënder? – kundërshtoi babai i Leko Dhami Dikos.

– Po ka të bëjë, – pohoi mësuesi i shqipes, dhe u tregoi burrave të kuvendit se si të birit më të vogël të Gjon Kastriotit, që quhej Gjergj, sulltan Murati i dha emrin Skënder për ta krahasuar me Aleksandrin e Madh të Maqedonisë.

– Domethënë e paskeni pagëzuar me emrin e një turku! – thirri xha Dhami. Dhe kur erdhi Papa Vasili në hajat të kishës dhe Petro i ftoi gjithë pleqtë e fshatit të urdhëronin në poganik të foshnjës, plaku çalaman Dhami Diko vazhdoi kundërshtimin e tij prej kokëforti:

– Jo, unë nuk uroj për emër turku. M’u thaftë edhe këmba tjetër në shkelça në atë shtëpi të mallkuar. Mbeça pa sy dhe mos e gjeça portën e shtëpisë sime po të kem të bëj me një njeri që e kanë mallkuar me rradhë tre dhespotët e kishës sonë orthodhokse!

– Po emrin kur do të vimë t’ia urojmë, – pyeti Nin Mali përsëri, – për Shën Gjergj apo për Shën Aleks?

– Për të dy shenjtët, edhe për mot si sot, edhe ditën e Ujit të Bekuar që ka lindur, – u përgjegj Petroja.

-Epo, ç’doni më shumë urime në mot e me raki si ajo…! ndërhyri xha Thanasi, duke rrokur shkopin e duke u çuar në këmbë. Dhe pas nunit tim, u nisën gjithë pleqtë për urim e poganik.

U ngrit edhe xha Dhami dhe me nëmën në gojë shkoi tek gomari, të cilin e zgjidhi, i hipi dhe u nis për në shtëpi. Xha Dhami nuk kishte këmbë, po gomari e dinte udhën dhe e shpuri drejt e te porta, xha Dhami kishte sy po nuk donte të shihte udhën e drejtë, kishte veshë, po nuk donte të dëgjonte të vërtetën e jetës, kishte kokë po nuk e lodhte trurin që të dallonte të renë nga e vjetra, të mirën nga e keqja. Ai qe një nga ata që u pëlqente të jetonin në errësirën e paditurisë.

Dashuria mbi ndasinë fetare

Përveç të krishterëve, im atë ftoi në poganikun tim edhe shokë e miq myslimanë: Jaçen, Zenelin, Ademin, Fetiun, por edhe Canen, Bidon, Dervishin, Qamilin e Koçinë, që e ndihmonin në punët e përditshme. Ndërsa burrat ishin ulur këmbëkryq në dyshekët, minderët e në fronet anës murit të odës së madhe dhe gjersa të shtrohej dreka bënin muhabet e ngrinin dolli për emrin e bebes, graria hynin në vatër për të uruar lehonën. Pranë djepit po rrinin në minder edhe dy gra nga Penkollarët, njëra qe mesatare nga mosha dhe tjetra nusja e të birit. Në mes të muhabetit të tyre të ëmbël, me zë të ulët, u pa te pragu i derës bashkë me të tjera zonja myslimane, një nuse e re, e bukur. Vjerra, kërceu prej minderit duke klithur: ”Qyqja turka!” dhe rrëmbeu nusen e vet prej krahu që ta nxirrte jashtë.

Të dyja nuset, me flokët e tyre të verdhë si trëndelinë, me sytë e tyre të kaltër si deti dhe me bukurinë e ballit të lartë e me trupin e derdhur si të selvisë, i ngjisnin njëra-tjetrës posi lotët që rrjedhin nga të njëjtët sy. Qenë motra.

Disa vjet më parë një tog grash e vajzash orthodhokse qenë nisur nga Penkollarët për të kaluar natën me lutje e të falura në Kishën e Shën Kollit të Vodicës, i cili nderohej edhe prej myslimanëve dhe çmohej si më i madhi shenjtor në Kolonjë e përtej saj. Kur arritën në rripën e djathtë të Osumit, ndenjën shesh të çlodheshin pakëz e të zbatheshin për të shëtitur lumin.

Ndërkohë, një djalosh i mëhallës myslimane Frëngjas, po ulej kaluar prej të tatëpjetës së Blushit. Me të arrirë pranë vahut, i përshëndeti zotërisht e fare pa të keq bashkëfshataret e tij dhe i tha njërës prej dy motrave, si për shaka: ”mos u zbath, moj thëllënzë” dhe duke e rrokur për mezi e shtiti përtej lumit, e lëshoi përdhe lehtë-lehtë e mengadalë. Dhe ai vetë duke i përshëndetur me luhatjen e krahurt gjithë shoqet e saj , vazhdoi udhën duke kënduar.

Reth vajzës së hutuar prej turpit , shoqet ia klithën kujës: ”Korba ti, që të preku turku! Qyqja ti që të zuri për mezi! Më mirë të ishe mbytur o qyqe, se të shtiti lumit ai!”

E gjora vajzë në kishë e gdhiu natën më gjunjë përpara konizmës së Shën Marisë dhe duke qarë me ngashërime iu lut virgjëreshës ta mëshironte e t’ia falte një mëkat që e mjera vajzë s’e kish parë as në ëndërr ta bënte.

Dhe mëshirë e dhimbsuri do të kishte ndjerë më shumë ajo figurë e vizatuar në dhogë sesa zemra ndjenjazezë e prindërve që i kishin dhënë jetën vajzës së brengosur. Femrat e fshatit nisën ta përbuzin . Prej mynxyrës që pësoi Turpja, po atë stinë dimri, e shpëtoi djaloshi zemërgjerë i Frëngjasve.

Ai qe rritur në çifligjet e Xhafer bej Shkëmbit në Vodenë dhe e kishte parë botën me sy më të shëndoshë në Manastir e Selanik. Sa mori vesh për hallin e vajzës së krishtere, ai dëgjoi zërin e zemrës dhe i tha: ”Të dua! Eja të ikim prej kësaj errësire!” Dhe vajza i zuri besë e i vajti pas. E solli rasa që ky çift u kthye në fshat për pushime, atë janar kur Turpja endej andej-këndej e përhëndur nëpër Vakëfe. Nusja e Frëngjasve e mohoi kishën, që nuk i pruri shpëtim në hallin e saj shpirtëror, por nuk i harroi njerëzit e mirë të fshatit ku pati lindur ndaj erdhi bashkë me të vjehrrën të vizitonte lehonën dhe beben. Sa kapërcyen pragun përbrenda vatrës, teze Janeja u doli përpara frëngjasve, i përqafoi e i puthi dhe u tha të dy palëve që të gëzoheshin se u erdhi rasti të piqeshin e të duheshin. Nga shtrati i saj lehona ngriti kryet: ”Jini motra”, u thirri me ngashërime, ”përqafohuni, puthuni!”. Po ku shihte e dëgjonte kabanova e katundit tonë. Rrëmbeu nusen e saj prej krahu, dhe çau udhën me forcë sikur desh të shpëtonte nga strofull e kuçedrës.

Të dy motrat nuk u panë më kurrë!

Nga libri i Skënder Petro Luarasit, ‘’Ç’kam parë e ç’kam dëgjuar’’,

***

Arsimtar, përkthyes, dramaturg, publicist, studiues e vullnetar në Luftën e Spanjës, komunist idealist e hartues fjalorësh.

Skënder Luarasi ishte i pari shqiptar që u nis në dhjetor të 1936, nëpërmjet kufirit grek, nga Follorina për të shkuar në Athinë, më pas në Francë e në fund në Spanjë. Në dhjetor të 1936, Luarasi takoi në Parsi Llazar Fundon dhe Ali Kelmendin. Në vitet 1939-’44, vuajti në kampet e pëqendrimit në Francë dhe në vitin 1945 u kthye sërish në atdhe.

Mbas çlirimit të vendit, ishte nismëtar në themelimin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe anëtar i Kryesisë deri në nëntor 1949, kur u përjashtua për disa vjet nga Lidhja për qëndrimin e tij antikonformist ndaj metodave e qëndrimeve jodemokratike që ndiqte Kryesisë e Lidhjes në fushën e letërsisë e të arteve e nënshtruar ndaj diktatit të partisë në pushtet.

Ishte deputet në vitet 1946-50. Më 1950 nis punë në ndërmarrjen e botimeve të Institutit të Shkencave.

Për veprimtarinë e tij të shquar patriotike-antifashiste-demokratike, edukative e letrare është nderuar me “Urdhri i Flamurit” (1960) dhe “Nderi i Kombit” (1996).

Luarasi e ka nisur aktivitetin letrar që në moshën 17-vjeçare. Brezi i viteve ’30-të e dallon si arsimtar, publicist, gazetar, përkthyes, dramaturg dhe si drejtues e bashkëpunëtor në disa organe të shtypit përparimtar.

Ka qenë redaktor përgjegjës në revistat: “Studenti” ShBA më 1920, “Djalëria” Austri më 1927-1928 dhe kryeredaktor i revistës “Vullnetari i Lirisë” Spanjë më 1937. Ky i fundit, organ i vullnetarëve shqiptarë në luftën antifashiste të Spanjës.

Deri më 1992, veprimtaria e tij (monografi, publicistikë, drama, studime dhe kritikë letrare e historike) botohej pjesërisht (kryesisht përkthimet) dhe nuk analizohej nga pikëpamja shkencore./Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Dossier/ 100 vjetori i armëpushimit

Letra shqip, nga fronti i luftës së parë

Krijimtari' e shkëlqimit biblik

Petro Marko… për dashurinë dhe humanizmin